Ndërlidhjet

Bush merr pjesë në takimin SHBA - BE


Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian sot e mbajnë takimin e tyre vjetor në Slloveni, vendin që ka kryesinë e radhës të BE-së.

Pjesëmarrja e presidentit amerikan George Bush është vizita e fundit e tij në Evropë përpara se të largohet nga zyra në muajin janar.

Në takimin pritet të miratohet një deklaratë për marrëdhëniet globale, partneritetin euroatlantik dhe për gjendjen aktuale në botë.

Më herët, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se edhe Kosova do jetë njëra nga temat që do të diskutohet në takimet e presidentit Bush, gjatë këtij turneu evropian.

Para samitit, presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush u takua me kryeministrin slloven Janez Jansha dhe presidentin Danilo Tirk.

Të martën pasdite, Bush do të udhëtojë në Gjermani ku do takohet me kancelaren Angela Merkel, ndërsa të enjten në Paris do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të donatorëve për Afganistanin.

Në kuadër të turneut evropian, presidenti Bush do të vizitojë dhe Britaninë, Italinë dhe Vatikanin.
XS
SM
MD
LG