Ndërlidhjet

"15 qershori, si 14 qershori"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Situata në veri të Kosovës, më 15 qershor, nuk do të ndryshojë kurrgjë nga situata e një dite më pare atje, kanë thënë analistë shqiptarë e serbë për gazetën. Sipas tyre, kushdo që pretendon se Kushtetua e Kosovës do të hyjë në fuqi në atë pjesë të Kosovës, në datën e përmendur, nuk po bën asgjë tjetër pos që po e manipulon publikun kosovar. Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Ndëretnike në Beograd, Ilir Dugolli, nga instituti "Kipred", dhe Nexhmedin Spahiu, analist politik nga Mitrovica, kanë analizuar për gazetën zhvillimet e mundshme të datës 15 qershor në pjesën veriore të Kosovës. E zhvillimet atje pritet te mos jenë kushedi se çfarë. Sipas Janjiqit, dispozitat kalimtare të Kushtetutës së Kosovës parashohin shumë kufizime dhe zgjatje të terminëve kur Kushtetuta duhet të jetë plotësisht e zbatueshme, saqë "data 15 qershor nuk ka kurrfarë kuptimi për sa i përket hyrjes në fuqi të saj". "Është një manipulim i pastër nëse dikush thotë se më 15 qershor do të verë kontroll të plotë mbi tërë territorin e Kosovës dhe se do të kthejë doganat atje", ka thënë ai... Ilir Dugolli ka thënë se nuk sheh gjasa të mëdha që gjendja në pjesën veriore të ndryshojë ne mënyrë radikale në të ardhmen e afërt. "15 qershori në pjesën veriore shumë më tepër do t'i ngjajë 14 qershorit, sesa të nxjerrë në shesh dallime cilësore", ka thënë ai. Hiç më optimist nuk është as Spahiu. "Asgjë e veçantë nuk do të ndodhë", ka thënë ai...

ZËRI
Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, mbajti në Podgoricë një konferencë shtypi me rastin e 100 ditëve të qeverisë së tij, e në të cilën foli edhe për Kosovën. "Mali i Zi, muajve të ardhshëm, me shumë kujdes e maturi do të analizojë se si po rrjedh procesi i verifikimit ndërkombëtar të vendimit të Kuvendit të Kosovës, të muajit shkurt të këtij viti, për pavarësinë. Në bazë të analizave të hollësishme dhe serioze politike, Podgorica do të marrë vendimin, i cili do të jetë në interesin më të mirë të Mali të Zi", ka thënë Gjukanoviq. Milo Gjukanoviq ka thënë po ashtu se "Mali i Zi nuk dëshiron të hetojë presione nga kushdo qoftë. Dëshiron të udhëheqë një politikë të përgjegjshme në për-puthje me interesat nacionale". Sipas tij, ka pasur shumë raste kur "Mali i Zi gjatë historisë është udhëhequr nga interesat e kujtdo qoftë tjetër dhe shumë e respektojmë historinë e përbashkët me popullin serb, duke jetuar bashkë me shekuj në këto hapësira, "por kjo nuk i jep të drejtë askujt të presë, pra as Serbisë, se Mali i Zi do t'i flijojë interesat e veta për shkak të interesave serbe". Ai ka shtuar se një praktikë e tillë "sot nuk ekziston askund në politikën botërore"...

KOSOVA SOT
Shefi i Zyrës ruse në Prishtinë, Andrej Dronov, ka kërkuar hapur që Rueckeri të mos ua zgjatë mandatin të emëruarve aktualë serbë,
por t’i emërojë për kryetarë komunash njerëzit e dalë nga zgjedhjet lokale të 11 majit...Zyrtarët e misionit të UNMIK-ut, përfshirë edhe vetë shefin e tyre, Ruecker, nuk do të marrin asnjë vendim pa ardhur leja e shumëpritur nga Ban Ki-Moon. Në fund të javës së kaluar, shefi i UNMIK-ut, Ruecker, është takuar me përfaqësuesit e ambasadave në Prishtinë të shteteve anëtare të Grupit të Kontaktit, të cilët i ka njoftuar se nuk i ka mbetur asnjë zgjidhje tjetër në raport me komunat me shumicë serbë, pos që t’ua zgjasë mandatin kryetarëve që kanë qenë të emëruar deri më tash. Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, nuk ka pasur asnjëherë pushtet lokal të krijuar nga zgjedhjet, pasi që serbët e Kosovës asnjëherë nuk kanë votuat në zgjedhjet e organizuara nga UNMIK-u...

EPOKA E RE
Edhe Beogradi zyrtar pranon se pas 15 qershorit mund të rritet numri i vendeve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shefi i diplomacisë serbe ka thënë se ka informacione se "po rritet presioni" mbi disa vende që deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën. Pas shpalljes së Kushtetutës, njohje të reja mund të arrijnë nga Amerika e Jugut, vendet afrikane madje edhe nga rajoni, shkruanin të hënën gazetat serbe... "Që nga fundi i vitit të kaluar po vazhdon aksioni i koordinuar i Prishtinës, Brukselit dhe Uashingtonit që deri në fund të vitit 2008 Kosovën si shtet ta njohin 100 shtete", ka deklaruar Dushan lanjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd...

EXPRESS
Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK), mund të shkrihet në Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës pasi ligji që është miratuar në Kuvend nuk ndalon një gjë të tillë. Kështu thotë anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Naim Maloku, i cili ka vërejtje rreth ligjit me të cilin krijohet Shërbimi Inteligjent i Kosovës. Ky zyrtar i AAK-së kujton ditën kur kishte mbetur në Kuvendin e Kosovës, për dallim nga kolegët e partisë së tij, për t'i thënë kryeministrit Hashim Thaçi se është duke krijuar një shërbim informativ që do t'i shërbejë një partie dhe që është mbi shtetin. Maloku thotë se vërejtjet e tij janë profesionale e jo të nxitura nga motivet partiake, ndonëse kohëve të fundit kjo temë është bërë arenë kacafytjeje mes drejtuesve të AAK-së dhe PDK-së. Në një bisedë për Express, të hënën, Maloku linte përshtypjen e një njohësi të mirë të funksionimit të shërbimeve të ndryshme inteligjente në Kosovën e pasluftës...

INFOPRESS
Kosova nuk është djep i Serbisë. Kjo për arsye fare të thjeshtë, sepse ndërlidhja e falsifikuar për manastiret dhe shtetin mesjetar serb që ndodhet aty, si argument për udhëheqjen e sotme të politikës, do të hapte koordinata plotësisht jo reale në mbarë Evropën. Kështu ka deklaruar për BBC Nenad Çanak, kryetar i Ligës Socialdemokrate në krahinën e Vojvodinës. "Ju lutem, mos harroni se nëse Kosova është serbe vetëm pse aty ndodhen artefakte të kulturës serbe prej para një mijë vjetësh, në këtë rast, me këtë argumentim, një pjesë e madhe e Rumanisë Veriore, sigurisht se do t'i përkiste Hungarisë. Mos harroni se në kohën kur u ngritën ato manastire, Beogradi quhej Nandorfehervar dhe ishte qytet hungarez", pohon Çanak. Sipas tij, është plotësisht e gabueshme të bisedohet mbi këto nocione, sepse sot nevojitet një qasje krejtësisht tjetër...

BOTA SOT
Institucionet e Kosovës, këto dy ditë presin konfirmimin nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, për misionin e UNMIK-ut pas 15 qershorit. "Deri më tani nuk kemi ndonjë shkresë të drejtpërdrejtë. Pritet që do të ketë një adresim të drejtpërdrejtë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm; ajo që ne mund të themi është se jemi në konsulta të përhershme me SHBA-të dhe BE-në dhe me zotin Feith. Në ketë kuadër, ne do të shkojmë në ecjen tonë të mëtejshme, në koordinim të plotë me miqtë e Kosovës", tha presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, të hënën, pas takimit me kryeministrin Thaçi. Presidenti Sejdiu nuk ka paragjykime se çfarë mund të propozojë Ban Ki-Moon, për misionin e UNMIK-ut pas 15 qershorit, por ai shprehet se institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me institucionet ndërkombëtare...

LAJM

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, tha të hënën se pavarësimi i Kosovës e ka ndryshuar realitetin në Ballkan dhe se ndihma dhe qëndrimi i Austrisë mbeten vendimtare në këto zhvillime. Presidenti shqiptar i bëri këto komente në takimet me delegacionin parlamentar të Austrisë dhe grupin parlamentar të miqësisë Austri - Shqipëri. Zyrtarët austriakë u pritën edhe nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe kryeministri Sali Berisha, i cili vuri theksin në reformat e ndërmarra prej Qeverisë së tij...

XS
SM
MD
LG