Ndërlidhjet

Serbët për dhe kundër parlamentit paralel


Mitrovicë - Ura qendrore

Mitrovicë - Ura qendrore

Ndërsa Partia Radikale dhe ajo Demokratike e Vojisllav Koshtunicës mbështesin formimin e shpejtë të parlamentit serb, partitë tjera serbe në Kosovë thonë se duhet të pritet konstituimi i organeve të reja në Serbi.



Formimi i parlamentit serb të Kosovës nuk ka marrë pëlqimin e të gjitha forcave politike të këtij komuniteti. Por, marrë parasysh se në zgjedhjet serbe, të cilat u organizuan edhe në Kosovë, kanë fituar forcat radikale, sidomos në veri të Kosovës, me apo pa pëlqimin e forcave tjera politike serbe, radikalët thonë se janë të vendosur që ta formojnë këtë parlament para datës 15 qershor, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Lubomir Kragoviq, udhëheqës i radikalëve për Kosovën, thotë se parlamenti serb është kundërpërgjigje ndaj pavarësisë së Kosovës. Për formimin e këtij parlamenti, ai thotë se ka edhe pëlqimin e Partisë Demokratike të Serbisë, të Vojisllav Koshtunicës, kurse është në pritje të qëndrimeve edhe nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe nga Partia G–17 plus.

“Është normale se ky parlament nuk do të marrë peshën e vet, përderisa të mos formohet Qeveria e re e Serbisë dhe përderisa Kuvendi i Serbisë të mos na e sjellë statutin e punës sonë”, thotë Lubomir Kragoviq.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Zvonko Steviq, thotë se konstituimi i parlamentit serb do të ishte në të mirën e komunitetit. Por, sipas tij, mund të ndodhë të paraqiten edhe probleme legale lidhur me formimin e këtij parlamenti.

“Nëse ky parlament do të jetë në shërbim të mbrojtjes së interesave serbe në Kosovë, socialistët do të jenë për formimin e tij. Por, lidhur me modalitetet e formimit, duhet të ketë debat dhe kjo çështje duhet të rregullohet nga ana e Parlamentit të Serbisë”, thotë Steviq.

Gjatë mbledhjeve konstituive të kuvendeve paralele komunale serbe janë përcaktuar edhe delegatët nga secila komunë për parlamentin serb. Stojanka Petkoviq, nga G-17 plus, thotë se e ka kundërshtuar formën e tillë të konstituivit të këtij parlamenti paralel në Kosovë.

“Partia G-17 plus nuk dëshiron të marrë pjesë në formimin e një organi jolegjitim, i cili është parlamenti serb për Kosovën”, thotë Petkoviq. Sipas saj, edhe nëse formohet një parlament i tillë, serbët e Kosovës duhet të organizojnë zgjedhje paralele parlamentare, të cilat do të shpalleshin dhe organizoheshin nga Beogradi.

Në anën tjetër, Goran Bogdanoviq, nga Partia Demokratike e presidentit serb Tadiq, thotë se formimi i këtij parlamenti serb është i panevojshëm dhe se vendimi për të, sipas tij, duket të jetë shumë i nxituar.

“Sa i përket Partisë Demokratike, ne presim që fillimisht të formohet Qeveria e re e Serbisë, e cila duhet të japë mendimin e vet se a duhet apo jo të formohet ky parlament dhe nëse po, në çfarë forme”,
thotë Bogdanoviq.

Sidoqoftë, radikalët, të cilët kanë fituar shumicën e votave në Kosovë, përmes një procesi zgjedhor të shpallur si jo legal dhe jo legjitim nga ana e UNMIK-ut, thonë se do të formojnë këtë parlament mbi bazën e emërimeve politike të delegatëve nga të gjitha komunat ku jeton komuniteti serb.

Parlamenti paralel serb, sipas tij, do të ketë 45 vende, prej tyre, dy të rezervuara për pakicat, një për boshnjakët dhe një për romët, dhe se ky organ, sipas radikalëve, do të formohet këtë javë, para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Organet paralele serbe në Kosovë, të dala nga zgjedhjet e shpallura si të pavlefshme nga ana e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, janë cilësuar nga UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës si ilegale dhe inekzistente.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG