Ndërlidhjet

Slloveni: SHBA e BE mbështesin Kosovën

  • RFE /RL

Presidenti i SHBA-ve, George Bush, dhe kryeministri slloven, Janez Jansa, në Bërdo të Sllovenisë, 10 qershor 2008.

Presidenti i SHBA-ve, George Bush, dhe kryeministri slloven, Janez Jansa, në Bërdo të Sllovenisë, 10 qershor 2008.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të vazhdojnë të mbështesin stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës, integrimet e saj rajonale dhe zhvillimin e saj ekonomik e institucional.


Kështu thuhet në deklaratën që ka dalë nga samiti SHBA-BE në Bërdo të Sllovenisë, në të cilin ka marrë pjesë edhe presidenti amerikan, George Bush.

Në të gjithashtu nënvizohen detyrimet e autoriteteve në Kosovë që të përqendrohen në krijimin e një shoqërie stabile, demokratike e shumëkombëshe dhe të mbështetin përpjekjet e NATO-s dhe OSBE-së në këtë drejtim.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian synojnë që të bashkëpunojnë në kompletimin e tranzicionit të butë nga Kombet e Bashkuara tek misioni Eulex, i cili do të mbajë përgjegjësi për sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij të plotë në gjithë territorin e Kosovës, që është e rëndësisë së veçantë për stabilizimin e saj, thuhet në deklaratë.

Në të mbështetet edhe përparimi i Kroacisë, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Malit të Zi në procesin e integrimeve euroatlantike. Në këtë kuadër, është përshëndetur edhe marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e nënshkruar midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian, e cila është cilësuar si një konfirmim i animit të Serbisë drejt perspektivës evropiane.

Deklarata e përbashkët e samitit përmban edhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian edhe mbi ndryshimet klimatike, bashkëpunimin transatlantik, situatën në Lindjen e Mesme dhe zhvillimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën.

Presidenti Bush në fund të takimit përsëriti qëndrimin amerikan se Turqia duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Lidhur me Iranin ai shtoi se një Iran me armë bërthamore është "rrezik i jashtëzakonshëm për paqen botërore".
XS
SM
MD
LG