Ndërlidhjet

SHBA-Rusi, garë e re në armatim?


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, ka deklaruar se Uashingtoni duhet t’i ngrejë kapacitetet e veta bërthamore. Në anën tjetër, presidenti i ri i Rusisë, Dmitry Medvedev, ka bërë thirrje që Moska të forcojë forcat e saj bërthamore.


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, tha se Uashingtoni duhet t’i mbajë "kapacitetet e veta bërthamore". Sipas tij, qëndrimi i Moskës e vë theksin edhe më shumë në rëndësinë e qëndrueshmërisë së kapaciteteve atomike amerikane.

Rusia ka provuar të transformojë ushtrinë nga epoka sovjetike, duke u munduar ta bëjë më moderne dhe më profesionale. Gates tha se reformimi i forcave konvencionale ka ndikuar që Moska të arrijë në konkluzionin se investimi në kapacitetet atomike do të ishte më efikas.

Presidenti rus Dmitry Medvedev

Duke iu drejtuar ushtarakëve, presidenti i ri rus, Dmitry Medvedev, u zotua të rrisë fondet shtetërore për këtë çështje, në mënyrë që, siç tha, "Rusia të jetë e gatshme për t'u përballur me rreziqet ekzistuese".

Aleksander Golts, ekspert për çështje të mbrojtjes nga Moska, tha se sidoqoftë, stresi i ri në Uashington dhe Moskë nuk sinjalizon kthimin e garës në armatim nga periudha e Luftës së Ftohtë.

"Më tepër është manifestim i fuqisë. Gjatë Luftës së Ftohtë, të gjithë besonin se kundërshtari mund të ndërmarrë sulm bërthamor dhe kjo ishte reale. Sot, askush nuk e beson këtë. Përse po flet tani Rusia rreth forcimit të potencialeve atomike? Sepse, kjo është fusha e vetme ku Rusia është në nivel të njëjtë me Shtetet e Bashkuara", tha Golts.

Në paradat ushtarake, gjatë muajve të fundit, Rusia ka paraqitur edhe raketat balistike të epokës sovjetike. Presidenti Medvedev, ndërkaq, ndër rreziqet për vendin ka përmendur edhe planet amerikane për sistemin e mbrojtjes raketore në Evropë, për të cilin Uashingtoni thotë se synon mbrojtjen nga shtetet si Irani. Moska insiston se ky sistem rrezikon sigurinë e Rusisë.

Mosmarrëveshjet kanë ulur nivelin e raporteve Moskë – Uashington në pikën që disa vëzhgues e konsiderojnë më të ulëtën që nga Lufta e Ftohtë.

Golts përkujtoi se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar marrëveshjet për reduktimin e arsenaleve bërthamore deri në vitin 2012. Por, me gjithë reduktimet, tha Golts, Rusia ka lëvizur drejt modernizimit të forcave ekzistuese bërthamore.

"Flasim për përmirësime cilësore. Aktualisht kemi sistemin raketor Topol – M, i zhvilluar në fund të viteve të '80-a dhe për të cilin thuhet se është në gjendje të shkatërrojë sistemet mbrojtëse anti-raketore. Vetëm Shtetet e Bashkuara po krijojnë një sistem mbrojtës anti-raketor", tha Golts.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, këto ditë viziton forcat ajrore amerikane. Zyrtarët rusë, ndërkohë, ende nuk kanë reaguar publikisht në komentet e tij.

XS
SM
MD
LG