Ndërlidhjet

“Ban Ki-moon zemërgjerë ndaj Beogradit”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EPOKA E RE
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij në Gjilan, të martën, i ka vlerësuar si joserioze disa nga deklaratat e qeveritarëve të dhëna pas rastit në shtëpinë e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar se qeveria duhet t'u shmanget paragjykimeve. Haradinaj ka thëne se një qasje e këtillë nuk duket as për së afërmi me atë se si duhet të sillen qeveritarët seriozë. Ai ka thënë se një dhënie e konotacionit tjetër nga ai që është, ka dëmtuar imazhin e Kosovës në opinionin ndërkombëtar dhe po ashtu ka hapur mundësi për spekulime. Haradinaj ka thënë se, "...pasi organet e rendit kanë dhënë versionin e tyre, mendoj që institucionet e Kosovës dhe partitë politike duhet të thirren vetëm në këto vlerësime profesionale"...

EXPRESS
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, është treguar mjaft zemërhapur ndaj propozimeve të Qeverisë së Serbisë për ndarje funksionale mes serbëve dhe shqiptarëve. Kjo dëshmohet në letrën e Ban Ki-moonit për presidentin serb, Boris Tadiq, të cilën ky i fundit do ta marrë së shpejti. Sipas burimeve të Express, letra e Ban Ki-moon mbështetet në masë të madhe në propozimet e Beogradit. Këto propozime, ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiq, i ka dërguar në UNMIK, më 16 mars. Propozimi i Samarxhiqit përmban 6 pika. Po kaq pika, për të njëjtat çështje, i përmban edhe letra e shefit të OKB-së për presidentin e Serbisë. Në letrën e kreut të OKB-së thuhet se SHPK mund t'i raportojë policisë ndërkombëtare në zona të caktuara të banuara me shumicë serbe. Këtë e kërkojnë edhe pjesëtarë serbë të SHPK-së në pjesën veriore të Kosovës. Në pikën 3 të letrës së tij, Ban Ki-moon ofron mundësinë që në zona relevante me shumicë serbe të krijohen gjykata shtesë të qarkut dhe lokale, por nën ligjin e aplikueshëm të sistemit ligjor të UNMIK-ut. Sipas planit të Ahtisaarit, të cilin e ka pranuar edhe vetë Ban Ki-moon, në Kosovë do te duhej të vlejë vetëm sistemi ligjor që buron nga Kushtetuta e Kosovës...

ZËRI
Kryetari i Serbisë i ka sugjeruar Nju-Jorkut që Ban Ki-moon të mos iniciojë procesin e rikonfigurimit para se në Serbi të krijohet qeveria e re, e cila pastaj do të merrej me këtë çështje. Në të kundërtën, ai do ta refuzojë Propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Ban Ki-moon pritet që jo më larg se të enjten apo të premten e kësaj jave të bëjë publik vendimin e tij për inicimin e procesit të rikonfigurimit të UNMIK-ut dhe të riorganizimit të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, që nënkupton një përmbyllje graduale të Misionit të UNMIK-ut dhe forcim të Misionit të EULEX-it... Sipas burimeve diplomatike perëndimore, Boris Tadiq, kryetari i Serbisë, po mundohet edhe këto ditë, përmes kanaleve të tij diplomatike, ta ndërlikojë sa më shumë që është e mundur në zvarritjen dhe shtyrjen e këtij procesi, i cili njeh datën 15 qershor si ditë kufitare, sepse dihet që prej 15 qershorit pushteti në Kosovë do të duhej të funksiononte sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kështu, siç ka marrë vesh "Zëri", Tadiq edhe një here po mundohet ta shfrytëzojë situatën në skenën politike të Serbisë, si justifikim të shtyrjes së zhvillimeve që janë të domosdoshme në Kosovë...

INFOPRESS
Njëri nga udhëheqësit politikë të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i ka thënë BBC-së se përplasja e rrymave të ndryshme brenda vetë serbëve të Kosovës do të mund të çonte drejt një dhune ndëretnike. Ivanoviq ka thënë se përurimi i kuvendeve komunale serbe në territorin e Kosovës, ka për qëllim përforcimin e pozicioneve të partive të ashtuquajtura nacionaliste serbe dhe ngushtimin e hapësirës për marrëveshje mes UNMIK-ut dhe Qeverisë së Serbisë për problemet e serbëve të Kosovës. Shefi i UNMIK-ut, Joackim Ruecker, pritet që së shpejti të marrë vendimin për zgjatjen e mandateve të parlamenteve lokale në vendbanimet me shumicë serbe, për të dytën herë pas zgjedhjeve të Kosovës në nëntor të vitit të kaluar. Serbët e Kosovës kanë filluar themelimin e kuvendeve komunale në veri dhe në disa vendbanime të tjera të Kosovës, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve serbe të 11 Majit...

KOHA DITORE
Letra aq e përfolur e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, për presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe atë të Serbisë, Boris Tadiq, me të cilën do të sqarojë pozicionin e tij lidhur me vazhdimin e një lloj të pranisë së OKB-së në Kosovë, ka qenë e gatshme që nga java e kaluar, por është pritur për shkak të presionit të vazhdueshëm të Rusisë. Këtë ia kanë thënë "Kohës Ditore" disa burime diplomatike, duke nënvizuar se Ban Ki-moon e ka të qartë se çfarë do të sugjerojë, por ka pasur përpjekje nga disa palë që të ndikojnë në përmbajtjen e rekomandimeve të tij... Diplomatët, që kanë pasur rast ta shohin letrën e Ban Ki-moonit dhe dokumentin për rikonfigurimin e pranisë së OKB-së në Kosovë, thonë se Sekretari i Përgjithshëm do të sugjerojë një prani simbolike të OKB-së në Kosovë, por, në anën tjetër, do të japë "një lloj bekimi" për misionet e Bashkimit Evropian në Kosovë. Kjo ndoshta nuk do të mund të kënaqë Serbinë dhe Rusinë, por do të mund të qetësonte raportet brenda BE-së mes shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe atyre që nuk e kane bërë këtë apo që janë kundër kësaj pavarësie...

KOSOVA SOT
Jakup Krasniqi, kryeparlamentari i Kosovës, tha se nuk do të ishte mirë që për simbolet e shtetit të ketë çfarëdo votimi të fshehtë. Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e djeshme, e ka aprovuar kërkesën e bërë nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe nga kryeministri Hashim Thaçi, që Kuvendi i Kosovës të mblidhet sot në seancë të veçantë për ta votuar formalisht himnin shtetëror të Republikës së Kosovës, shtetit më të ri në botë. Kryetari i Kuvendit të Republikës, Jakup Krasniqi, bëri të ditur se dje kryesia është dakorduar që ta caktojë agjendën kuvendore për tri seanca të njëpasnjëshme. Seanca e rregullt do të mbahet më 19 qershor, kurse nesër do të mbahet seanca për përzgjedhjen e himnit, e cila mbahet me kërkesë të presidentit dhe kryeministrit. Nga burime brenda Kuvendit mësohet se pas transmetimit të propozimit të vetëm të himnit të Kosovës në këtë seancë, votimi do të jetë vetëm votim formal me aklamacion, sepse paraprakisht të gjitha grupet parlamentare janë përcaktuar për propozimin e kompozitorit Mendi Mengjiqit, që është një melodi pa tekst që titullohet "Evropa”...

BOTA SOT
Prania ndërkombëtare ushtarake pas datës 15 qershor, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, edhe për një periudhë të gjatë kohore do të jetë komponentë kryesore në sigurinë e brendshme të shtetit të Kosovës, pasi që nuk do të mund të implementohet Kushtetuta në pikat e saj esenciale, kur ajo shkelet me krijimin e "institucioneve paralele serbe". Sa kohë do të presë themelimi i FSK-së dha ai i sigurisë ajrore të Republikës, që me automatizëm kushtetues janë kompetenca të vendosura juridike dhe ekzekutive, por që nuk po mund të funksionalizohen. Në nenin 153, sipas Planit të Ahtisaarit, prania ndërkombëtare ushtarake nën komandën e KFOR-it është përgjegjëse për të siguruar ambient të qetë dhe të sigurt në tërë territorin e vendit. "Kjo prani ka kompetenca mbikëqyrëse dhe ekzekutive për formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Prania ndërkombëtare ka të drejtë të vendosë edhe sigurinë ajrore të Republikës së Kosovës, ndërsa autoriteti civil i aviacionit i Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë plotësisht me Praninë Ndërkombëtare Ushtarake"...

LAJM
Sulmi që ndodhi të premten e kaluar, nuk ishte drejtuar vetëm kundër shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Të njëjtën ditë, policia ka marrë informacione se edhe shtëpitë e dy vëllezërve të kryeministrit, njëra në lagjen Mat, tjetra në Bregun e Diellit, kanë qenë në shënjestër të sulmuesve. Njëri nga vëllezërit e Thaçit është plagosur, por gjendja e tij shëndetësore nuk është në rrezik për jetën. Burime te "Lajmit" brenda policisë bëjnë të ditur se vëllai i Thaçit është plagosur në këmbë, por ato burime nuk sqarojnë se si ka ndodhur kjo plagosje. SHPK-ja është e shtrënguar të mos japë informacione tjera lidhur me rastin e sulmit ndaj familjes së Thaçit, derisa hetimet t'i nxjerrin rezultatet konkrete. "Unë nuk mund të them diçka tjetër për raportime tjera. Ne jemi duke e hetuar çdo gjë që lidhet me Thaçin dhe me informatat që dërgojnë te familja e Thaçit. Nëse ka informata të tjera lidhur me këtë rast, është komplet punë e hetuesisë", tha Veton Elshani, zëdhënës i SHPK-së...


XS
SM
MD
LG