Ndërlidhjet

NYT: “Fundi i intervenimit”



“New York Times”
Shkruan: Madeleine Albright


Qeveria birmaneze është përgjigjur me një injorim kriminal ndaj ciklonit të muajit të kaluar dhe përgjigja e botës ndaj këtij veprimi ilustron tri realitete të hidhura sot; faktin se regjimet totalitare janë shëndosh e mirë; se fqinjët e tyre ngurojnë të bëjnë presion mbi to dhe se nocioni se sovraniteti është i paprekshëm po zë gjithnjë e më shumë rrënjë, kryesisht në saje të rezultateve shkatërrimtare të invazionit amerikan në Irak.

Shumë nga ndërhyrjet e domosdoshme të botës në dhjetëvjetëshin që i ka paraprirë invazionit – në vendet siç është Haiti dhe Ballkani – do të ishin të pamundshme në klimën e sotme.

Realiteti i parë është mbijetesa e dukshme e qeverive totalitare në një epokë komunikimesh globale dhe përparimesh demokratike. Realiteti i dytë është mungesa e gatishmërisë së vendeve fqinje të Birmanisë që të shfrytëzojnë ndikimin e tyre kolektiv në të mirë të ndryshimeve. Dhe, realiteti i tretë pra ka të bëjë me rrënjët e konceptit mbi sovranitetin shtetëror si parim i pathyeshëm i së drejtës globale.

Shumë diplomatë dhe ekspertë të politikës së jashtme kanë shpresuar se rënia e Murit të Berlinit do të nxitë krijimin e një bote të integruar dhe të çliruar nga çdo sferë e ndikimit, në të cilën plagët e krijuara nga perandoritë koloniale dhe ato të Luftës së Ftohtë do të shëroheshin.

Në një botë të këtillë, komuniteti ndërkombëtar do ta pranonte përgjegjësinë për të tejkaluar sovranitetin në situata emergjente – për të parandaluar spastrimin etnik apo gjenocidin, për të arrestuar kriminelë lufte, për të rivendosur demokracinë apo për të ofruar ndihmë nga shkatërrimet, nëse qeveritë nuk janë të afta apo të gatshme për ta bërë një gjë të këtillë.

Në këtë kuadër, gjatë viteve të ’90-ta, u krijuan disa precedentë. Administrata e George Bushit të vjetër ka intervenuar për të parandaluar krizën e ushqimit në Somali dhe për t'i ndihmuar kurdët në Irakun verior; administrata e Clintonit e ka rikthyer në pushtet udhëheqësin e zgjedhur në Haiti; NATO-ja i dha fund luftës në Bosnjë dhe ndaloi fushatën e terrorit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë; britanikët i dhanë fund luftës civile në Sierra Leone dhe Kombet e Bashkuara autorizuan misione për shpëtimin e jetëve në Timorin Lindor dhe gjetkë.

Këto veprime nuk kanë qenë hapa drejt krijimit të një qeverie botërore. Ato kanë pasqyruar pikëpamjen se sistemi ndërkombëtar ekziston për të avancuar disa vlera thelbësore, siç është zhvillimi, drejtësia dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Në këtë drejtim, sovraniteti është ende në qendër të vëmendjes, por në disa raste ngritet edhe përgjegjësia për të intervenuar – qoftë me sanksione apo edhe me forcë – për të shpëtuar jetët e njerëzve.

XS
SM
MD
LG