Ndërlidhjet

Anderson: S’janë reale pritjet në marrjen e përgjegjësive


Alex Anderson
Alex Anderson

“Nuk presim marrje të përgjegjësive mbi të gjitha institucionet nga Qeveria e Kosovës, pas 15 qershorit. Kjo nuk është reale të pritet", thotë shefi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën, Alex Anderson.




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Anderson, kanë mbetur vetëm 4 ditë deri më 15 qershor. Si e shihni situatën pas kësaj date, meqë ka dyshime se institucionet e Kosovës do të shtrijnë autoritetin në tërë territorin e Kosovës?

ALEX ANDERSON
Shpresoj se dita pas 15 qershorit do të jetë e qetë, se nuk do të ketë dramë. Nuk është reale të pritet një shtrirje e papritur e autoritetit të qeverisë në të gjitha fushat e qeverisjes në tërë Kosovën.

Edhe presidenti, edhe kryeministri, janë pajtuar që presin një bashkëjetesë mes UNMIK-ut dhe EULEX-it, në ditët e ardhshme, kështu që nuk pres që ata t’i zgjerojnë kompetencat në fushën e sigurisë dhe të sundimit të ligjit në një periudhë të shkurtër kohore, por për këtë do të duhen ndoshta vite.

Ndërkaq, mbetet edhe pjesa veriore e kontrolluar nga serbët, e cila pjesë nuk do t’iu bindet lehtë autoriteteve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se nuk prisni dramë pas 15 qershorit. Në çfarë aspekti mendoni dramë?

ALEX ANDERSON
Nuk presim marrje të përgjegjësive mbi të gjitha institucionet nga Qeveria e Kosovës. Kjo nuk është reale të pritet dhe kjo nuk do të ndodhë.

Ne do të shohim lëvizje për të marrë disa kompetenca, për shembull në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, e cila mund të zëvendësohet me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ndërkohë që kemi parë Zyrën Civile Ndërkombëtare, që ka shpallur konkurs për poste në bordin e këtij trupi të ri, dhe shohim se UNMIK-u nuk ka një vullnet t’i rezistojë kësaj lëvizjeje të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur zëra që kanë thënë se kombinimi i misionit të OKB-së dhe Bashkimit Evropian mund të shkaktojë krizë, veçanërisht nëse veprohet në baza etnike. Çka mendoni ju për këtë?

ALEX ANDERSON
Me sa kam kuptuar, ideja e mëhershme që të ketë një ndarje në baza territoriale për misionet, është lënë mënjanë, por në praktikë do të ketë shumë vështirësi që të shtrihet EULEX-i në tërë territorin e Kosovës.

Pritjet janë që EULEX do të mundohet të rrisë gradualisht praninë në veri, dhe këtë ndoshta do të duhej ta bëjë nën flamurin e OKB-së në atë zonë edhe për një periudhë kohore. Por, nuk dihet nëse EULEX-i do të pranohet në veri, madje edhe nën flamurin e OKB-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë po flisni për veriun, serbët në atë pjesë po formojnë struktura të reja paralele, sikurse edhe në enklavat serbe. Ku mendoni se do të çojnë këto veprime?

ALEX ANDERSON
Ne jemi duke parë krijimin e të ashtuquajturave kuvende komunale, që kanë dalë nga zgjedhjet serbe të 11 majit, krijimi i të cilave po synohet të bëhet para 15 qershorit. Po ashtu, po shohim përpjekjet për të formuar parlamentin e përkohshëm serb.

Por, kjo lëvizje nuk ka përkrahje unike në spektrin politik serb. Është një lëvizje që është propaganduar nga Këshilli Nacional Serb, me seli në Mitrovicë, veçanërisht është një ide e Marko Jakshiqit.

Duket se ka përpjekje që të shtyhet përpara kjo ide dhe ka marrë një shkallë të përkrahjes nga Partia Demokratike e Serbisë, përkatësisht nga ministri për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, i cili në bazë politike është shumë i afërt me Jakshiqin.

Por, ne po shohim një pozicion hezitues dhe të matur të Partisë Demokratike dhe G17-ës, që pohojnë se nuk mund të merret një iniciativë e tillë, kur Serbia s’ka ende qeveri. Ide të tilla do të duhej të vinin pasi që qeveria e re të formohet.

Në një shkallë të caktuar, Partia Demokratike e Serbisë dhe Këshilli Nacional Serb po përpiqen që ta formojnë këtë trup para formimit të cilësdo qeveri në Beograd, në mënyrë që kur të formohet, ta prezantojë këtë trup si një akt të kryer.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, si e shihni procesin e njohjes së shtetit të Kosovës? A mendoni se ka stagnim dhe çfarë duhet të bëjnë kosovarët që ta përmirësojnë këtë proces?

ALEX ANDERSON
Nëse krahasohen përvojat në shtetet tjera, ta zëmë Sllovenia kur ka shpallur pavarësinë, me siguri se do të ishte e kënaqur po të kishte njohje të tillë në një periudhë të shkurtër, siç ka Kosova.

Nuk mendoj se duhet të jeni të dëshpëruar me këtë nivel njohjeje. Por, sidoqoftë, Kosova mund dhe duhet të ketë një strategji të qartë lobuese, të përdorë të gjitha burimet dhe miqtë e Kosovës, që janë të gatshëm të kontribuojnë.

Nuk mendoj se ka pasur përpjekje të duhura deri tash. Kjo nuk do të thotë se lobimi nga vetë kosovarët duhet të ndryshohet në mënyrë dramatike. Por, sidoqoftë, Kosova duhet ta bëjë të qartë, ta tregojë fytyrën e vet, sepse kjo është e domosdoshme, në mënyrë që të shtyhet përpara identiteti kosovar në botë.
XS
SM
MD
LG