Ndërlidhjet

Miratohet himni shtetëror i Kosovës


Deputetët e Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot me shumicë votash himnin shtetëror të Kosovës. Himni i Kosovës është një melodi pa tekst e kompozitorit kosovar, Mendi Menxhiqi.



Kuvendi i Kosovës miratoi sot himnin shtetëror, duke rrumbullakuar kështu përzgjedhjen dhe miratimin e simboleve shtetërore të Kosovës. Kompozimi i patekst me shifrën “Evropa”, i kompozitorit kosovar, Mendi Menxhiqi, ishte i vetmi nga 134 kompozimet konkurruese, që doli para Kuvendit dhe u miratua me shumicë votash.

Himni i miratuar mori 72 vota për, 15 kundër dhe 5 abstenime. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se Kosova po krijon bazën e vet të plotë të funksionimit shtetëror, jo vetëm me simbolet që e identifikojnë atë si shtet, por edhe me miratimin dhe fuqizimin e Kushtetutës së saj dhe ligjet që dalin nga pakoja e Ahtisaarit.

“Me miratimin e himnit po i rrumbullakojmë simbolet e Republikës së Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran. Ndërsa, me rrumbullakimin edhe të ligjeve që dalin nga pakoja e Ahtisaarit, ne po përgatitemi që pas 15 qershorit t’i marrin të gjitha përgjegjësitë që i
kemi me Kushtetutën e re të Republikës së Kosovës”,
tha Krasniqi.

Pas seancës, presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova shumë shpejt po hyn në një proces të rëndësishëm të zhvillimeve, duke pasur parasysh hyrjen në fuqi edhe të Kushtetutës më datën 15 qershor.

“Për ne është shumë me rëndësi që të hyjmë në periudhën e re të zhvillimeve, kur Kosova do të ketë në fuqi edhe Kushtetutën e saj më 15 qershor, dhe natyrshëm të ketë përgjegjësitë e institucioneve të veta, dëshminë para qytetarëve të Kosovës, por edhe bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare”, tha Sejdiu.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi tha se me miratimin e himnit, Kosova po përmbyll agjendën e shtet-formimit.

“Për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara të sigurt, që të jetë edhe pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian sa më shpejt që është e mundur. Kosova vepron në mënyrë unike, si politikë, si institucione dhe natyrisht me mbështetje të qytetarëve”, tha Thaçi.

Por, jo të gjithë deputetët e kanë mbështetur miratimin e himnit, duke kritikuar sidomos procedurat e aplikuara të përzgjedhjes. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Naser Rugova, tha se miratimi i himnit do të duhej përcjellë me një debat më të gjerë dhe më serioz para se të merret vendimi.

“Unë jam një nga 15 deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që votova kundër këtij himni. Të shohim tash se si do ta pranojë qytetari, popullata e Kosovës këtë himn. Çdo normë demokratike që hyn në votim, parasheh dy dhe më shumë propozime dhe alternativa. Por, praktika e procedimeve të vendimeve të mëdha kësisoj në Kuvend para aktit të kryer, tregon krizën institucionale të institucioneve qendrore të Kosovës”, u shpreh Rugova.

Flamuri, stema dhe himni i Kosovës, sipas konkursit të shpallur që bazohej në kriteret e pakos së Ahtisaarit dhe sipas përzgjedhjes, janë simbole shtetërore dhe nuk kanë të bëjnë me simbolet kombëtare të shumicës në Kosovë.

Kuvendi dhe institucionet tjera të Kosovës qenë pajtuar që simbolet e Kosovës të mos jenë një-etnike, por më shumë të përmbajnë karakterin e simboleve që tregojnë orientimin e Kosovës si shtet pro-integrimeve euroatlantike.
XS
SM
MD
LG