Ndërlidhjet

logo-print

15 qershor: Kushtetuta dhe parlamenti paralel serb


Qyteti i Mitrovicës

Qyteti i Mitrovicës

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës paralajmërojnë formimin e parlamentit paralel serb në veri të Mitrovicës, si kundërpërgjigje ndaj Kushtetutës së Kosovës, pikërisht më 15 qershor, kur edhe pritet të hyjë në fuqi kjo kushtetutë.



Kanë mbetur edhe katër ditë deri kur pritet të hyjë në fuqi Kushtetua e Kosovës, e cila është miratuar më 9 prill. Por, nga ana tjetër, serbët në veri të Kosovës kanë paralajmëruar se po më 15 qershor do të formojnë parlamentin e tyre, ashtu siç i kanë ngritur organet e tyre të pushtetit lokal, fillimisht në Mitrovicë, e më pas edhe në komunat tjera të banuara me serbë.

Marko Jakshiq, kryetar i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, ka thënë se formimi i kuvendit të përkohshëm serb në Kosovë është një përgjigje politike kundër hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.

“Në territorin e Republikës së Serbisë nuk mund të hyjë në fuqi një kushtetutë tjetër nga kjo që është tani. Për këtë arsye, ne, serbët, do të angazhohemi në bazë të rezultateve të zgjedhjeve në nivelin lokal, që përfaqësuesit e serbëve, diku rreth 45 deputetë, t’i përfaqësojnë të gjithë serbët e Kosovës nga Rahoveci, Brezovica, Mitrovica”.

“Duke u nisur nga ajo që një numër i madh i serbëve ka marrë pjesë në zgjedhjet lokale, pra është një trup zgjedhor i kompletuar, që do t’i ketë përfaqësuesit e vet në Kuvend”, tha Jakshiq.

Jakshiq ka shtuar se prioritet në punën e Parlamentit serb të Kosovës do të jetë ruajtja e interesave të komunitetit serb që jeton në Kosovë.
“Të jetë një zë i përbashkët në interes të të gjithë serbëve të Kosovës dhe do të përgjigjemi politikisht ndaj tentimit të formimit të edhe një shteti shqiptar në Ballkan”,
tha Jakshiq.

Por, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, formimin e një parlamenti serb në veri të Kosovës më 15 qershor, ashtu siç kanë paralajmëruar serbët, e shohin si një provokim tjetër nga Qeveria e Serbisë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, thotë se formimi i një institucioni të tillë, nuk do të ketë kurrfarë efekti.

“Kjo do të jetë nëse do të ndodhë një manifestim direkt i manipulimeve që vijnë nga Beogradi zyrtar me serbët e Kosovës, për të dëshmuar papajtueshmërinë e tyre me realitetin e ri të krijuar në Kosovë. Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht”, tha Manaj.

Nga ana tjetër, Goran Bogdanoviq, kryetar i Partisë Demokratike serbe në Kosovë, thotë se anëtaret e kuvendeve komunale serbe të sapoformuara kanë biseduar me ministrin serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, për këtë çështje, por, sipas tij, do të priten vendimet e Qeverisë serbe për formimin e parlamentit në Mitrovicë.

“Partia e Demokratike është duke pritur formimin e qeverisë së re dhe më pas qeveria të marrë një vendim rreth kësaj. Ne do ta respektojmë vendimin e Qeverisë së Serbisë, si dhe të Kuvendit, i cili do të japë udhëzime në bazë ligjore që ai kuvend të formohet”, tha Bogdanoviq.

Sipas Marko Jakshiq, kryetar i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, parlamenti i ri, i cili pritet të formohet, do t’i ketë 45 deputetë, prej të cilëve 43 do të zgjidhen nga radhët e niveleve komunale. Ndërsa, sipas tij, dy vende të tjera do të jenë të rezervuara për boshnjakët dhe romët.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG