Ndërlidhjet

logo-print

Braktisja e shkollës – brengë për institucionet



Vijueshmëria e shkollimit në Kosovë ka shënuar përmirësim pas vitit 1999, por, megjithatë, shkalla e tanishme e braktisjes së shkollimit të obligueshëm vazhdon të jetë brengë për institucionet dhe shoqërinë kosovare.

Kështu është thënë sot në një debat të organizuar nga Qendra për Arsim e Kosovës në bashkëpunim me Sindikatën e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji. Ali Shabani, kryetar i kësaj sindikate, pohon se mbi 20 për qind është braktisja e shkollës nga nxënësit në Kosovë.

“Fatkeqësisht, shifrat janë dyshifrore. Përmendet se 20 për qind e nxënësve e braktisin shkollën. Ata treten duke bërë punë të zezë, në pamundësi që të vijojnë shkollën, ose nuk shohin ndonjë perspektivë të tyre për mbarimin e shkollës dhe punësimin eventual të tyre”,
thotë Shabani.

Shkaqet e braktisjes janë të shumta dhe të ndërlidhura mes vete, thotë Jehona Shala, nga Qendra për Arsim e Kosovës. Ajo thotë se situata e rëndë ekonomike i ka detyruar shumë prindër që t’ua ndërpresin mësimin fëmijëve të tyre.

“Merret situata ekonomike - në anën tjetër, nuk shihet ndonjë perspektivë pse të vazhdohet. Ka edhe arsye të mentalitetit tradicional; femrat e braktisin shkollën në vise rurale më shumë se meshkujt”, thekson Shala.

Braktisja e shkollës paraqet një dukuri që pengon zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë, thotë Ali Shabani. Ai thotë se në shtrirje më afatgjate, braktisja e shkollimit ndikon në margjinalizimin e individëve dhe të grupeve shoqërore dhe, siç thotë ai, në shfaqjen dhe shtimin e dukurive negative në shoqëri.

“Shkolla hap perspektivën për punësim, hap perspektivën për një shoqëri më stabile, hap perspektivën që të zhduket kriminaliteti, sepse, pikërisht ata fëmijë që vërtiten rrugëve, një ditë mund të jenë edhe njerëz të inkriminuar, edhe njerëz që merren me narkotikë, edhe njerëz që merren me trafikim të qenieve njerëzore”,
shprehet Shabani.

Për këtë arsye, ai thotë se Ministria e Arsimit duhet të përgatisë programe alternative, të cilat mundësojnë zbutjen e kësaj dukurie.

“Ka alternativa të shumta; duhet të jenë ekipe të veçanta për t’i joshur, për t’i tërhequr dhe bindur që t’i kthehen bankave shkollore. Qëllimi është që ata të marrin njohuri, arsimim dhe edukim të vazhdueshëm, me qëllim që të shmangen problemet që mund të rrjedhin nga këta fëmijë”, thotë Shabani.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me shqetësim të madh po e përcjell fenomenin e braktisjes së shkollës, thotë Merita Jonuzi, nga kjo ministri. Ajo pohon se Ministria e Arsimit vazhdimisht ka punuar në hartimin e politikave për parandalimin e braktisjes së shkollës.

“Krejt çka na duhet neve, si institucione arsimore, si shoqëri kosovare, për të përmirësuar dhe për të realizuar gjithë përfshirjen e nxënësve në shkolla, është që të krijohen kushte të favorshme të punës në shkolla. Kemi bërë fushata, kemi hartuar dhe shpërndarë dokumente, por prapë e kemi problemin evident, mirëpo jo në atë shkallë siç e paraqesin organizatat joqeveritare”, thotë Jonuzi.

Megjithatë, sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, vetëm gjatë vitit 2007- 2008, rreth 10 mijë nxënës kanë braktisur bankat shkollore, ende pa përfunduar viti shkollor.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG