Ndërlidhjet

“Sot arrin plani i OKB-së”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

INFOPRESS
Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, i cili po kryeson delegacionin e Republikës së Kosovës në Sesionin e 97- të Konferencës Ndërkombëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP) në Gjenevë të Zvicrës, në emër të delegacionit nga Kosova është paraqitur para të pranishmëve me një fjalim rasti, kurse delegacioni që ai drejton, ka zhvilluar një takim pune me përfaqësuesit e Zvicrës në ONP. Gjatë këtij takimi janë diskutuar çështja e edukimit, gjegjësisht punësimi stinor i punëkërkuesve nga Kosova në Zvicër, problemet globale në tregun e punës, politikat e migracionit ku janë cekur edhe lëvizja e lirë e qytetarëve nga Republika e Kosovës për në shtetet e Bashkimit Evropian. Temë e veçantë bisede ka qenë edhe çështja e projekteve të Zvicrës që janë realizuar dhe pritet të realizohen në Kosovë, në koordinim të përbashkët me Bankën Botërore...

EXPRESS
Letra e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, drejtuar presidentit Fatmir Sejdiu arrin të enjten në Prishtinë, kanë thënë burime të Expressit. Po ashtu, gjatë ditës së sotme një letër nga Ban Ki-Moon do të duhej të shkojë edhe në adresë të presidentit serb, Boris Tadiq. Kreu i OKB-së i njofton që të dy për planin e tij për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe raportin e këtij misioni me EULEX-in.
Në letrën për Tadiqin, Sekretari i Përgjithshëm përcjell edhe ofertën për Qeverinë serbe që bashkë me shefin e UNMIK-ut të zbatojnë një marrëveshje që përfshin 6 fusha: policinë, gjyqësinë, doganat, kufijtë, transportin dhe trashëgiminë fetare e kulturore serbe. Po ashtu, Ban Ki-Moon do të njoftojë edhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit për ndryshimet në Misionin e OKB-së, për shkak të rrethanave të reja në Kosovë, shpalljen e pavarësisë dhe hyrjen në fuqi të Kushtetutës më 15 qershor. Ambasadorët e Këshillit e Sigurimit do të shqyrtojnë planin e Ban Ki-Moonit në një seancë me dyer të mbyllura, që pritet të mbahet në fillim të javës së ardhshme...

LAJM
Sado që zyrtarët e OKB-së ende e mbajnë "sekret", burimet e huaja diplomatike pohojnë se Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-Moon, ka marrë në konsideratë edhe elemente të planit gjashtë-pikësh të ministrit serb, Slobodan Samarxhiq, për ndarjen funksionale të Kosovës apo siç interpretohet nga analistët, një "ndarje e butë". Sipas disa copëzave të planit, të publikuara në media, Ban ka paraparë që në disa zona të banuara me serbë të krijohen gjykata të qarkut dhe komunale, të cilat do të funksionojnë nën ligjin e aplikueshëm të UNMIK-ut, që SHPK-ja t'i raportojë policisë ndërkombëtare në zona të caktuara të banuara me shumice serbe, që KFOR-i dhe policia ndërkombëtare, nën autoritetin e PSSP-së, t'i monitorojnë kufijtë e Kosovës dhe pikëkalimet kufitare. "Letra është pasojë e logjikshme e politikës të palogjikshme të politikës vendore, e cila jo vetëm që po e zhvesh kombin shqiptar, por edhe po e tjetërson konform kërkesave serbe që po vijnë si ultimatum i bashkësisë ndërkombëtare. Procesi i ndërtimit të shtetit po devijon nga rruga, me faktin se gati asgjë nuk është në duart e politikanëve tanë", tha për "Lajm", politologu Belul Beqaj...

ZËRI
UNMIK-u do ta reduktojë stafin e vet në Kosovë për 70 për qind pas 15 qershorit, kanë bërë të ditur zyrtarë të misionit që administron Kosovën që nga viti 1999 dhe që do të kalojë nëpër një proces rikonfigurimi pasi të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Kërkesa e UNMIK-ut për buxhetin e vet vjetor tashmë është në fazën finale të aprovimit në Nju-Jork dhe, sipas zyrtarëve të UNMIK-ut, ky buxhet deri në qershorin e vitit të ardhshëm do të jetë vetëm 10 për qind më i vogël se buxheti i vitit fiskal që po përfundon. "Nuk mund të flas për shifra, por ajo që mund të them, sipas propozimit të buxhetit i miratuar nga Këshilli, UNMIK-ut i lejohet të mbajë 30 për qind të vendeve të punës", ka thënë dje zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksender Ivanko, në konferencën e rregullt për shtyp. Hollësitë rreth koordinimit ndërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it në periudhën pas 15 qershorit në Kosovë do të bëhen të qarta këtyre ditëve kur në Prishtinë të vijnë udhëzimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun, për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe praninë e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë...

KOHA DITORE
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë të mërkurën se Kombet e Bashkuara duhet të largohen deri në fillim të vjeshtës, ashtu që autoritetet vendore të mund të qeverisin vetëm, raporton agjencia e lajmeve Associated Press. "Kombet e Bashkuara nuk duhet dhe nuk do të mbeten në rolin që kanë tani", ka thënë presidenti Sejdiu në një intervistë për AP-në. "Ajo periudhë është tejkaluar". Misioni i OKB-së do të mund të qëndrojë në Kosovë edhe pasi që Kushtetuta të hyjë në fuqi, të dielën, por ajo më nuk do ta ketë fjalën përfundimtare rreth çështjeve të Kosovës, citohet të ketë thënë Sejdiu. Ai po ashtu ka thënë se çdo prezencë e OKB-së duhet të jetë e kufizuar me kohë dhe se UNMIK-u duhet të largohet "deri në vjeshtën e hershme" të këtij viti.
OKB-ja ishte paraparë t'i jepte fund misionit të vet në Kosovë me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së shtetit të Kosovës, por UNMIK-u do të mbetet në vend pasi që Rusia me veton e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e bllokoi dorëzimin e misionit prej OKB-së në Bashkimin Evropian, thotë AP...

BOTA SOT
Konform indiferencës së estabilishmentit politik kosovar (joserb) që dekorohet me stanjollin e shkëlqyeshëm të besimit në "bashkësinë ndërkombëtare", ashtu po "sillet" edhe opinioni qytetar, kurse analistët, në komentet e tyre flakshëm llogarisin rezultatet prejudikuese situatash të pritshme, duke pasur frikë mos po "rrëshqasin" në terrenin e atyre që i shtinë fillat e destabilizimit me fjalë goje e me shkrim gazete. Opinioni i qytetarëve tash është ky "çka të bëjmë. Nuk do të ndryshojë asgjë'"! Dhe, në këto deklarata nuk shihet as revolta, po që është edhe me keq, as indiferenca. Shihet pamundësia, mosbesimi. Dhe kështu u lëshojmë vend nëpër masmedia "shtosave serbë" të zanatit për "gënjeshtër" politike, të cilën e konfirmoi si instrument akademiku i tyre D.Qosiqi. Tash përsëri "evropisti" Tadiq "kërcënon" BE-në që të mos ngutet gjë me Ban Ki Munin, pa u konstituuar "Qeveria" serbe (e zgjedhjeve të fundit atje). Që është edhe më qesharake për analistët profesionistë, Tadiqi refuzon "letrën" e Ban Ki Munit, ende pa e hapur zarfin e saj. Harron se janë bërë publike "konverzacionet telefonike" të tij në koordinatat Nju-Jork-Bruksel-Beograd. Kështu i ka mbetur Tadiqit të bëjë një përpjekje për manipulimin e opinionit shqiptar, se kinse "konfiguracioni" i recetës së Lavrovit nuk u konvenon serbëve, që, sipas tij, dëshiron të na bindë se u konvenon shqiptarëve...

EPOKA E RE

Në takimin e Këshillit NATO-Rusi në nivel të ministrave të mbrojtjes do të shqyrtohen temat e mbrojtjes kundër-raketë, marrëveshja mbi armët konvencionale në Evropë, gjendja në Gruzi dhe në Ballkanin Perëndimor, ka njoftuar të mërkurën agjencia "Itar-Tas" nga selia e Aleancës Veri-atlantike. Duke përcjellë deklaratën e përfaqësuesit anonim të udhëheqjes së NATO-s, agjencia shtetërore ruse ka theksuar se Aleanca "pret diskutim të hapur dhe të ndershëm mbi të gjitha problemet ekzistuese" dhe se me ministrin rus të Mbrojtjes, Anatoli Serxhukov, do t'i shqyrtojnë çështjet e bashkëpunimit praktik ndërmjet Aleancës dhe Rusisë. Takimi i Këshillit NATO-Rusi do të mbahet në Bruksel në kuadër të takimit veror të ministrave të Mbrojtjes të 26 vendeve anëtare të Aleancës, më 12 dhe 13 qershor. Agjencia ruse ka theksuar, po ashtu, se tema kryesore e takimit të ministrave të mbrojtjes do të jetë operimi i NATO-s në Kosovë dhe Afganistan...
XS
SM
MD
LG