Ndërlidhjet

logo-print

IHT: “Nyja në Kosovë rrezikon stabilitetin e Ballkanit”



"International Herald Tribune"

Kurdo që Bashkimi Evropian ka dërguar forca policore apo paqeruajtëse në vende të krizës kudo në botë, Rusia kurrë nuk ka kundërshtuar. Madje, gjithmonë ka synuar një Evropë të fuqishme, e cila do të shërbente si kundërpeshë përballë Shteteve të Bashkuara dhe si mjet që do të dobësonte aleancën transatlantike.

Në Kosovë, Rusia, megjithatë, ka ndryshuar letrat e lojës përballë Bashkimit Evropian. Problemi qëndron në faktin se Rusia nuk do të pranojë ndryshimin e rolit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë për t'i hapur rrugë misionit evropian.

"Thënë më së buti, Rusia nuk ka ndihmuar aspak", thotë Jaap de Hoop Scheffer, sekretari i përgjithshëm i NATO-s. "Në të gjitha diskutimet e mia me rusët, ata e kanë pranuar faktin se Kosova është një rast sui-generis, por tani kanë ndryshuar qëndrimin, duke thënë jo, jo dhe jo, jemi duke krijuar precedentë të shumtë", thotë zoti Scheffer.

NATO-ja druan se nëse kjo çështje nuk zgjidhet shpejt, situata aktuale mund të nxisë jostabilitet në shtetin, i cili ende nuk është njohur nga të gjitha vendet anëtare të bllokut evropian dhe të NATO-s dhe pavarësia e të cilit kundërshtohet ashpër nga Serbia dhe Rusia.

Beogradi dhe autoritetet lokale serbe në veri të Mitrovicës e kanë bërë të qartë se zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk do të lejohen të funksionojnë atje. Kjo do të thotë se forcat evropiane të sigurisë nuk do të jenë në gjendje të intervenojnë në rast të trazirave midis serbëve dhe shqiptarëve. NATO-ja, ndërkaq, thotë se nuk dëshiron të luajë rolin e policit.

"NATO-ja nuk duhet dhe nuk mund të luajë policinë në Kosovë", thotë zoti Scheffer. "Është shumë e rëndësishme që nën çfarëdo rrethane të ketë polici të mjaftueshme dhe kjo vlen për gjithë Kosovën".

Rusia, e pakënaqur me disa vende evropiane dhe Shtetet e Bashkuara që e kanë njohur pavarësinë, është duke bllokuar aranzhimet në këtë drejtim. Analistët thonë se kundërshtimet e Rusisë në fakt janë të bazuara në qëndrimin e paqartë që Kremlini ka mbi një Bashkim Evropian më të fuqishëm.

Sabine Fischer, eksperte mbi Rusinë, thotë se Moska dëshiron një bllok më të fuqishëm evropian për ta vënë në baraspeshë me Shtetet e Bashkuara, por ajo nuk është e gatshme që të ketë një Evropë më të fuqishme, në të cilën Moska nuk do të ketë të drejtën e vetos mbi veprimet e bllokut.

Analisti i politikës së jashtme, Nikolay Petrov, ka thënë se "Rusia dëshiron të ketë fuqi mbi misionin evropian në Kosovë, por ajo nuk vendos për NATO-n dhe Bashkimin Evropian, prandaj insiston që roli evropian në Kosovë të jetë në kuadër të mandatit të Kombeve të Bashkuara".

Fakti më shqetësues është se i gjithë ky konflikt i pazgjidhur midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian mund të nxisë edhe më shumë jostabilitet në Ballkan. Është ky një rajon ku keqkuptimet më të buta ose provokimet mund të përshkallëzojnë në dhunë. A është vërtet ky synimi i Rusisë?
XS
SM
MD
LG