Ndërlidhjet

logo-print

Arrin plani i Ban Ki Moon-it për UNMIK-un


Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon

Ka arritur në Prishtinë letra e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, mbi rikonfigurimin e UNMIK-ut. Liderët kosovarë konfirmojnë marrjen e letrës, por ende nuk e kanë komentuar atë.



Letra e shumëpritur e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, tashmë i është dorëzuar presidentit Fatmir Sejdiu.

“Mund të konfirmoj se kemi marrë letrën në orën 8 të këtij mëngjesi nga selia qendrore në Nju Jork për presidentin Sejdiu. Pra, është një letër për presidentin Sejdiu dhe një kopje e letrës për presidentin serb Boris Tadiq, e cila do t’i dorëzohet atij nga zyra e OKB-së në Beograd”, pohoi zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.

Liderët kosovarë nuk kanë komentuar përmbajtjen e letrës. Presidenti Fatmir Sejdiu ka konfirmuar se e ka marrë letrën, për të cilën ka thënë se do ta analizojë dhe më pas do informojë për qëndrimin.

Sipas njoftimeve të mëhershme jozyrtare, plani i Ban Ki-Moonit mundëson zvogëlimin gradual të UNMIK-ut gjatë një periudhe disamujore, që do të definohet më vonë, si dhe funksionalizim gradual i EULEX-it nën mandatin e OKB-së.

Kryeministri Hashim Thaçi ka paralajmëruar një takim të përbashkët, ku do të analizohet letra e Ban Ki-Moonit.

“Ne do të zhvillojmë një takim së bashku me presidentin, kryetarin e Parlamentit dhe të gjitha autoritetet ndërkombëtare, dhe do të dalim me qëndrim të përbashkët për mediumet kosovare e ndërkombëtare dhe para qytetarëve të Kosovës. Po, letra ka ardhur”, tha Thaçi.

Detaje të planit të Ban Ki Moonit nuk janë zbuluar nga asnjë zyrtar që tashmë ka pasur në duar këtë plan.

“Nuk do të ishte forma e duhur që të flasim për përmbajtjen e letrës, sepse është letër e Sekretarit të Përgjithshëm për presidentin Sejdiu dhe për presidentin Tadiq. Kështu që më së miri është që ky informacion të merret nga Zyra e Presidentit”, thotë Rusell Geekie, i pyetur të komentojë përmbajtjen e letrës.

Ndërkaq, nga njoftimet e mëhershme jozyrtare thuhej se Ban Ki-Moon do të pranojë në masë të madhe konceptin për bashkëpunim në mes të shefit të UNMIK-ut dhe të Qeverisë së Serbisë, të cilin më 16 mars ia ka prezantuar UNMIK-ut ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq.

Gjithnjë sipas njoftimeve jozyrtare, bëhet fjalë për arritjen e një marrëveshjeje mes PSSP-së dhe Qeverisë së Serbisë për bashkëpunim në gjashtë fusha: polici, gjyqësi, dogana, kontroll kufitar dhe trashëgimi kulturore fetare.

Asnjë gjë nga këto nuk konfirmohet nga zyrtarët e UNMIK-ut, përmes të cilëve është shpërndarë letra.

“Letra mbulon çështje për rikonfigurim, por këto janë pikëpamje të Sekretarit të Përgjithshëm dhe më së miri është që të flasë Presidenca dhe Nju Jorku”, tha Rusell Geekie.

Ndryshe, nuk dihet nëse plani i Ban Ki-Moonit do të qartësojë përfundimisht konfuzionin e deritashëm mbi praninë e misioneve ndërkombëtare pas 15 qershorit, kur edhe hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG