Ndërlidhjet

Korrupsion në të gjitha institucionet!


Korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë i pranishëm, thonë zyrtarë të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, por edhe punonjës të rendit. Ata konsiderojnë se për ta luftuar këtë dukuri negative, duhet të angazhohen të gjitha institucionet. Por, qytetarët shprehin bindjen se korrupsioni është i pranishëm në vetë institucionet, që duhet ta luftojnë këtë fenomen.


Korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë i pranishëm në masë të madhe në të gjitha sferat e shoqërisë kosovare. Kështu pohojnë zyrtarë të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, por edhe qytetarë të ndryshëm.

Sipas, Mentor Borofcit, drejtor i departamentit të hetimeve në Agjencinë Kundër Korrupsionit, sot në Kosovë korrupsioni është i pranishëm në të gjitha institucionet.

“Agjencia ka informacione se ka një nivel shqetësues të korrupsionit. Ndaj kësaj dukurie negative nuk është imun asnjë institucion apo grup institucionesh. Ne kemi prezantuar; opinioni ka parë prezantimin që drejtori i agjencisë e ka bërë përpara Kuvendit të Kosovës, ku kemi dhënë edhe disa shifra, të cilat flasin se kjo dukuri negative është shtrirë fatkeqësisht në të gjitha institucionet”, thotë Borofci.

Nga ana tjetër, Besim Kelmendi, prokuror publik i Kosovës, thotë se edhe pse ende nuk ka statistika të sakta rreth pranisë së korrupsionit në Kosovë, në prokurori dhe në gjykata është një numër i konsiderueshëm i lëndëve që shqyrtohen. Ai thotë se për t’u luftuar kjo dukuri, kërkon një përkushtim më të madh si nga institucionet, ashtu edhe nga qytetarët.

“Unë mendoj se ka ende vend për veprime konkrete për ta luftuar korrupsionin. Në këtë kuptim ka vërejtje pak edhe për agjencinë, e cila është një agjenci e ri që ende nuk e ka marrë veten, pastaj edhe te prokurorët, të cilët hezitojnë për shkak të sigurisë, për shkak të kushteve jo të mira të punës për të filluar proceduarat për rastet më të ndërlikuara. Edhe vetë qytetarët po hezitojnë të bashkëpunojnë me institucionet ose me organet për ndjekje”, shprehet Kelmendi.

Nga ana tjetër, edhe Reshat Maliqi, asistent i zëvendëskomisarit të SHPK-së për operativë, konsideron se korrupsioni është i pranishëm, siç thotë ai, në të gjitha poret e jetës.

“Po them se është i pranishëm pothuajse në të gjitha poret e jetës në Kosovë, kudo, mirëpo pak raportohet dhe pak na japin mundësi që të luftohet ai“, thotë Maliqi.

Megjithatë, zoti Maliqi thotë se Shërbimi Policor i Kosovës është i përkushtuar që të bëjë maksimumin në kapjen e personave, të cilët dyshohen se janë të korruptuar.

“Kur ne kemi pasur rast të lajmëruar nga ana e qytetarëve, që kushdo qoftë i ka detyruar ata që duhet të japin ndonjë dhuratë për të kryer ndonjë punë, ne kemi reaguar në mënyrë shumë profesionale dhe të gjitha rastet i kemi detektuar dhe kemi arritur t’i zbulojmë”, tha Maliqi.
Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, gjatë vitit të kaluar, ka dorëzuar në prokurori 47 raste të personave të korruptuar, kurse janë më shumë se 120 raste, të cilat janë hetuar, tregon Mentor Borofci, nga kjo agjenci.

“Janë mbi 120 raste që janë hetuar, por në procedurë e sipër, gjatë hetimit është konstatuar se ka mungesë të provave dhe dëshmive që e vërtetojnë atë gjendje faktike dhe disa prej tyre veç janë mbyllur dhe janë pushuar”, tha Borofci.

Edhe qytetarët thonë se korrupsioni është i pranishëm në shumë institucione të Kosovës. Raif Haliti konsideron se në institucionet kryesore të Kosovës ka më së shumti korrupsion.

“Korrupsioni duhet të luftohet. Janë të korruptuar, me presidencë, me qeveri, me parlament - të gjithë janë të korruptuar”, thotë Haliti.

Edhe Naime Azemi mendon ngjashëm. Ajo thotë se korrupsioni në Kosovës po luftohet shumë pak.

“Unë mendoj se në Kosovë ka shumë korrupsion; më shumë ka në arsim e në KEK. Kosova është krejt korrupsion dhe për atë nuk mund të shkojë përpara”, thotë Azemi.
XS
SM
MD
LG