Ndërlidhjet

Beogradi financon komunat paralele


Qeveria e Beogradit është mbështetëse politike, por edhe financiare e strukturave paralele serbe në Kosovë. Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës thonë se kjo përkrahje do vazhdojë edhe në të ardhmen.


Milan Ivanoviq, përfaqësues i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, thotë se Beogradi do ta mbështesë tani edhe formimin e komunave paralele serbe në Kosovë, duke ofruar edhe mbështetjen financiare.

“Serbët, në mbështetje nga të gjitha partitë parlamentare në Beograd dhe në harmoni me rregulloren për zgjedhjet, do të formojnë të gjitha organet komunale të pushtetit në Kosovë me mbështetjen financiare nga buxheti i Serbisë”, thotë Ivanoviq.

Arsimi si dhe shëndetësia nëpër komunat me shumicë serbe janë fusha që financohen po ashtu nga buxheti i Serbisë. Qysh para dy vjetësh, komunat serbe, fillimisht ato në pjesën veriore, patën ndërprerë bashkëpunimin me institucionet qendrore të Kosovës.

Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, i ka ftuar serbët që të integrohen në jetën institucionale, duke i rikujtuar se pas datës 15 qershor hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës dhe, sipas kryeministrit, kjo kushtetutë do të jetë obliguese për të gjithë dhe do të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës.

“Unë dëshiroj që edhe kësaj radhe t’i ftoj qytetarët serbë të bashkëpunojnë dhe të integrohen në jetën institucionale. Hyrja në fuqi e Kushtetutës së re të Republikës së Kosovës është në interesin e të gjithë qytetarëve, është në interesin e paqes, stabilitetit dhe të së ardhmes sonë të sigurt”.

“Në Kosovë do të funksionojnë institucione legjitime dhe demokratike, të dala nga vota e qytetarëve të Kosovës dhe nga zgjedhjet demokratike, të organizuara nga organet kompetente të Republikës sonë”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Ndërsa, kreu i Qeverisë së Kosovës bën thirrje për integrim, përfaqësuesit serbë në anën tjetër, jo vetëm se e kundërshtojnë integrimin, por, sipas tyre, financimi i jetës publike e institucionale nëpër enklavat ku jetojnë serbët, tani kalon ekskluzivisht vetëm tek autoritetet e Beogradit.

“Në sistemin e telekomunikimit, po ashtu ka financim nga Beogradi. Po ashtu edhe institucionet tjera, si Elektro-Kosova, është në rrjetin e Elektro-Serbisë dhe financohet nga Beogradi”,
thotë Ivanoviq.

Ai përmend edhe faktin tjetër që tani, pas shpalljes së pavarësisë, edhe policët serbë më nuk financohen nga Kosova, por nga buxheti i Serbisë, kështu që, sipas tij, “kemi të bëjmë me një shkëputje totale të jetës ndërmjet institucioneve të Kosovës që kontrollohen nga shqiptarët si shumicë në Kosovë dhe atyre serbe që kontrollohen nga Beogradi”.

Sidoqoftë, organet paralele serbe cilësohen si jolegale dhe jolegjitime nga ana e UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës. Bazuar në pakon e Ahtisaarit, serbët kanë të drejtë të bashkëpunojnë me Beogradin, por bashkëpunimi i tyre duhet të kalojë përmes marrëveshjeve që adresohen përmes Qeverisë së Kosovës.

Por, Milan Ivanoviq thotë se serbët i kanë mbajtur zgjedhjet e tyre dhe se tani, deshi apo nuk deshi dikush, ata po i formojnë organet e tyre paralele dhe nuk do t’i nënshtrohen asnjë sistemi tjetër në Kosovë, përveç atij të Serbisë.

Ndarja funksionale e serbëve dhe institucioneve të Kosovës është plan i prezantuar edhe zyrtarisht nga Beogradi pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ky plan është hedhur poshtë nga Qeveria në Prishtinë, e cila në disa raste është deklaruar se pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, do ta shtrijë pushtetin e saj në gjithë territorin e Kosovës.

Mirëpo, bazuar në gjendjen faktike, sidomos në pjesën veriore, shumë analistë i kanë cilësuar këto pretendime të Qeverisë në Prishtinë si shumë optimiste dhe vështirë të realizueshme.
XS
SM
MD
LG