Ndërlidhjet

“EULEX nën OKB – shkelet Pakoja”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Tre muaj para se të bëhen nëntë vjet që kur uniformat e UÇK-së u zëvendësuan me ato të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), Qeveria e Kosovës e miratoi të enjten një projektligj për shpërbërjen e këtij institucioni, që për këto vjet ka shërbyer më shumë në raste fatkeqësish dhe në rindërtimin e vendit. TMK-ja, sipas këtij projektligji, do të shpërbëhet brenda një viti, pas përfundimit të periudhës së tranzicionit, që d.m.th. se në fund të vitit 2009, TMK-ja nuk do të ekzistojë më. Autoritet mbi TMK-në deri në shpërbërje do të ketë Prania Ndërkombëtare Ushtarake (PNU) në konsultim me Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil (PNC), Qeverinë e Kosovës dhe Zyrën e Koordinatorit të TMK-së. Gjatë kësaj kohe, deri në shpërbërje, TMK-ja do të vazhdojë sikur deri më tani të funksionojë në bazë të Rregullores së UNMIK-ut, si organizatë civile emergjente. Përgjegjësinë e transferimit dhe pasurisë së TMK-së, mbikëqyrjen e tyre te Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) e ka PNU, ndërsa Qeveria e Kosovës i tjetërson të gjitha pasuritë që nuk i nevojiten FSK-së...

ZËRI
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, në raportin e tij për Kosovën që i ka drejtuar Këshillit të Sigurimit të kësaj organizate ka thënë se Bashkimi Evropian do të marrë përgjegjësi të reja më të mëdha operacionale në Kosovë. Në këtë raport pesëfaqësh, një kopje të të cilit e ka siguruar "Zëri", përshkruhen detajisht kompetencat, të cilat UNMIK-u do të vazhdojë t'i mbajë "brenda një kohe", ndërsa flet për vështirësitë që e kanë përcjellë atë në hartimin e një plani për rikonfigurim të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë. "Bashkimi Evropian do të ushtrojë një rol të shtuar operacional në fushën e sundimit të ligjit nën kornizën e Rezolutës 1244 dhe nën autoritet të plotë të OKB-së. Brenda një periudhe, BE do të marrë përgjegjësi të tjera operacionale në fushën e policisë ndërkombëtare, në drejtësi dhe në dogana në tërë territorin e Kosovës", thuhet në raportin që mban datën e 12 qershorit. Sipas Ban Ki-Munit, është e kuptueshme që përgjegjësitë ndërkombëtare të OKB-së në Kosovë që nga 15 qershori do të jenë të limituara në masën e kontrollit të vet operacional...

KOHA DITORE
Sado që letrat për Sejdiun dhe Tadiqin kanë ngjashmëri, ato kanë edhe dallime, prej të cilave i pari vërehet që në fillim të letrave: Ban Ki-moon i referohet Sejdiut si "ekselencë", ndërsa Tadiqit si "president". Dallimet, tutje, nuk janë vetëm simbolike. Në letrën e Sejdiut, Ban Ki-moon flet për "miratimin e Deklaratës për shpalljen e pavarësisë", ndërsa në letrën për Tadiqin ai i referohet 17 shkurtit si "shpallje unilaterale e pavarësisë". Në letrën e Sejdiut, sekretari Ban Ki-moon shkruan se e ka për qëllim të "rikonfigurojë strukturën dhe profilin e prezencës civile ndërkombëtare në një, që korrespondon me situatën në evoluim në Kosove dhe qe i mundëson BE-së të marrë rol të shtuar operacional në Kosovë, në pajtim me Rezolutën 1244".Por, në letrën dërguar Tadiqit, kreu i OKB-së shkruan: "I ndërgjegjshëm për përkushtimet e BE-së në rajon, e kam ndërmend që të konsultohem me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politike të Përbashkët dhe Siguri për të përcaktuar një rol operacional për BE-në në zbatimin e dispozitave të lartpërmendura brenda një kornize të Kombeve të Bashkuara, neutrale karshi statusit". Dispozitat në fjalë përmenden në letrën për Tadiqin, por nuk figurojnë fare në letrën dërguar Sejdiut. Sikur që ka raportuar "Koha Ditore" edhe më parë, bëhet fjalë për gjashtë fushat në të cilat Ban Ki-moon planifikon te bëjë aranzhime "pas konsultave me Qeverinë Tuaj" - pra të Serbisë - "dhe aksionarëve relevantë"...

EPOKA E RE
Zëdhënësja e OKB-së, Michele Montas, ka thënë se përderisa nuk do të ketë një vendim tjetër të KS, "OKB-ja vazhdon të operojë në Kosovë nën mandatin e Rezolutës 1244, në fuqi në tërë territorin e Kosovës". Zëdhënësja e OKB-së, Michele Montas, ka thënë se në dritë të ndryshimit apo evoluimit të rrethanave në terren, tani po këshillohemi me të gjithë faktorët e rëndësishëm, ndërkohë që janë zhvilluar një numër konsultimesh me telefon, se si të zbatohet mandati që i është besuar OKB-së me Rezolutën 1244. Zëdhënësja Montas nuk ka thënë asgjë për letrën e dërguar presidentit të Kosovës dhe të Serbisë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, lidhur me rikonfigurimin e rolit të UNMIK-ut në Kosovë, ndërkaq nuk ka përcaktuar as ditën e nxjerrjes së raportit të radhës të sekretarit Ban, mbi zhvillimet në tremujorin e shkuar në Kosovë. Ndërkaq, ambasadori amerikan në OKB, Zalmaj Khalilzad, ka thënë se priste që raporti të jepej para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës...

EXPRESS
Kryeministri Hashim Thaçi dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, po thellojnë armiqësitë, përderisa gjuha që janë duke përdorur po shton tensionet në skenën politike. Rasti i sulmit në shtëpinë e kryeministrit, tashmë është zhvendosur në rrafshin politik, duke shërbyer si një arenë e re për qërim të hesapeve mes dy rivalëve. Kryeministri Thaçi, në një intervistë për BBC në shqip, të publikuar të mërkurën, ka bërë akuza ndaj AAK-së, duke përdorur një gjuhë, e cila nga partia e Haradinajt është cilësuar si paranojë e kryeministrit. Thaçi, i cili është i njohur për formulimet gjuhësore me 'rrotulla' ka lëvduar dy partitë opozitare AKR-në e Pacollit dhe LDD-në e Dacit, duke i radhitur si parti të "spektrit politik demokratik", duke eliminuar nga ky kombinim AAK-në'. Ai ka folur për zëra të dëshpëruar, të frustruar dhe të humbur në skenën politike, mirëpo nuk ka përmendur Haradinajn. Sidoqoftë, i pyetur për këtë, të enjten, ai ka mohuar që deklaratat e tij kanë të bëjnë me Haradinajn...

BOTA SOT
Pas datës së 15 qershorit, sfidë kryesore për institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës është sektori i sigurisë. Kjo është e ndërlidhur kushtimisht me shtrirjen e administratës së shtetit në tërë territorin e vendit, ashtu siç parashihet në pakon e Ahtisaarit, por edhe në Kushtetutën e vendit tonë. Duke marrë për bazë lëvizshmërinë e kompetencave të UNMIK-ut pas 15 qershorit, dhe shtrirja e administratës se shtetit edhe në zonat delikate (veçmas në veri dhe enklava), shton nevojën e transformimit të kompetencave të sigurisë nga UNMIK-u tek Shërbimi Policor i Kosovës. Mirëpo, përpos pengesave në terren (paralelizmi ilegal) rreth bartjes së këtyre kompetencave, problem tjetër është edhe natyra politike. Në këtë kontekst për të përkufizuar zgjidhjen e problemit në veriun e vendit, kërkohet vendim tjetër nga Qeveria e Republikës së Kosovës (vendim politik) për të shtrirë misionin e vet administrativ dhe kushtetues në tërë vendin. Pra, UNMIK-u mbështetet në 1244, Qeveria e Kosovës në strukturën e veta juridike, e gjithë kjo lë hapësirë për veprime te strukturave paralele ilegale në veri (shpesh në dukje të armatosura)...

KOSOVA SOT
Qeveria e Kosovës ka përfunduar të gjitha përgatitjet për organizimin e manifestimit me rastin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Hyrja në fuqi e Kushtetutës, më 15 qershor, shënon hapin më të madh pas pavarësimit të vendit, në mënyrën se si Kosova do të funksionojë si shtet i pavarur, sovran e demokratik, si vend i të gjithë qytetarëve të saj, me të drejta të afirmuara për minoritarët, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, me ç'rast ka kërkuar nga ministrat të përgatiten që më 15 qershor të fillojë zbatimi i Kushtetutës. Duke kërkuar respektim të Kushtetutës në vend, Thaçi u ka bërë thirrje edhe një herë qytetarëve serbë që të integrohen në jetën institucionale. "Kjo është kushtetutë e garancive dhe mundësive për të gjithë qytetarët, por në të njëjtën kohë edhe e obligueshme për të gjithë. Të gjitha institucionet, nga data 15 qershor, do të funksionojnë sipas Kushtetutës sonë, edhe këtu nuk ka asnjë dilemë. Edhe qytetarët do të organizojnë jetën dhe do të mendojnë për të ardhmen në përputhje me këtë Kushtetutë", deklaroi ai...

INFOPRESS
Jo kot, gjyqësori në Kosovë vlerësohet institucion me përplot probleme. Aty neglizhohen lëndë, një pjesë e tyre zgjidhen shkel e shko, lirohen njerëz që vendin e kanë në burg, por edhe korrupsioni nuk mungon. Kemi dëgjuar jo rrallëherë policinë të ankohet, se kriminelët që me shumë mund arrestohen, të nesërmen i sheh sërish në rrugë të enden lirshëm, të liruar me vendime shumë të dyshimta të gjykatave. Këtë vlerësim, në masë të madhe na e mbështet edhe rasti i fundit, sulmi në shtëpinë e kryeministrit të vendit. Në mesin e informacioneve, u kuptua se i arrestuari për rastin, Fazli Sejdiu, para se të kryente këtë vepër penale, kishte kryer edhe njëmbëdhjetë të tilla. Megjithatë, edhe pse organet e drejtësisë, për këtë ishin shumë mirë të informuara dhe Fazliu kishte kaluar disa herë nëpër duart e tyre, ai po vazhdonte të endej lirshëm, rrugëve të kryeqytetit, duke kërcënuar sigurinë e qytetarëve. U desh të vinte puna që pre e kriminalitetit të tij, të binte familja dhe vetë kryeministri i vendit, e vetëm atëherë organet tona mjerane të drejtësisë të reagojnë...
XS
SM
MD
LG