Ndërlidhjet

logo-print

Sa pjesëtarë të TMK-së do të jenë në FSK?


Pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës

Pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës

TMK-ja do të shpërbehet, për t’i hapur rrugë formimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Përfaqësues të TMK-së shpresojnë se një numër i madh i këtyre pjesëtarëve do të mund të përfshihet në forcën e ardhshme të sigurisë.



Synimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës për t’u shndërruar në ushtri duket se do të përmbushet vetëm pjesërisht. TMK-ja, tani edhe përmes ligjit, do të shpërbehet brenda një viti që nga përfundimi i periudhës tranzitore, përderisa nuk është e sigurt përfshirja e të gjithë pjesëtarëve të TMK-së në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj thotë se projektligji për shpërbërjen e TMK-së parasheh bartje të disa detyrave nga TMK-ja në FSK.

“Deri në shpërbërjen e TMK-së, Prania Ushtarake Ndërkombëtare në konsultim me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar dhe Qeverinë e Kosovës, ushtron autoritet ekzekutiv mbi TMK-në dhe vendos për programin kohor të shpërbërjes së saj”, thotë Manaj.

Aktualisht, TMK-ja ka 3 mijë pjesëtarë aktivë dhe 2 mijë rezervë, përderisa Forcat e Sigurisë së Kosovës do të kenë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë, të armatosur me armë të lehta. Shefi për informim në TMK, Enver Dugolli, pranon së një pjesë e konsiderueshme e këtyre pjesëtarëve do të mbesin jashtë FSK-së.

“Është thënë edhe më herët se TMK-ja do t’i shtrijë të gjitha kapacitetet që personeli i nevojshëm të kalojë në FSK. Një pjesë madhe e pjesëtarëve të TMK-së do të mbetet jashtë kësaj force, meqë kriteret janë bukur të ashpra dhe një pjesë e tyre nuk mund të jetë pjesë e kësaj force”.

“Por, shuarja do të bëhet me dinjitet, meqë tash pritet ligji për pensionim të parakohshëm. TMK-ja ka punuar ngushtë me ekspertët e NATO-s që të nxirret ligji i pranueshëm, që të mos ketë pakënaqësi ndër ata që nuk mund të hyjnë në FSK”, tha Dugolli.

Vendet anëtare të NATO-s tashmë janë pajtuar që të trajnojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer, ka thënë se ka pajtim që NATO-ja t’i zbatojë detyrat e reja në Kosovë.

Por, zëdhënësi i KFOR-it, Jean Luc Cotard, thotë se ende nuk dihet se kur do të fillojë në terren trajnimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës.

“Aktualisht, kemi ide të reja për këtë dhe është vendim politik; ka shumë gjëra për të bërë. Ajo që duhet është se NATO-ja do të ndihmojë në ngritjen e FSK-së”, tha koloneli Cotard.

Sipas analistëve për çështje të sigurisë, për funksionalizimin e plotë të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të duhen së paku 4 deri në 5 vjet, ndërkaq kjo forcë do të kërkojë një buxhet të konsiderueshëm. Deri tash, kanë qenë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që kanë ofruar ndihmë ushtarake për Kosovën.

Tre muaj më parë, presidenti Bush, kur edhe mori vendimin për ndihmën ushtarake, pati thënë se furnizimi me artikuj mbrojtës dhe shërbime mbrojtëse për Kosovën do ta forcojë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të promovojë paqen botërore.
XS
SM
MD
LG