Ndërlidhjet

SHBA: Debate për Guantanamon


Burgu në Guantanamo
Burgu në Guantanamo

Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara vendosi që të dyshuarit për terrorizëm, në Guantanamo, kanë të drejtë të kundërshtojnë arrestimin tek gjykatat civile. Përgjigja nga presidenti amerikan George Bush ishte e shpejtë, por analistët thonë se ky është një kthim prapa për presidentin amerikan.


Burgu në Guantanamo është bërë emblemë e qasjes së administratës Bush ndaj Al Kaidës, Talebanëve dhe aleatëve të tyre.

Presidenti i SHBA-ve tha se armiqtë e tillë nuk ndjekin rregullat e luftës dhe për këtë arsye nuk i meritojnë të drejtat e parapara me ligjet e luftës.

Sidoqoftë, amerikanët janë munduar që secili prej të burgosurve, shumica myslimanë, të trajtohen në mënyrë të përshtatshme me rregullat islame. Secilit i është dhënë Kurani dhe i është përshtatur ushqimi. E vetmja gjë që nuk gëzojnë është e drejta "habeas corpus", pra e drejta për kundërshtimin e arrestit.

Gjykata Supreme vendosi se ata duhet ta kenë këtë të drejtë. Presidenti Bush, në anën tjetër, shprehu zhgënjimin e tij.

"Do t'i nënshtrohemi vendimit të gjykatës. Kjo nuk do të thotë se pajtohem me vendimin. Gjykata ishte e ndarë dhe unë pajtohem plotësisht me ata që kundërshtuan. Mospajtimet e tyre bazoheshin në shqetësimin serioz për sigurinë kombëtare amerikane", tha Bush.

Drejtori për çështje juridike dhe politike në Human Rights Watch, James Ross, tha se vendimi është i rëndësishëm, sepse konfirmon të drejtën e të burgosurve për të kundërshtuar arrestimin. Gjithashtu, ky vendim është shuplakë për përpjekjet e administratës Bush, që të mbajë të dyshuarit në burg pa ngritur akuza ndaj tyre.

"Ky vendim, mendoj unë, është posaçërisht pozitiv, sepse prek rrënjët e çështjes. Në vendimet e mëhershme, gjykata thoshte se sipas ligjeve federale ekzistonin këto mbrojtje, kështu që Bush dhe Kongresi ndryshuan ligjin federal",
tha Ross.

Në dy rastet e mëhershme, Gjykata Supreme njihte të drejtën për kundërshtim në gjykatat civile, por administrata shtetërore iu kundërpërgjigj vendimeve, duke miratuar ligje që mundësonin anashkalimin e kësaj kërkese. Administrata e kishte këtë mundësi sepse asokohe republikanët kishin shumicën në Kongres.

Ross tha se nuk pret që e njëjta të përsëritet, pasi të dyja dhomat e Kongresit tani kontrollohen nga demokratët, ndërsa Shtetet e Bashkuara këtë vit kanë zgjedhjet presidenciale.

Charles Stimson, ekspert juridik nga Heritage Fondation në Uashington, tha se kjo situatë nxjerr në sipërfaqe "nevojën shumë të madhe" për krijimin e kornizës legale të qëndrueshme për të ardhmen.

"Është e qartë se korniza legale ekzistuese ka shumë mangësi. Tani është i domosdoshëm aksioni nga dy degët e qeverisjes: legjislativi dhe ekzekutivi", tha Stimson.

Ashtu si Ross, edhe ai dyshon se Bush do të përpiqet sërish të kalojë në Kongres një ligj tjetër, që do të mundësonte mbajtjen në burg të të dyshuarve për terrorizëm pa ngritje të padisë. Por, Bush tha se gjithnjë ekziston mundësia që të provojë sërish.

"Ne do ta studiojmë këtë opinion dhe këtë do ta bëjmë duke pasur në mendje nëse një ligj shtesë do të ishte i përshtatshëm për t'u treguar amerikanëve, se ne po bëjmë gjithçka, mundemi për t'u mbrojtur juve", tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush.

XS
SM
MD
LG