Ndërlidhjet

Prishtina pranon në parim dokumentin e Ban Ki Moon-it


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës bashkë me opozitën, kanë pranuar në parim dokumentin e kreut të OKB-së, Ban Ki Moon, për rikonfigurimin e UNMIK-ut.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Ban ki Moon ka pranuar edhe realitetin e ri në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Sidoqoftë, ai tha se Prishtina do t’i adresojë edhe një letër Sekretarit të Përgjithshëm, përmes së cilës do të paraqiten edhe komente tjera për secilën pikë veç e veç.

Lidershipi i Kosovës është pajtuar në parim me dokumentin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, për rikonfigurimin e UNMIK-ut, duke pranuar kështu jo përfundimin e misionit të UNMIK-ut më 15 qershor, si parashihet me pakon e Ahtisaarit, por fillimin e tranzicionit nga kjo datë.

Pas një takimi që zgjati rreth 3 orë, të thirrur nga presidenti Fatmir Sejdiu, ku morën pjesë dhe kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, liderët e tri partive më të mëdha opozitare, si edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, dhe përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, u tha se nga letra e Ban Ki Moon-it përshëndetet sidomos rikonfigurimi i UNMIK-ut.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Prishtina e vlerëson qasjen e Sekretarit të Përgjithshëm në njohjen e realitetit të ri pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

“Vlerësimin dhe marrjen parasysh të realiteteve të zhvilluara në Kosovë që lidhen me shpalljen e pavarësisë, hyrjen në fuqi të Kushtetutës dhe gjithë proceset që kemi kaluar, duke pasur parasysh edhe zotimet tona për implementimin e pakos së Ahtisaarit”,
tha Sejdiu.

Data 15 qershor është parë deri më tash në Prishtinë si fundi i tranzicionit, periudhë kjo që nënkuptonte kalimin e kompetencave nga UNMIK-u te institucionet e Kosovës. Mirëpo, me vetë mbetjen në fuqi të Rezolutës 1244 dhe mbetjen e UNMIK-ut në Kosovë, kjo fazë tranzicioni në fakt fillon pikërisht nga 15 qershori.

Presidenti Sejdiu e ka cilësuar këtë si një periudhë të lehtë tranzicioni, që, sipas tij, pritet të kalojë shumë shpejt.

“Rikonfigurimin e UNMIK-ut, ne e quajmë si proces pozitiv. Konsiderojmë se kjo periudhë do të kapërcejë shumë shpejt dhe si të tillë e quajmë përkushtimin e institucioneve për të bashkëpunuar në këtë periudhë të tranzicionit dhe të nevojshëm për t’i marrë edhe institucionet e Kosovës përgjegjësitë e veta”, theksoi Sejdiu.

Në letrën e tij drejtuar autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, thotë se ai synon ta rikonfigurojë misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, për të lejuar Bashkimin Evropian që të marrë përgjegjësi në çështjet kryesore.

“Është synim imi që ta rikonfiguroj strukturën dhe profilin e pranisë ndërkombëtare civile në atë mënyrë që i mundëson Bashkimit Evropian që ta marrë dhe ta forcojë rolin operacional në harmoni me Rezolutën 1244”, thuhet në këtë letër.

Lidershipi kosovar është pajtuar sot që t’ia adresojë edhe një letër sekretarit Ban Ki Moon, përmes së cilës do t’i paraqesë në detaje pikëpamjet, por edhe vërejtjet e veta.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG