Ndërlidhjet

logo-print

Irlanda refuzon Traktatin e BE-së

  • Ahto Lobjakas

Irlandë - Poster i kampanjës për Traktatin e Lisbonës, me mbishkrimin "Mos voto!".

Irlandë - Poster i kampanjës për Traktatin e Lisbonës, me mbishkrimin "Mos voto!".

Refuzimi i Traktatit të Lisbonës në referendumin në Irlandë mund ta zhysë Bashkimin Evropian në krizë dhe ta vë para shumë sfidave.

Disfata e Traktatit të Lisbonës në referendumin në Irlandë mund ta shtyjë Bashkimin Evropian në një krizë, e cila mund të prishë gjithçka që blloku ka bërë deri më tash.

Kjo mund t'i vë në pikëpyetje të gjitha përpjekjet për integrim më të madh të BE-së, pas zgjerimeve historike në vitet 2004 dhe 2007, kur u përfshinë 12 vende të reja, shumica ish-komuniste.

Dështimi i referendumit irlandez gjithashtu mund ta pezullojë zgjerimin e mëtejmë të unionit.

Po të përdoret metafora, mund të thuhet se anija e Bashkimit Evropian ka ngecur në të thatë. Ajo nuk mund të fundoset, po as të lundrojë.
Kjo është frika më e madhe e shumë liderëve evropianë dhe e "eurokratëve" në Bruksel.

Traktati i Lisbonës duhej ta zëvendësojë Traktatin e Nicës, që u negociua në vitin 2000 për të përgatitur zgjerimin e BE-së.

Por, marrëveshja, e cila shihej si Kushtetuta e BE-së, shumë shpejt u refuzua nga votuesit francezë dhe holandezë në vitin 2005.

Në Traktatin e Lisbonës u mishëruan qëllimet themelore të marrëveshjes paraprake, si zgjedhja e presidentit dhe ministrit të jashtëm të bllokut.

Javën e ardhshme, udhëheqësit e BE-së do ta kenë rastin që t'i inspektojnë dëmet e shkaktuara kur të takohen në samitin e tyre më 19-20 qershor.

Kryesuesja e ardhshme e BE-së, Franca, e cila e merr timonin më 1 korrik, tash do të duhet të fokusohet në kufizimin e dëmeve.

Në fillim të javës, zyrtarët në Paris i thanë Radios Evropa e Lirë se ata do ta shtyjnë përpara ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, pavarësisht votimit kundër në Irlandë.

Jean-David Levitte, këshilltar diplomatik i presidentit Nicolas Sarkozy, tha se nuk ka zgjedhje tjetër.

"Nuk ka plan 'B'. Besoj se më e rëndësishmja është që procesi i ratifikimit në të gjitha vendet e BE-së të mbetet në rrugën e vet", tha Levitte.

Por, ministri i Drejtësisë i Irlandës, Bertie Ahern, tha të premten se Bashkimi Evropian tash ndodhet në ujëra të paeksploruara.

Aleksander Vondra, zëvendëskryeministër i Çekisë, e cila do ta kryesojë BE-në pas Francës, në janar 2009, parashikoi në Paris se një JO e Irlandës do ta godasë Traktatin e Lisbonës.

"Nëse ata i thonë jo, mendoj se legalisht është tejet e qartë se çdo vend anëtar i BE-së do të duhej ta ratifikojë marrëveshjen përpara se ajo të hyjë në fuqi", tha Vondra.

Votuesit irlandezë edhe më herët kanë refuzuar marrëveshje të BE-së, si në vitin 2001 kur nuk e pranuan Traktatin e Nicës.

Asokohe, deklaratës iu shtua pjesa, e cila e riafirmonte politikën irlandeze të neutralitetit ushtarak dhe pastaj u miratua në referendum.

Në të kaluarën, edhe vendet tjera kanë negociuar për shtojca ‘ad hoc’ të marrëveshjes. Por, siç duket, as kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për Irlandën, sepse Franca dhe Holanda fituan rinegocim të tërësishëm të propozim-kushtetutës në vitin 2005.
XS
SM
MD
LG