Ndërlidhjet

Moore: Kosova - test për Bashkimin Evropian


Patrick Moore

Patrick Moore

"Nëse nuk do të jenë unikë në misionin e tyre (në Kosovë) dhe nëse nuk do të tregojnë efektivitet në angazhimin që e kanë kërkuar, çdo rrëfim për Evropën si faktor ndërkombëtar, do tingëllojë si një tallje", thotë Patrick Moore, analist i Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Më 15 qershor, është fuqizuar Kushtetuta e Kosovës. Por, Kosova është duke u ballafaquar me shumë probleme. Disa thonë se pjesërisht ato janë pasojë e faktit që Perëndimi ka zbritur Kosovën nga lista e prioriteteve...

PATRICK MOORE
Nuk jam i sigurt nëse do të pajtohesha me pohimet e këtilla. Nëse në qendrat perëndimore ka pasur komente dhe prononcime për Kosovën, ato kanë qenë rezultat i faktit që pavarësia e Kosovës është duke u zhvilluar në rrugë paqësore.

Problemet ekzistuese, siç është relacioni ndërmjet EULEX-it dhe UNMIK-ut, nuk janë tema që mund të mobilizojnë opinionin në Perëndim. Ajo që tërheq vëmendjen e tyre është fakti se në këto zhvillime si problem paraqitet Serbia.

Vështirësitë në formimin e Qeverisë së re të Serbisë, që kanë të bëjnë me rëndësinë e mbajtjes së radikalëve dhe të Koshtunicës jashtë pushtetit, janë çështje më lehtë të kuptueshme, sesa mandati i EULEX-it ose muzika e himnit të ri të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Moska është në kërkim të shtimit të ndikimit në rajon për t'i dëshmuar Uashingtonit dhe Brukselit se është kthyer në skenë si faktor i rëndësishëm. Moska është duke shfrytëzuar paratë dhe kontratat e energjisë për të blerë favore dhe influencë në një pjesë të Ballkanit, ka shkruar këto ditë javorja "Newsweek". A pajtoheni me këtë pohim?

PATRICK MOORE
Ka të vërtetë në këtë pohim. Rusia është duke shpenzuar para dhe duke shfrytëzuar energjinë për të shtrirë ndikimin jo vetëm në Ballkan, por në gjithë Evropën.

Megjithatë, kjo është më e mirë se koha kur ndikimin e tyre synonin ta zgjeronin me ndihmën e tankeve dhe ideologjisë totalitare. Nuk ka asnjë dyshim se disa nga hapësirat e ish-Jugosllavisë janë duke bërë para përmes bizneseve me Rusinë.

Për faktin që kemi të bëjmë me projekte shumë kontestuese, shumica e njerëzve nga hapësira e ish – Jugosllavisë e dinë fare mirë se paratë në plan afatgjatë mund të sigurohen përmes integrimit në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË

Vendet anëtare të BE-së janë duke i vënë interesat nacionale para atyre gjithevropiane. Disa analistë thonë se kjo logjikë mund të çojë në vend të evropianizimit të Ballkanit, drejt ballkanizimit të Evropës...!

PATRICK MOORE
Nuk duhet befasuar me veprimet e disa vendeve siç janë Spanja ose Greqia rreth Kosovës. Kjo politikë e tyre ka qenë e parashikueshme nga fillimi. Ato paraqesin pakicë brenda Bashkimit Evropian dhe Kosova do të mbijetojë edhe pa njohjen nga ana e tyre.
Kryesorja është që Madridi dhe Athina të mos bllokojnë tërësinë e politikës së BE-së ndaj Kosovës.

Çështje jetike për Bashkimin Evropian tash paraqet fakti nëse mund të funksionojë si faktor i rëndësishëm ndërkombëtar. Në vitin 1991, kur filloi kolapsi i Jugosllavisë, ish -ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Zhak Pos, shtroi pyetjen nëse Bashkimi Evropian ka aftësi për t’i menaxhuar krizat si faktor i pavarur nga të tjerët.

Koha dëshmoi paaftësinë e BE-së që si e pavarur të zgjidhë çfarëdo krize. U desh intervenimi diplomatik dhe ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Kroaci dhe Bosnjë për të mposhtur Serbinë, ndërsa në rastin e Kosovës për të ndalur gjenocidin, u desh intervenimi dhe bombardimi i Serbisë nga ana e NATO-s.

Edhe në vitin 2001, në rastin e Maqedonisë ishte intervenimi i Shteteve të Bashkuara që i dha fund krizës. Në Ballkan, respekt gëzon forca dhe vendosmëria, por jo logjika e zhargitjes dhe e dobësisë.

Tash, Bashkimi Evropian dëshiron të përfaqësojë bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë dhe ky synim është përcaktuar kohë më parë. Por, nëse nuk do të jenë unikë në misionin e tyre dhe nëse nuk do të tregojnë efektivitet në angazhimin që vetë e kanë kërkuar, çdo rrëfim për Evropën si faktor ndërkombëtar do të jetë një tallje.

Liderët e Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe ata në Bruksel dhe Athinë, këtë e dinë shumë mirë.

XS
SM
MD
LG