Ndërlidhjet

logo-print

Serbët nuk lejojnë zbatimin e Kushtetutës në komunat serbe


Qyteti i Mitrovicës

Qyteti i Mitrovicës

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk do të lejojnë që Kushtetuta e Kosovës të zbatohet në pjesët e banuara me serbë. Ata thonë se do bëjnë përpjekje që ta anulojnë këtë kushtetutë. Një nga kundërpërgjigjet është themelimi i parlamentit paralel.


Pavarësisht se liderët kosovarë e përshkruajnë si moderne që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve, përderisa për serbët rezervon të drejta të avancuara, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kundërshtojnë fuqizimin e Kushtetutës së Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike për Kosovën, Goran Bogdanoviq, thotë se serbët duhet ta trajtojnë me seriozitet aktin e fuqizimit të Kushtetutës së Kosovës, duke mos lejuar që dispozitat e saj të zbatohen në vendbanimet me shumicë serbe.

“Duhet të bëjmë gjithçka, në mënyrë që ta anulojmë këtë kushtetutë nëse do të jetë e mundur edhe në ndonjë fazë të mëvonshme. Ajo kushtetutë nuk është e pranueshme për ne dhe do të bëjmë çmos që ajo të mos zbatohet në pjesët ku jetojnë serbët”, thotë Bogdanoviq.

Në anën tjetër, nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb për Kosovën qendrore, Rada Trajkoviq, shpreh shqetësimin se fuqizimi i Kushtetutës së Kosovës do t’i prekë interesat e serbëve që janë të koncentruar në pjesët qendrore të Kosovës.

“Më të prekurit janë serbët në enklava, pasi që janë të rrethuar nga shumica shqiptare, e cila natyrshëm që i pranon dhe zbaton ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe kjo do t’i sjellë serbët e Kosovës në atë situatë që andej ka duhet të kalojnë, duhet të respektojnë ligjet e imponuara, meqë kjo është e vetmja mënyrë për të mbetur në Kosovë”.

“Megjithatë, pres që qeveria demokratike në Beograd, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe me përgjegjësit shqiptarë, të kuptojnë problemet dhe të gjejnë zgjidhje, që do të nënkuptojë stabilitet për serbët “, tha Trajkoviq.

Kreu i Asociacionit të komunave dhe vendbanimeve serbe në Kosovë, Marko Jakshiq, thotë se nga pikëpamja legale, serbët nuk do të jenë të prekur nga Kushtetuta e Kosovës, por ai, megjithatë, thekson së gjendja e serbëve në jug të lumit Ibër do të përkeqësohet.

“Mendoj se Kushtetuta e tyre nuk do të mund të ndikojë në jetën e qytetarëve në veri të Kosovës. Ne duhet ta shohim atë si një shkelje që po i bëhet një pjese të shtetit të Serbisë dhe si të tillë duhet ta luftojmë. Ata tashmë e kanë pasur njëherë atë të ashtuquajturën Kushtetutë të Kaçanikut edhe kjo është një kushtetutë e re e tyre”.

“Ne duhet të jemi unikë dhe të luftojmë së bashku që të vëmë rend në mes të serbëve dhe t’i kundërvihemi kushtetutës, sikurse edhe misionit të BE-së”, thotë Jakshiq.

Ndërkohë, si kundërpërgjigje ndaj Kushtetutës së Kosovës, serbët kanë vendosur që të themelojnë një parlament paralel. Kryetari i Këshillit Nacional Serb për Mitrovicën, Milan Ivanoviq, ka thënë se seanca inauguruese e këtij organi paralel do të mbahet më 28 qershor, në ditën e Vidovdanit.

“Ka qenë e planifikuar që parlamenti të formohet në këtë datë, më 15 qershor, por nuk ka përfunduar krijimi i kuvendeve komunale në të gjitha komunat në Kosovë, kështu që parlamenti do të mblidhet më 28 qershor. Do të jetë një trup që do t’i mbrojë interesat e serbëve”,
thotë Ivanoviq.

Serbët, që nga shpallja e pavarësisë, po i forcojnë strukturat paralele të Qeverisë serbe në veri dhe në enklavat serbe. Autoritetet kosovare shprehin bindjen se pas fuqizimit të Kushtetutës, do të mund të shtrijnë kontrollin në tërë territorin e Kosovës. Por, analistët mbesin skeptikë se një gjë e tillë do të mund të ndodhë menjëherë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG