Ndërlidhjet

Përgjegjësitë e institucioneve pas fuqizimit të Kushtetutës


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Respektimi i ligjeve, çështja e integrimit të veriut të Kosovës, si dhe çështja e komunikimit në mes të shqiptarëve dhe serbëve, do të jenë sfidat më të mëdha për institucionet kosovare pas fuqizimit të Kushtetutës së Kosovës, vlerësojnë analistët politikë në Kosovë.


Analisti Muhamet Mavraj thotë se institucionet kosovare, me kompetencat e reja që dalin nga Kushtetuta, do të kenë përgjegjësi edhe më të mëdha. Sipas tij, me Kushtetutën e Kosovës nuk është e paraparë që në Kosovë të ketë organizata të mëdha ndërkombëtare që mund ta kushtëzojnë sovranitetin e një vendi.

"Që nga përfundimi i luftës, problemi i veriut të Kosovës ka ngelur në tryezë e shpesh edhe jashtë tryezës. Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk parashihen organizata kaq të mëdha ndërkombëtare në Kosovë, me sovranitet deri diku serioz, që e kufizon shtetasin e Kosovës. Unë mendoj se problemet shtrihen edhe në terren dhe legjislacion. UNMIK-u nuk parashihet në legjislacionin e Republikës së Kosovës, ndërsa legjislacioni ynë nuk ka fuqi veprimi në territorin e Kosovës", tha Mavraj.

Ai thotë se për momentin nuk sheh ndonjë mundësi reale që Qeveria e Kosovës do të mund ta shtrijë autoritetin e vet në gjithë territorin e saj.

"Republika e Kosovës do të ballafaqohet me çështjen serbe nëse vazhdohet kështu, me këtë kaos të misioneve ndërkombëtare, sepse edhe misionet ndërkombëtare, për të mos thënë kryesisht ato, e kanë krijuar çështjen e veriut të Kosovës. Misionet ndërkombëtare do të kenë ndikimin kryesor sa i përket kontrollit të shtetit të Kosovës",
thotë Mavraj.

Analisti tjetër, Ismail Hasani, pohon se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, menjëherë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, duhet t'i implementojnë të gjitha përgjegjësitë që dalin nga dokumenti më i lartë juridik i vendit. Sipas tij, çështja që do të kërkojë më shumë përkushtim, do të jetë ajo e komunikimit në mes serbëve dhe shqiptarëve.

"Sfidat janë pjesë e proceseve, e lëvizjeve të ndryshme që ndodhin në raport midis dy entiteteve etnike, që për momentin në Kosovë krijojnë shqetësimet jo vetëm të institucioneve vendore, por edhe të segmenteve të sigurisë dhe të mbrojtjes, përfshirë KFOR-in, EULEX-in dhe administratën e OKB-së në Kosovë, e cila do të mbesë, do të riformulohet në pikëpamje të pozicionit që do të marrë", u shpreh Hasani.

Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, sipas Hasanit, do të rritet ndërgjegjësimi i banorëve serbë të Kosovës për ta kuptuar realitetin e ri të krijuar në Kosovë.

"...sepse një kushtetutë e aprovuar e një shteti të pavarur i obligon të gjithë qytetarët që të sillen me përgjegjësi ndaj institucioneve, të sillen me përgjegjësi edhe ndaj vetes dhe familjes së tyre", thekson Hasani.

Ai thotë se institucionet e Kosovës janë duke pritur kompetenca më të mëdha për vendimmarrje, por, sipas tij, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

"Nuk mendoj se do të ketë kompetenca siç janë pritjet spektakulare për marrjen e kompetencave, sepse Kosova e pavarur është një projekt miks, është një projekt i banorëve të Kosovës, i ndërtuar mbi bazën e pakos së Ahtisaarit dhe investimit të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos SHBA-së dhe faktorëve të tjerë", tha Hasani.

Sido që të jetë, autoritetet më të larta vendore në Kosovë janë zotuar se Kushtetuta do të vihet në funksion dhe do të shtrijë autoritetin e saj në gjithë territorin e Kosovës, por një gjë e tillë mbetet të shihet në të ardhmen.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG