Ndërlidhjet

logo-print

Fuqizohet Kushtetuta e Kosovës


Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi në seancën e miratimit të Kushtetutës, 9 prill 2008.

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi në seancën e miratimit të Kushtetutës, 9 prill 2008.

Në një Akademi solemne, ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë kosovarë, si dhe përfaqësues të shumtë të pranisë civile e ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, është shënuar fuqizimi i Kushtetutës së Kosovës.


Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës paraqet një datë historike që pasohet nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt, ka thënë sot presidenti Fatmir Sejdiu, në Akademinë solemne me rastin e fuqizimit të Kushtetutës së Kosovës.

Në këtë akademi, ku për herë të parë është intonuar himni i sapomiratuar i Kosovës, ndërkaq salla e mbajtjes së saj ishte e stolisur me flamurin dhe stemën e Kosovës, kanë marrë pjesë edhe personalitete të larta të jetës politike kosovare, si edhe përfaqësues të shumtë ndërkombëtarë nga misionet, ambasadat dhe zyrat diplomatike.

Presidenti Sejdiu tha se Kushtetuta është ‘bibla’ dhe ‘kurani’ për Kosovën dhe se ajo garanton barazi të plotë mes njerëzve dhe komuniteteve pa dallim. Sejdiu tha se shteti i Kosovës do të ketë edhe sfida të shumta.

Aktualisht ai tha se ka tendenca nga Beogradi që jo vetëm ta tensionojë gjendjen në Kosovë dhe në pjesën veriore të saj, por edhe ta cenojë qenien e Republikës së Kosovës si shtet. Por, këto sfida, Sejdiu tha se Kosova do t’i përballojë në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë, të pranishëm në Kosovë.

“Aktualisht nuk ka, por do të ketë sundim të ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Republika e Kosovës do të jetë unike, territorialisht dhe funksionalisht, pavarësisht problemeve me të cilat ballafaqohemi sot nga strukturat paralele që sponsorizon Serbia në Kosovë, me qëllim që ta sfidojë rendin dhe ligjin e shtetit tonë dhe madje edhe vetë ekzistencën e Republikës sonë”
, u shpreh Sejdiu.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se nga sot, Kosova merr një dimension të ri, fiton kushtetutshmërinë. Kryeministri kosovar tha se nga sot, institucionet vendore i marrin mbi vete të gjitha përgjegjësitë kushtetuese që u takojnë. Ai tha se me këtë ditë, po sendërtohet lufta e gjatë e Kosovës për liri e pavarësi.

Kjo është dita e Kushtetutës. Kjo është Kushtetuta e sakrificës, e gjakut, e djersës së popullit tonë, kjo është Kushtetuta e vizionit tonë për të ardhmen. Kjo është Kushtetuta e parë e vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës në historinë politike të saj”, tha Thaçi.

Një mesazh kundër cenimit të tërësisë territoriale të Kosovës nga ana e Beogradit, ka adresuar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai ka kritikuar edhe një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, si tha ai, për angazhimet që t’i kthejë prapa proceset në Kosovë.

“Janë tepër shqetësuese tendencat e disa qarqeve ndërkombëtare për prapakthimin e proceseve në Kosovë, që në kuptim më të butë të fjalës nuk i kontribuojnë zgjidhjeve, paqes, sigurisë e stabilitetit. Qarqe politike shtetërore në Beograd e gjetkë po ushqejnë pretendimet e ekstremistëve për ndarjen e Kosovës, por ndarja nuk është e pranueshme për institucionet tona, për bashkësinë ndërkombëtare, e madje as për shumicën e liderëve të komunitetit serb të Kosovës”, theksoi Krasniqi.

Kushtetuta e Kosovës, e miratuar në Kuvend më 9 prill dhe e fuqizuar sot, si dhe 41 ligjet bazike shtetërore që burojnë nga pakoja e Ahtisaarit dhe janë harmonizuar me Zyrën Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, si autoriteti përgjegjës, për të mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes për statusin.

Shteti i Kosovës, deri më tani është njohur nga 43 vende, ndërkaq udhëheqësit kosovarë i ftuan sot edhe vendet tjera që ta bëjnë të njëjtën gjë dhe ta njohin Kosovën si shtet të pavarur e sovran.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG