Ndërlidhjet

BDI fiton rivotimet


Tetovë - Pamje nga votimet e djeshme, 15 qershor 2008.
Tetovë - Pamje nga votimet e djeshme, 15 qershor 2008.

Maqedonia ka kaluar me sukses testin e demokracisë për zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërkohë që fitues në mesin e partive shqiptare në rivotimin e djeshëm dhe në tërësi në procesin zgjedhor është Bashkimi Demokratik për Integrim, i kryesuar nga Ali Ahmeti.



Në mesin e partive maqedonase, fitues në votimin e 1 qershorit është shpallur VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit aktual, Nikolla Gruevski. Këto të dhëna për rezultatet e votimit dhe rrjedhën e procesit zgjedhor janë publikuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve disa minuta pas mesnate.

"Bashkimi Demokratik për Integrim me rivotimin e djeshëm dhe votimin e 1 qershorit ka siguruar 125997 vota, ndërkohë që 83678 vota ka marrë Partia Demokratike Shqiptare", bëri të ditur kryetari i KSHZ-së, Jovan Josifovski.

BDI-ja, në të gjitha njësitë zgjedhore ku dje është rivotuar, ka marrë më shumë vota se oponenti i saj PDSH-ja, ndërkohë që mandatin e deputetit të fituar në votimin e 1 qershorit e ka humbur Partia e Prosperitetit Demokratik.

Kryetari i KSHZ-së, Josifovski, tha se procesi i rivotimit në pjesën më të madhe të vendit ka rrjedhur në atmosferë paqësore dhe demokratike.

“Vlerësoj se Maqedonia me sukses ka dhënë testin që duhej ta jepte gjatë këtij rivotimi. Ky nuk është vlerësimi vetëm i imi, por edhe i anëtarëve tjerë të komisionit. Me këtë, Maqedonia ka dëshmuar se mundet dhe duhet të zbatojë zgjedhje të lira dhe demokratike”, deklaroi Josifovski.

Ndërkohë që Bashkimi Demokratik për Integrim ka bërë të ditur se pas rivotimit të djeshëm, kjo parti ka siguruar 18 mandate, ndërsa oponenti i saj, PDSH-ja -10.

“Pak rëndësi ka se cila parti fiton; e rëndësishme është të fitojë njerëzimi. BDI-ja është përpjekur që t’i triumfojnë vlerat njerëzore në këtë vend. Edhe në të ardhmen do të jemi konsekuentë, do të jemi shumë të vendosur që ngjarje të dhimbshme si ajo e 1 qershorit, kurrë të mos ndodhin. Ju uroj fitoren e madhe që u arritëm përkundër mundimeve dhe sakrificave, por disa herë kemi thënë se nuk ka kush që e mund vullnetin e popullit, se ata njerëz i ndihmon edhe Zoti”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Por, edhe Partia Demokratike Shqiptare, përkundër rezultateve të shpallura nga KSHZ-ja, pretendon se është fituese e zgjedhjeve dhe këtë ajo e shpjegon me, siç thuhet, manipulimet e kryera nga kundërshtari i saj politik.

“Sipas rezultateve të para, ne kemi 13 deputetë, njëjtë sikur më 1 qershor, dhe kjo vetëm se e vulos 1 qershorin, se votat e PDSH-së janë të pastra, të fituara pa asnjë manipulim. Besojmë se me përsëritjen e votimeve do të fitojmë edhe një mandat; gjithashtu besojmë se edhe aleati jonë, PPD-ja, do të rifitojë deputetin e humbur. PDSH-ja është e kënaqur nga rezultati i arritur, ndërkohë që manipulimet e bëra nga BDI-ja janë shumë të mëdha”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Ymer Aliu.

Ndërkohë që përfaqësuesit ndërkombëtarë, në vlerësimet e para të dhëna gjatë ditës së djeshme, procesin zgjedhor e kanë vlerësuar të qetë dhe demokratik.
XS
SM
MD
LG