Ndërlidhjet

Dhuna racore në Rusi

  • Claire Bigg

Rusi, Shën Petersburg - Mbishkrim me përmbajtje racore "Vdekje njerëzve me ngjyrë".

Rusi, Shën Petersburg - Mbishkrim me përmbajtje racore "Vdekje njerëzve me ngjyrë".

Dhuna racore ka arritur rekord gjatë këtij viti në Rusi. 57 persona janë vrarë deri tani në sulmet me motive racore. Problemi, sidoqoftë, nuk është i ri.


Uzbekja 36 vjeçare, Kamola, që jeton në Moskë, është rrahur në një stacion metroje derisa po shkonte në punë. Disa të rinj e kanë goditur, pa paralajmërim, me grushte në fytyrë dhe në stomak.

"Dy meshkuj më goditën papritmas nga pas. Fillimisht më goditën në syrin e djathtë dhe pastaj më thyen hundën. Unë nuk kam bërë asgjë të keqe. Ata më sulmuan vetëm pse isha e mbuluar", tha Kamola.

Ajo nuk e mban mend se si është dërguar në spital. Vetëdija i është kthyer pas katër ditëve, derisa plagët ishin aq të mëdha sa i duhet t'u nënshtrohet operacioneve.

Sidoqoftë, nëna e dy fëmijëve e konsideron veten me fat. Si shumë të huaj dhe pjesëtarë të pakicave etnike që jetojnë në Rusi, ajo është e vetëdijshme se dhjetëra veta çdo vit janë viktima të krimeve nga urrejtja.

Organizata Sova, në Moskë, që monitoron krimet nga urrejtja, thotë se 57 persona janë vrarë dhe 117 të tjerë janë lënduar që nga fillimi i këtij viti në Rusi. Shifrat janë më të larta krahasuar me vitin e kaluar.

"Numri 57 është shumë më i ulët sesa e vlerësojnë disa, por mbledhja e informacioneve është shumë e vështirë. Rastet e tilla nuk janë raportuar në media, kurse organet e rendit nuk na japin të dhëna", tha zëvendësdrejtorja e organizatës Sova, Galina Kozhevnikova.

Intensiteti i sulmeve është po ashtu në rritje, duke evoluar nga rrahjet e rëndomta e deri tek gjymtimet. Egërsia arriti kulmin vitin e kaluar kur në internet u postua një video, në të cilën meshkuj të maskuar ekzekutonin dy njerëz me ngjyrë.

Ministria e Brendshme e Rusisë dhe shërbimi sekret në fillim e mohuan si false videon, në të cilën njërit nga robërit e lidhur iu pre koka ndërsa tjetri u qëllua në kokë. Vërtetësia u dëshmua vetëm kur një njeri nga Dagestani njohu si viktimë vëllaun e tij.

Racizmi ishte fakt jo publik gjatë erës sovjetike. Që nga rënia e BRSS-së, kjo dukuri është bërë shumë e dukshme, sidomos në Rusi. Kremlini ka bërë pak për të zbutur problemin, përkundrazi kritikët thonë se qeveria i ka "hedhur vaj zjarrit".

Rastet e ngritura nga prokuroria po ashtu janë të pakta. Në të njëjtën kohë, kokëqethurit rusë dhe neo-nazistët po përpiqen të organizohen. Në shënjestër nuk janë më zezakët, por të ardhurit nga Azia Qendrore.

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Svetlana Gannushkina, tha se autoritetet përfitojnë nga ekspoatimi i punëtorëve të frikësuar dhe shpirt-thyer.

"Tani viktima kryesore janë njerëzit nga Azia Qendrore. Autoritetet e lejojnë këtë, sepse ai rajon përfaqëson burimin kryesor për punë skllavi. Vullneti i tyre sjell përfitime për ata që i shfrytëzojnë", tha Gannushkina.

Diskriminimi i harlisur, i kombinuar me kërcënimet për sulme, ka krijuar atmosferën e frikës, që i vë nën presion të egër dhe stres imigrantët. Organizatat që merren me ta thonë se ky ankth i shtyn shumë prej tyre në vetëvrasje.
XS
SM
MD
LG