Ndërlidhjet

Serbët kërkojnë nga Beogradi të reagojë kundër Prishtinës


Mitrovica

Mitrovica

Një ditë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, serbët e Kosovës thonë se pavarësisht kundërshtimit politik që i bëhet asaj, realiteti në terren do të ndryshojë. Ata kërkojnë nga Beogradi që të reagojë ndaj veprimeve të Prishtinës.


Serbët e Kosovës kanë kthyer sytë kah Beogradi, për të bërë të pamundur zbatimin e Kushtetutës së Kosovës në veri dhe në enklavat serbe.

Kryetari i asociacionit të komunave dhe vendbanimeve serbe në Kosovë, Marko Jakshiq, është i bindur se Kushtetuta e Kosovës nuk do të jetë e zbatueshme në veriun e banuar me serbë, por ai mendon se qeveria në Prishtinë do të mundohet, siç shprehet ai, që me dhunë ta zbatojë kushtetutën në pjesët qendrore ku jetojnë serbët.

“Unë pres që Beogradi, në një formë të fuqishme dhe pa ekuivokë, të ndërmarrë masa reciproke. Çka nënkupton kjo? Kjo nënkupton se Prishtina nuk mundet t’u vështirësojë jetën serbëve në territorin e Kosovës, e këtë Beogradi ta shikojë qetë”.

“Beogradi duhet të veprojë me masa të njëjta dhe në mënyrë unike të luftojë për këtë hapësirë. Nuk duhet të luftojë vetëm me fjalë dhe me aktivitete diplomatike, por duhet të luftojë edhe në forma tjera. Atë që ne e dimë hë për hë, është se Kosova në shumë aspekte varet nga Serbia”, shprehet Jakshiq.

Kushtetuta e Kosovës hyri dje në fuqi, duke zëvendësuar kështu Kornizën Kushtetuese, me të cilën qe qeverisur Kosova për vite me radhë. Serbët kundërshtojnë këtë kushtetutë.

Por, ka nga ata që thonë se zbatimi i saj do të ndjehet në praktikë, pavarësisht kundërshtimit politik që po i bëhet aktit më të lartë juridik.

“Sigurisht se do të ketë ndryshime të caktuara ashtu edhe siç paralajmërohet. Shumë nga ata që vozisin me tabela serbe, duhet të paguajnë 50 euro nëse hyjnë në Kosovë dhe nuk mund të hyjnë pa kartonin e gjelbër, kështu që ka diskriminim këtu”.

“Gjithashtu, mund të priten probleme, duke pasur parasysh deklaratën e kryeministrit Thaçi se institucionet e Kosovës do të realizojnë pushtetin në tërë territorin e Kosovës dhe paralajmërimet e tij se duhet të zhbëhen strukturat paralele. Ne jemi kundër kësaj, pasi që nëse zhduken strukturat e shtetit të Serbisë, nuk do të ketë serbë në Kosovë”, thotë Goran Arsiq, kryeshef i të ashtuquajturit Qark të Prishtinës.

Në anën tjetër, politikani serb, Oliver Ivanoviq, vlerëson se serbët në veri të Kosovës janë në një pozicion më të volitshëm dhe se zbatimi i kushtetutës mund të bëhet vetëm nëse pajtohen dhe serbët që jetojnë atje.

Ai thotë se kushtetuta do të ketë ndikim më të madh te serbët që jetojnë në enklavat në Kosovën qendrore.

“Konsideroj se situata do të jetë jashtëzakonisht e pavolitshme pasi që zyrtarët serbë do të kërkojnë që të mos bashkëpunohet me EULEX-in, ndërsa UNMIK do të ketë gjithnjë e më pak. Me Qeverinë e Kosovës dhe me shqiptarët do të jetë e pamundur të bashkëpunohet, pasi që aty nuk do të ketë serbë, ndërsa mosbesimi në mes të shqiptarëve dhe serbëve është edhe më tej i lartë”.

“Ata do të ndihen të pashpresë, për ta situata do të jetë e pavolitshme dhe unë konsideroj se Qeveria e Serbisë duhet të ndryshojë diçka sa i përket ligjeve nga pakoja e Ahtisaarit. Nëse nuk ka qasje tjetër ndaj kushtetutës, konsideroj se Qeveria e Serbisë duhet të formohet sa më shpejt dhe të fillojë me vënien e raporteve më të mira me UNMIK-un dhe jo siç ka qenë praktikë deri më tash, që t’i ashpërsojë marrëdhëniet. Jo për shkak të qeverisë, por për shkak të serbëve që jetojnë këtu”, tha Ivanoviq.

Ndryshe, edhe vetë presidenti Fatmir Sejdiu ka pranuar në ceremoninë e hyrjes në fuqi të kushtetutës, se aktualisht nuk ka sundim të ligjit në gjithë territorin e Kosovës.

Ai është zotuar se Republika e Kosovës do të jetë unike – territorialisht dhe funksionalisht – pavarësisht, siç ka thënë, problemeve me të cilat ballafaqohet sot nga strukturat ilegale që sponsorizon Serbia në Kosovë, me qëllim që ta sfidojë rendin dhe ligjin e shtetit kosovar, madje edhe vetë ekzistencën e Republikës së Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG