Ndërlidhjet

“UNMIK-u në pauzë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Krerët e UNMIK-ut, që nga e diela kur ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, janë në një pushim, i cili është kushtëzuar nga mungesa e një sinjali zyrtar nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, lidhur me fazën e rikonfigurimit të këtij misioni. Burime të gazetës kanë bërë të ditur se shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, dhe zëvendësi i tij, Lawrence Rossin, në fakt, ka mundësi që të mos e presin atë ditë, kur vjen njoftimi nga Ban Ki-Mooni, meqë të dytë deri në fund të javës pritet që të largohen nga detyra e tyre në UNMIK. "Në UNMIK, në fakt, gjithçka është në pauzë. Është ndalur koha, dhe tani po presim Nju Jorkun që të kurdisë mekanizmin e nevojshëm për të na mundësuar që të ecim tutje", i kanë shpjeguar gazetës burime ndërkombëtare. Në anën tjetër, siç thuhet në UNMIK, është megjithatë një pajtim me faktorin kosovar që rastet, të cilat kanë qenë më herët në varësi të këtij misioni, të procedohen në pajtim edhe me autoritetet kosovare...

EPOKA E RE
Me gjithë problemet juridike, plani për realizmin e shtetësisë së plotë të Kosovës, i cili ka mbështetjen e Perëndimit, po shkon në drejtim të mirë, i ka thënë gazetës "Financial Times", përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, duke theksuar se Ban Ki Mun ka pranuar miratimin e Kushtetutës së Kosovës si realitet politik, gjë që është, siç ka thënë ai, ndihmesë për njohjen e pavarësisë. Feith, megjithatë, ka theksuar edhe premtimin që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ia ka ofruar Serbisë, se në një kohë të caktuar do ta lejojë ekzistimin e status quo-s në komunat me shumicë serbe, gjë që do të mund të shpinte në ndarjen funksionale të Kosovës, shkruan "Financial Times", kurse përcjell BBC-në në gjuhën serbe. Gazeta konstaton se Kushtetuta e Kosovës të dielën ka hyrë në fuqi, kurse me këtë rast nuk është sqaruar se në çfarë mënyre Bashkimi Evropian do ta mbikëqyrë, siç e ka përshkruar gazeta, këtë territor të tendosur ballkanik...

EXPRESS
Ramush Haradinaj nuk i është bashkuar liderëve të institucioneve të Kosovës, të dielën, në ceremoninë zyrtare që ka shënuar hyrjen në fuqi të Kushtetutës së vendit, ku të pranishëm ishin edhe shumë përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe diplomatë të akredituar në Prishtinë. Mosprania e Haradinajt në këtë ceremoni ka nxitur komente të ndryshme, ndërsa si një nga arsyet kryesore konsiderohet ftohja e raporteve me disa liderë institucionalë, në veçanti me kryeministrin Hashim Thaçi. Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të hënën, nuk kanë mundur të shpjegojnë saktësisht mosparaqitjen e Haradinajt në këtë ceremoni. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë për Express se mungesa e Haradinajt ka të bëjë me angazhimet e tij. Ai, megjithatë, nuk është shumë i sigurt nëse kreu i AAK-së është ftuar në këtë ceremoni. "Zoti Haradinaj ka pasur angazhime dhe ka pasur agjendë të mëhershme të punës së tij, prandaj nuk e di saktësisht, sepse nuk jam konsultuar rreth pjesëmarrjes me rastin e ceremonisë së Kushtetutës. Por, nuk di saktësisht nëse ka pasur ftesë", ka thënë Isufi...

LAJM
Postet e ministrit të Mbrojtjes, të zëvendësministrit të kësaj ministrie, si dhe ai i zëvendësministrit të Punëve të Jashtme vazhdojnë të jenë vakante në Qeverinë e Kosovës. Me gjithë paralajmërimet se këto tri pozita do të plotësoheshin para hyrjes në fuqi të Kushtetutës, ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Dy zëvendëskryeministrat e Qeverisë nuk janë në gjendje të tregojnë përafërsisht se kur mund të kompletohen këto pozita. Thonë se kjo gjë do të ndodhë së shpejti. Arsyet e vonesës, sipas tyre, kanë të bëjnë me qartësimin me ndërkombëtarët për sa u përket të gjitha çështjeve që lidhen me sigurinë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë çështje. Por, siç u shpreh ai, ka nevojë edhe për disa konsultime ndërkombëtare…

KOSOVA SOT
Largimi i Përfaqsuesit Special, Jaochim Ruecker, që shkurtimisht njihet si PSSP, hap një fazë të re në raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare. Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës me mbarimin e fazës së tranzicionit, kompetencat janë bartur tek autoritetet kosovare, por vetoja mbetet edhe më tutje në duart e përfaqësuesit ndërkombëtar. Pavarësia edhe për një kohë të pacaktuar do të jetë e kushtëzuar nga administratorët e huaj, të cilët, sidoqoftë, kanë më pak fuqi, për dallim nga ajo që kishin në duart e tyre Rueckeri dhe paraardhësit e tij. Kjo është pozitive nëse i referohemi kapërcimit që iu bë Rezolutës 1244 me rastin e respektimit të pakos së Ahtisaarit edhe pa dritën e gjelbër të Këshillit të Sigurimit. Dobësimi i pozicionit të shefit të UNMIK-ut, pas 15 qershorit, i hap rrugën ndërtimit të një shteti demokratik, por mundësia për të rikthyer autokracinë mbetet edhe më tutje...

ZËRI
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në të cilën do të debatohet për Propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së do të jetë hapi i dytë në procedurën paraprake të përgatitjes për fillimin e implementimit të Planit të Ban Ki-Munit. Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën, sipas të gjitha gjasave, do të ftohen Prishtina dhe Beogradi për të marrë pjesë, do të mbahet të premten, më 20 qershor. Në instancën më të lartë të sigurisë botërore, vetëm do të diskutohet për Raportin dhe Propozimet e Ban Ki-Munit dhe nuk do të votohet, sepse një gjë e tillë nuk parashihet në këto raste. Megjithatë, nëse në Këshillin e Sigurimit diskutimet do të shkojnë në një drejtim pozitiv, ashtu që do të mbërrihet edhe tek konkludimet e përbashkëta, apo rekomandimet për Ban Ki-Munin, të cilat do ta plotësonin dhe pasuronin Propozimin e tij për riorganizimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, atëherë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, është i detyruar t'i shqyrtojë këto rekomandime dhe t'i marrë parasysh...

INFOPRESS
Përcaktimi i statusit politik të Kosovës, pavarësimi i saj jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në pamundësi të shfuqizimit të Rezolutës 1244 dhe nxjerrjes së një rezolute të re, ka krijuar konfuzion në raportet OKB-BE rreth pranisë së ardhshme civile ndërkombëtare në Kosovë. Nisur nga kjo, vendimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, për rikonfigurimin e UNMIK-ut pa i dhënë fund misionit të tij, ka krijuar një bashkëdyzim misionesh ndërkombëtare në Kosovë, sado që roli i UNMIK-ut do të jetë simbolik. Fuqizimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 15 qershor, e cila nuk parasheh mision të OKB-së në Kosovë, iu ka deleguar institucioneve vendore kompetencat shtetërore, duke e zhveshur nga to misionin e UNMIK-ut. Në anën tjetër, pakoja e Ahtisaarit parasheh vendosjen e EULEX-it, si mision mbikëqyrës i institucioneve të Kosovës në zbatim të kësaj pakoje...


XS
SM
MD
LG