Ndërlidhjet

Lufta kundër varfërisë


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Varfëria në Kosovë vazhdon të jetë në përmasa shqetësuese për institucionet dhe shoqërinë kosovare. Kështu thonë zyrtarë të qeverisë dhe ekspertë të ekonomisë, sipas të cilëve, ajo mund të zbutet vetëm me zhvillim ekonomik.

Mbi 45 për qind e popullatës në Kosovë jetojnë në varfëri, 15 për qind prej tyre në varfëri të skajshme, ndërkaq 18 për qind e qytetarëve të tjerë janë të rrezikuar nga varfëria.

Këto janë të dhënat e fundit të Bankës Botërore dhe Entit të Statistikave të Kosovës. Dhënë me shifra të tjera, sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, mbi 37 mijë familje kosovare, me 160 mijë anëtarë, jetojnë vetëm me asistencë sociale, që marrin nga 35 deri në 75 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve të tyre.

Kështu thotë Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit të Mirëqenies Sociale në këtë ministri, duke shtuar se me gjithë përpjekjet e ministrisë, për të zbutur këtë gjendje, situata është e vështirë, për shkak të mungesës së mjeteve materiale, pasi buxheti i kësaj ministrie për këtë kategori kap shumën vetëm 29 milionë euro në vit. Ai, madje, thotë se gjendja e rëndë sociale nuk mund të zbutet me skema sociale.

“Pa investime, pa zhvillim ekonomik, vetëm programet sociale nuk mund ta ulin varfërinë. Ne tani presim që në Kosovë të hyjë kapitali, do të hyjnë investime, do të rritet shkalla e punësisë. Dhe, në këtë mënyrë do të bien kërkesat, sepse përndryshe ne e kemi që tetë vjet njëjtë, sado pak që mund të themi se ka rënë në një përqindje shumë të vogël, me rastin e punësimeve private. Por, megjithatë, vazhdon të mbetet e njëjtë, sepse vazhdon të mos ketë shumë investime dhe shumë zhvillim në Kosovë”, thotë Gjocaj.

Por, edhe mbi 17 mijë familje të tjera, të cilat nuk gëzojnë asgjë nga qeveria, janë të regjistruara në Kryqin e Kuq të Kosovës, thotë Feride Hyseni, nga kjo organizatë. Sipas saj, problem tjetër në luftimin e varfërisë është zvogëlimi i interesimit të donatorëve të huaj dhe mungesa e solidaritetit në shoqëri.

Ajo pohon se donatorët mendojnë se ka kaluar koha emergjente në Kosovë, ndërkaq, sipas saj, pikërisht tash, Kosova gjendet në fazën emergjente sa i përket gjendjes sociale, sepse, siç thotë ajo, njerëzit vuajnë për gjërat elementare.

“Solidariteti në popull është zbehur një çikë, për shkak se njerëzit që kanë, pretendojnë të kenë edhe më shumë në këto rrethana kosovare dhe po krijohet një dallim shumë i thellë në mes dy shtresave - të varfër dhe të pasur”, shprehet Hyseni.

Ajo thotë se Kryqi i Kuq i Kosovës nuk ka mundësi që vazhdimisht t’i ndihmojë familjet në nevojë.

“Burime vetanake nuk kemi të mjaftueshme, megjithatë, mundohemi që dy herë në vit të intervenojmë me një sasi të miellit dhe vajit kryesisht. Ne nuk pushojmë se kërkuari donatorë edhe në Kryqet e Kuqe dhe Gjysmëhënë të Kuqe në shtetet tjera. Si Kryq i Kuq, ne i kemi 17 mijë e 500 familje nevojtare, të evidentuara me kriteret tona, andaj jemi shumë larg përmbushjes së nevojave në krahasim me mundësitë”, thotë Hyseni.

Asistenca sociale dhe ndihmat që jep Kryqi i Kuq krijojnë mundësi për mbijetesë, por jo edhe zbutje të gjendjes sociale, thonëë ekspertët ekonomikë. Ali Jakupi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se pa zhvillim ekonomik, vështirë se do të ketë përmirësim të gjendjes sociale.

Ai, megjithatë, shpreson se nëse institucionet vendore merren me seriozitet në këtë fushë, gjendja sociale mund të fillojë të përmirësohet në vitin 2010.

“Varfëria mund të zbutet vetëm nëpërmes ndërtimit të strategjisë dhe planit afatgjatë, se si të krijohet një bazë më e mirë materiale dhe ata që vërtet janë në gjendje të skajshme, të evidentohen dhe t’iu përmbushen së paku nevojat minimale”, tha Jakupi.

Sidoqoftë, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale pohojnë se një përmirësim i mundshëm i gjendjes sociale mund të ndodhë pas mbajtjes së Konferencës së Donatorëve, edhe pse lidhur me këtë ekspertët e ekonomisë shprehen skeptikë.
XS
SM
MD
LG