Ndërlidhjet

logo-print

Presidenti Sejdiu i dërgoi letër zotit Ban Ki-moon


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas konsultimeve dhe në pajtim me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

"Ne kuptojmë që OKB-ja do të vazhdojë të kryejë, për një kohë të kufizuar, funksione të zbatimit të ligjit, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, deri në kohën kur Bashkimi Evropian të mund ta kryejë rolin e vet operativ".

Në letër, zoti Sejdiu ofron gatishmërinë e institucioneve qendrore për të qenë të hapur ndaj propozimit të fundit të zotit Ban për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, "për të diskutuar aranzhmanet e mundshme praktike dhe për të adresuar kërcënimet ndaj stabilitetit".

"Vlerësojmë zotimin tuaj për t'u konsultuar ngushtë me ne, pasi që aranzhmane të tilla nuk janë të mundshme pa pjesëmarrjen dhe aprovimin e Qeverisë së Kosovës", thuhet në letrën e presidentit, e cila është bërë publike nga vetë kabineti i tij.

Zoti Ban i ka dërguar më 13 qershor presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë nga një letër, për rikonfigurimin e mandatit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
XS
SM
MD
LG