Ndërlidhjet

Serwer: Kosova shumë afër ndarjes


Daniel Serwer
Daniel Serwer

"Jemi shumë afër ndarjes së Kosovës dhe kjo është fatkeqësi, pasi do të ketë implikime rajonale. Është gabim të pranohet ndarja e Kosovës si de facto, ashtu edhe ajo e ligjëruar", thotë për Radion Evropa e Lirë, Daniel Serwer, nga Instituti Amerikan i Paqes.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Serwer, nga 15 qershori Kosova ka Kushtetutën e saj. Çfarë e bën këtë moment të rëndësishëm dhe njëherësh cilat janë sfidat që nxjerr në sipërfaqe?

DANIEL SERWER
Mendoj se është e rëndësishme që çdo vend të ketë kushtetutën e vet, hartuar nga vendorët. Rasti me Kushtetutën e Kosovës është se është hartuar nën shumë kufizime ndërkombëtare. Megjithatë, ajo është bërë nga kosovarët dhe është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Nga ana tjetër, kjo kushtetutë trashëgon një mori sfidash. Është një kushtetutë e një shoqërie demokratike, por do të duhet një kohë e gjatë derisa Kosova t’i përmbushë idealet e kushtetutës së saj. Kjo është një pikë nga ku fillohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Pak ditë para hyrjes në fuqi të Kushtetutës, kreu i Kombeve të Bashkuara paraqiti planin e tij për praninë ndërkombëtare në Kosovë. Mes të tjerash, propozimi parasheh futjen e BE-së nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. Çfarë do të thotë ky propozim për Kosovën?

DANIEL SERWER
Kombet e Bashkuara janë në një pozitë të vështirë, duke ditur se Këshilli i Sigurimit është i përçarë rreth Kosovës. Disa vende anëtare të Këshillit të Sigurimit e kanë njohur pavarësinë, por ato e kanë kuptuar se Rezoluta 1244 është ende në fuqi dhe kjo bën që të kemi një ombrellë të Kombeve të Bashkuara. Për mendimin tim kjo ombrellë duhet të jetë shumë e hollë.

Mendoj se misioni i OKB-së është në fundin e vet dhe Bashkimi Evropian duhet t’i marrë funksionet kryesore, ku duhet ndihma ndërkombëtare. Më e rëndësishmja në këto fusha është shteti ligjor dhe këtu duhet të kemi të pranishëm misionin e Bashkimit Evropian.

Në të njëjtën kohë, Beogradi po përpiqet shumë për ta ndarë Kosovën dhe për mendimin tim, as Kombet e Bashkuara, as Bashkimi Evropian, nuk po bëjnë sa duhet për ta ndaluar një gjë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të ndalesha tek ndarja, kur duket se propozimi i Ban Ki Moon-it lë UNMIK-un në zonat e populluara me shumicë serbe, kurse BE-ja ka më shumë përgjegjësi në zonat e banuara nga shqiptarët. A do të thotë kjo se bashkësia ndërkombëtare po pranon në heshtje ndarjen e Kosovës?

DANIEL SERWER
Mendoj se jemi shumë afër një gjëje të tillë dhe kjo është fatkeqësia, pasi do të ketë implikime rajonale. Është gabim të pranohet ndarja e Kosovës si de facto, ashtu dhe ajo e ligjëruar. Megjithatë, mendoj se jemi shumë afër kësaj.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se propozimi i kreut të Kombeve të Bashkuara shkon në këtë drejtim?

DANIEL SERWER
Ajo që shkon në këtë drejtim është pozicioni i Beogradit. Beogradi, duke refuzuar të pranojë pavarësinë e Kosovës, duke ruajtur kontrollin në zonat e banuara me serbë jo vetëm në veri, por edhe në enklavat në pjesë të tjera të Kosovës, duke u përpjekur t’i ndajë sa më shumë serbët dhe shqiptarët, po e nxit ndarjen.

Kombet e Bashkuara vetëm po reagojnë ndaj qëndrimit të Beogradit. Brukseli dhe Uashingtoni duhet të zgjohen dhe të shohin se çfarë po ndodh.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket disi e çuditshme, pasi Beogradi ka refuzuar çdo propozim të ndërkombëtarëve, përfshirë dhe këtë të Ban Ki Moon-it. A po refuzon realisht Beogradi apo po përpiqet të përfitojë sa më shumë?

DANIEL SERWER
Mendoj se po përpiqet të përfitojë sa më shumë. Ata kanë negociuar shumë mirë. Sa herë që Beogradi ka hedhur poshtë një propozim, njerëzit janë përpjekur të sjellin propozime të reja, që janë më afër qëndrimit të Serbisë.

Mendoj se kjo është mënyrë e gabuar negocimi nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të thotë kjo për palën kosovare?

DANIEL SERWER
Pala kosovare ka qenë mençurisht e duruar. Them mençurisht, pasi nuk ka pasur mundësi të bëjë më shumë.

Është koha për Uashingtonin dhe Brukselin të zgjohen dhe të kuptojnë se problemi i tyre është në Beograd dhe duhet ta zgjidhin problemin në Beograd. Nuk ka problem me Kosovën, por me Beogradin.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të kthehesha sërish tek propozimi i Ban Ki Moon-it, i cili në një mënyrë ndryshon edhe planin e Ahtisaarit. Ndryshimet në planin e Ahtisaarit a shtojnë pikëpyetje rreth shtetësisë së Kosovës?

DANIEL SERWER
Jo. Shtetësia e Kosovës është e vendosur. Populli i Kosovës dhe njohja nga bashkësia ndërkombëtare kanë vendosur tashmë për shtetësinë e Kosovës.

Ajo që mund të bëjnë njerëzit në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën, për të siguruar shtetësinë e tyre, është të trajtojnë mirë pakicën serbe dhe të integrojnë këtë bashkësi sa më shumë që të jetë e mundur. Kjo është ajo që nevojitet dhe shpresoj të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të flasim për integrim kur serbët e Kosovës refuzojnë çdo shtrirje dore?

DANIEL SERWER
Është e vërtetë, por duhet mbajtur dera hapur. Është e vërtetë se serbët e Kosovës janë nën presion të jashtëzakonshëm nga Beogradi, që të mos integrohen me shumicën shqiptare.

Unë do të bëja të kundërtën e asaj që dëshiron armiku im dhe kjo është të përpiqesha të integroja pakicën serbe sa më shumë që të jetë e mundur. E përsëris, të lihet dera hapur.

Siç e kam sugjeruar dhe më parë, të hapen shkolla të përbashkëta për serbët dhe shqiptarët, nga parashkollorët deri në klasën e 12-të, ku mësimi do të zhvillohet në anglisht - atëherë do të shohim një integrim shumë më të shpejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se është koha për Uashingtonin dhe Brukselin të zgjohen, për të ndaluar ndarjen. Si e shihni rolin e Shteteve të Bashkuara, duke pasur parasysh se ky është një vit zgjedhor?

DANIEL SERWER
Është fakt se vëmendja e Shteteve të Bashkuara është e fokusuar në të tjera drejtime dhe jo në Kosovë. Si rezultat, Kosova është më shumë në duart e evropianëve, sesa të amerikanëve. Nuk besoj se kjo është diçka e mirë, por është realitet.

Megjithatë, ka evropianë që e kuptojnë shumë mirë situatën dhe mund të jenë shumë të vyer në këto momente.

Ajo që mund të bëjë Kosova është të lërë derën hapur dhe të bëjë ç'është e mundur për integrimin e serbëve, madje më shumë se ç'ofron vetë Beogradi.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë që shumëçka është në duart e evropianëve, të cilët tani po përballen me krizën e krijuar nga ‘JO’-ja irlandeze për Marrëveshjen e Lisbonës. Sa ndikon kjo krizë e fundit në efikasitetin e Brukselit në Kosovë?

DANIEL SERWER
Padyshim që e largon vëmendjen e Brukselit për t’u marrë me Kosovën. Por, nga ana tjetër, Kosova është sovrane dhe kosovarët duhet të sillen si sovranë.

Ata duhet të kenë koncept të qartë të qëllimeve të tyre dhe këto qëllime duhet të jenë ruajtja e integritetit territorial dhe kjo nënkupton integrimin e serbëve sa më shumë që të jetë e mundur.
XS
SM
MD
LG