Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës s’i ka funksionalizuar ende ministritë e reja


Qeveria e Republikës së Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës

Pas fuqizimit të Kushtetutës, qeveria vendore mund të themelojë edhe dy ministri të reja, atë të Mbrojtjes dhe Ministrinë e Jashtme. Po ashtu, kapacitetet e reja kushtetuese i mundësojnë Kosovës që tani të themelojë edhe Agjencinë Kosovare të Inteligjenciess. Për të gjitha këto organe, partnerët qeverisës janë ende në konsultime e sipër dhe aktualisht funksionon me kapacitete të përgjysmuara vetëm Ministria e Jashtme.

Partnerët qeverisës në Kosovë, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike, nuk kanë arritur që t’i themelojnë dhe funksionalizojnë ministritë e reja, që parashihen të fillojnë edhe zyrtarisht punën pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Bëhet fjalë për Ministrinë e Mbrojtjes, e cila ende nuk ka filluar të formohet, dhe Ministrinë e Jashtme, e cila është në themelim e sipër dhe se aktualisht funksionon përmes ministrit Skënder Hyseni.

Sipas marrëveshjes PDK-LDK, Ministria e Jashtme i përket LDK-së, sikurse edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, kurse PDK-së i përket ta drejtojë atë të Mbrojtjes dhe të caktojë zëvendësministrin e Jashtëm.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, thotë se PDK-ja i ka deleguar përgjegjësitë e saj te kryeministri Hashim Thaçi, që t’i emërojë ministrat për kabinetin e tij.

“Partia Demokratike e Kosovës, në mbledhjen e fundit, ia ka deleguar kryeministrit Hashim Thaçi, njëherësh kryetar i PDK-së, mandatin e plotë për të përcaktuar kandidatët, të cilët do të udhëheqin, njëri si ministër i Mbrojtjes, e tjetri si zëvendësministër i Jashtëm. Presim që shumë shpejt kryeministri Thaçi të dalë me emrat dhe me propozimet”, tha Çitaku.

Zëdhënësja e PDK-së thotë se deri më tani, kjo parti politike nuk ka përcaktuar ndonjë kandidat për ministër të Mbrojtjes, duke mos i konfirmuar emrat e disa përfaqësuesve të kësaj partie, të përfolur në mediat vendore si ministra të mundshëm.

Ndërkaq, zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari, thotë se LDK-ja, pasi që kishte përcaktuar ministrin Skënder Hyseni për postin e ministrit të Jashtëm, tani do të emërojë edhe zëvendësministrin e Mbrojtjes, sapo që PDK-ja të përcaktohet për kandidatin për ministër të Mbrojtjes. Miftari thotë se do të jetë me rëndësi që të fillohet me punën e këtyre ministrive.

“Nuk është biseduar ende konkretisht në kuptimin e kandidaturave, mirëpo ne, megjithatë, shpresojmë se para së gjithash do të fillojë ndërtimi i këtyre kapaciteteve; këtu nënkuptoj në veçanti emërimin e ministrit të Mbrojtjes”, thotë Miftari.

Një përgjegjësi dhe fushë shtesë që do të kenë institucionet e Kosovës tani pas fuqizimit të Kushtetutës, është edhe themelimi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Vehbi Miftari thotë se AKI-ja duhet të themelohet në bazë të ligjit, duke e ruajtur anën profesionale dhe duke mos lejuar politizimin e saj, si një organ shumë i rëndësishëm për shtetin e Kosovës.

“Agjencia e Inteligjencies, si dhe shërbimet tjera të jenë krejtësisht profesionale. Ne e kemi diskutuar në parim ndërtimin e këtyre kapaciteteve, mirëpo nuk jemi ndalur në detaje, pasi që tashmë është miratuar ligji dhe ligji e përcakton qartë mënyrën e krijimit të saj dhe emërimin e njerëzve që do të udhëheqin me këtë shërbim’, thekson Miftari.

Edhe zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se PDK-ja nuk do të përzihet në çështjen e themelimit të AKI-së, duke e ruajtur paanshmërinë e saj politike.

“Çështja e Agjencisë Kosovare të Inteligjencies nuk është çështje që duhet të diskutohet në forume partiake dhe në këtë kontekst, PDK-ja nuk ka biseduar për diçka të tillë”, thotë Çitaku.

Këto ditë, një prej shërbimeve më të fuqishme sekrete vendore, ai i SHIK-ut, i afërt me PDK-në, sipas drejtuesit Kadri Veseli, ka marrë definitivisht vendim që të shpërbëhet, për t’i lëshuar vendit AKI-së, si shërbim i inteligjencies në nivel të Kosovës.

Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar tashmë të gjitha ligjet e nevojshme për formimin e ministrive dhe kapaciteteve të reja që parashihen edhe me Kushtetutë, por mbetet që këto organe të themelohen, si zakonisht, edhe pas një procesi konsultimesh ndërmjet qendrave politike vendore, sidomos partive në pushtet dhe mekanizmave ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG