Ndërlidhjet

logo-print

Izraeli dhe Hamasi bëjnë armëpushim


Izraeli ka pranuar armëpushimin me Hamasin, pas ndërmjetësimit të Egjiptit. Armëpushimi fillon nga dita e nesërme.

Lajmi u konfirmua nga Amos Gilad, zyrtar izraelit, i cili mëngjesin e sotëm u kthye nga bisedimet në Egjipt.
Duke folur në radion izraelite, Gilad tha se megjithatë nuk "bëhet fjalë për marrëveshje paqësore".

Nga ana tjetër, Sami Abu Zuhri, zyrtar i Hamasit në Rripin e Gazës, tha se "tani kemi një marrëveshje, të cilës duhet t'i binden të dyja palët, si palestinezët dhe izraelitët".

Izraeli ka deklaruar se do t'i vazhdojë përgatitjet për një operacion ushtarak në shkallë të gjerë, nëse armëpushimi dështon.

Sipas burimeve palestineze armëpushimi parasheh ndalimin e gjuajtjes me raketa nga Gaza në drejtim të Izraelit.

Në shkëmbim Izraeli do lehtësojë bllokadën një vjeçare dhe nuk do ndërmarrë operacione ushtarake në Rripin e Gazës.

Ky i fundit është në kontrollin e Hamasit.
XS
SM
MD
LG