Ndërlidhjet

logo-print

“Bisedime për krijimin e komunës së Mitrovicës veriore”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Zyra Civile Ndërkombëtare, UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës kanë filluar bisedimet për krijimin e komunës së Mitrovicës Veriore, që parashihet me planin e Martti Ahtisaarit. Burime të gazetës kanë bërë të ditur se prania civile ndërkombëtare në tavolinën e bisedimeve ka sjellë një draft-rregullore, me të cilën synon të nisë procesin e krijimit të komunave të reja, që parashihen me planin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit. Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, të martën, kanë konfirmuar fillimin e këtyre bisedimeve, duke i cilësuar interne. Ndërkohë që fillimi i tyre është konfirmuar edhe nga zyrtarë ndërkombëtarë në Prishtinë. Jozyrtarisht mësohet se kjo temë së fundi është diskutuar mes Joachim Ruecker dhe Pieter Feith me liderë kosovarë, në takimet e së hënës. "Ruecker ka biseduar të hënën me presidentin Fatmir Sejdiu lidhur me krijimin e komunës së Mitrovicës Veriore. Për këtë çështje, UNMIK-u ka biseduar edhe më herët me zyrtarë të institucioneve të Kosovës. Deri më tash nuk ka marrëveshje", kanë thënë për gazetën burime ndërkombëtare...

LAJM
Për pavarësinë e Kosovës kanë vendosur në Kosovë, ndërsa Bashkimi Evropian e ka pranuar realitetin e ri të krijuar atje, ka deklaruar të martën shefi i diplomacisë sllovene, Dimitrij Rupel. Kjo deklaratë e ministrit slloven, Rupel, është dhënë menjëherë pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i mbajtur një ditë më herët në Luksemburg. Rupel ka thënë, për gazetarët serbë, se kriza jugosllave duhej mbyllur dhe se Sllovenia në rolin e presidencës së Bashkimit Evropian ka qenë e suksesshme ne përfitimin e pajtimit të anëtarëve rreth Kosovës, ndonëse, siç pranon, ka pasur vështirësi me të cilat është ndeshur. "Sllovenia nuk ka vendosur për datën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo datë ka qenë rrjedhojë e zhvillimeve në Kosovë dhe rastësisht ka ndodhur në momentin e presidencës sllovene me BE-në"...

KOSOVA SOT
Mekanizmat ndërkombëtarë nuk do të ndërhyjnë në imponimin e zgjedhjeve sipas pakos "Ahtisaari", sikur që i kërkon opozita. Përplasjet që kanë ndodhur ditëve të fundit në deklaratat e artikuluara mes blloqeve politike të pozitës dhe opozitës, për legjitimitetin e thirrjes në mbajtjen e zgjedhjeve të reja nacionale, sipas pakos "Ahtisaari", sipas të gjitha gjasave, nuk do ta inkurajojnë faktorin ndërkombëtar në Kosovë që të ndërhyjë në imponimin e vendimmarrjes për këtë proces. Përderisa kompetencat e shpalljes së zgjedhjeve dhe të menaxhimit të tyre, pas miratimit të kushtetutës dhe hyrjes së saj në fuqi, kalojnë plotësisht në institucionet vendore, OSBE-ja është deklaruar se nuk do të ndikojë fare në këtë proces, prandaj edhe nuk ka qëndrim për t'u deklaruar rreth këtij debati. "OSBE-ja nuk ka qëndrim për këtë çështje. Qeveria e Kosovës ka deklaruar që kushtetuta ka hyrë në fuqi dhe në bazë të kushtetutës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është përgjegjës për zgjedhjet. Sipas kushte-tutës, presidenti e emëron kryesuesin e KQZ-së...” ka deklaruar për gazetën zëdhënësja e OSBE-së, Eli Fllen...

KOHA DITORE
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka shprehur kreut të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, gatishmërinë e autoriteteve kosovare për të diskutuar çështjet, të cilat parandalojnë prishjen e stabilitetit në vend. Në një përgjigje të letrës, presidenti Sejdiu i ka shkruar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së se çfarëdo plani që të ketë kjo organizatë për sigurinë në vend, Prishtina zyrtare nuk mund të anashkalohet. "Jemi të hapur ndaj propozimit tuaj për të diskutuar aranzhmanet e mundshme praktike për të adresuar kërcënimet ndaj stabilitetit. Vlerësojmë zotimin tuaj për t'u konsultuar ngushtë me ne, pasi që aranzhmane të tilla nuk janë të mundshme pa pjesëmarrjen dhe aprovimin e Qeverisë së Kosovës", thotë presidenti Sejdiu në letrën e tij. Kjo përgjigje e presidentit të Republikës vjen pesë ditë pas letrës që i ka dërguar Ban Ki-moon Sejdiut dhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, për hapjen e shtegut të Bashkimit Evropian që të zbarkojë misionin e tij EULEX...

EPOKA E RE
Shef i ri i UNMIK-ut, siç pritet në OKB, do të duhej të ishte diplomati italian, Lamberto Zanier, ka konfirmuar të martën një zyrtar i OKB-së. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, sipas pohimeve të këtij zyrtari të OKB-së, që e ka përcjell agjencia "Reuters", do të duhej ta emëronte Zanierin për shef të UNMIK-ut. "Emërimi do të duhej të bëhej gjatë kësaj jave", ka thënë zyrtari i OKB-së, në kushte anonimiteti, duke shtuar se arritja e Zanierit në Kosovë është planifikuar për të premten. Zanier do ta marrë detyrën nga Joakim Ryker, që është pjesë e planit mbi rikonfigurimin e misionit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zanier është diplomat dhe ish-drejtor i Qendrës së OSBE-së për Parandalimin e Konflikteve në Vjenë. Ai do të jetë përfaqësuesi i tetë special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, që kur ky mision, pas bombardimit të NATO-s ndaj Jugosllavisë, në qershor të vitit 1999 është vendosur në Kosovë...

BOTA SOT
Instituti për Hulumtime Zhvillimore ka realizuar një projekt rreth hulumtimeve nëpër ndërmarrjet private në Kosovë, i cili është prezantuar të martën në ambientet e Universitetit Riinevst. Joachim Ruecker mbajti një ligjëratë rreth procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovës, i cili, sipas tij, është mjaft i suksesshëm, ngase në fondin e mirëbesimit nga privatizimi janë grumbulluar mbi 380 milionë euro. Duke folur rreth zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ruecker tha se në vitet e fundit eksporti është rritur për tri herë, sepse prodhuesit vendorë kanë arritur të prodhojnë produkte cilësore, të cilat e kanë gjetur veten në tregun e vendeve në regjion dhe tregun e vendeve evropiane. Ai mendon se Kosova duhet të ketë projekte të mira të zhvillimit...

ZËRI
Shefi i diplomacisë sllovene, Dimitri Rupel, ka deklaruar se për Serbinë njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht për hyrjen e saj në Bashkimin Evropian. "Këtë çështje Serbisë askush nuk ia paraqet. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit tregon rrugën e Serbisë për në BE, e aq sa e di unë, në atë dokument nuk ka kushte të tilla", ka deklaruar Rupel per gazetën "Veçernje Novosti". Ai ka thënë se perspektivë evropiane kanë edhe Serbia, edhe Kosova, por Serbia "në këtë fushë ka përparësi të caktuar”. Në pyetjen nëse Kosova do të ketë karrigen e vet në Kombet e Bashkuara, siç shkruan kjo gazetë e Beogradit, Rupel është përgjigjur negativisht kur ka thënë se ende është herët për vlerësimin përfundimtar për këtë. "Do t'ju propozoja të mos nguteni. Kosova sapo ka miratuar kushtetutën e vet dhe mendoj se duhet pritur edhe një kohë para se çështja juaj fare të jetë aktuale", ka thënë Rupel për këtë gazetë...\

INFOPRESS
Hezitimi i Maqedonisë për të njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, zgjedhjet e parakohshme dhe vonesat në konsolidimin e institucioneve atje, nuk kanë ndikuar aspak në çështjen e bisedimeve teknike mes këtyre dy shteteve për përcaktimin e vijës së demarkacionit. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për “Infopress” kryetari i Komisionit të palës së Kosovës në këto bisedime, Bekim Çollaku. Sipas tij, komisionet e emëruara nga Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë kanë karakter teknik, andaj edhe si të tilla nuk janë të ndikuara nga ngjarjet dhe politikat që zhvillohen... Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, Çollaku tha se demarkacioni është i ndarë nga çështjet politike dhe se në këtë aspekt nuk do ketë vonesa. “Janë çështje irelevante me njëra-tjetrën dhe zgjedhjet atje nuk kanë ndikuar fare në punën e komisioneve”...
XS
SM
MD
LG