Ndërlidhjet

Guardian: "Obama injoron Clintonin"


"Guardian"

Kampi i Hillary Clintonit është shumë i zemëruar me atë që e sheh si akt injorimi nga Barack Obama, i cili ka emëruar një ish-punonjëse të zonjës Clinton në një vend kyç në ekipin e tij zgjedhor.

Një burim i afërt me zonjën Clinton ka thënë se një hap i këtillë i senatorit Obama është gjemb në sy për ish-rivalen e tij, me të cilin realisht është përjashtuar mundësia që Hillary Clinton të kandidojë për postin e nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara.

Kjo përplasje pason vetëm dy javë pas bisedimeve që Obama dhe Clinton zhvilluan në Washington, pas përfundimit të garës së gjatë dhe të ashpër midis tyre për të fituar kandidaturën e Partisë Demokrate për president të Shteteve të Bashkuara.

Pas këtij takimi, tërësisht privat, asnjëri prej tyre nuk ka folur publikisht për temat e bisedimeve, por emërimi i fundit në ekipin e Obamas tregon se takimi ka dështuar në riparimin e marrëdhënieve midis tyre.

Bëhet fjalë për Patti Solis Doyle, ish-menaxheren e fushatës zgjedhore të zonjës Clinton, të cilën senatori Obama e ka emëruar si shef kabineti për kandidatin e nënpresidentit në zgjedhjet e nëntorit.

Pas dështimit për të fituar kandidaturën presidenciale nga radhët e demokratëve, zonja Clinton ka synuar postin e nënpresidentit, por deri më tash senatori Obama ka nguruar t'ia ofrojë.

Ndryshe, zonja Clinton e ka shkarkuar nga puna zonjën Solis Doyle në fillim të këtij viti, duke e fajësuar atë për keqmenaxhim të fondeve dhe për injorim të zonave zgjedhore, të cilat dëshmuan të jenë vendimtare për fitoren e zotit Obama.

Sidoqoftë, qëndrimi zyrtar i zotit Obama për pozitën e nënpresidentit është se askush ende nuk është përjashtuar nga hulumtimet për të gjetur kandidatin nënpresidencial.

Por, ekipi i Obamas nuk e do emrin e zonjës Clinton në tiketë, me gjithë 18 milionë votat që ajo ka grumbulluar, nga droja se ajo dhe i shoqi mund të përqafojnë një qasje ndarëse, në përpjekje për të funksionuar si forcë alternative përbrenda Shtëpisë së Bardhë.

Ndryshe, Senatori demokrat Barack Obama do të garojë kundër atij republikan, John McCain, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit dhe sondazhet e fundit flasin se Obama udhëheq me 48 për qind kundër McCainit, me 42 për qind.
XS
SM
MD
LG