Ndërlidhjet

Testi i maturës - dëshmi e cilësisë së ultë të arsimit


Rezultatet e provimit të maturës dëshmojnë më së miri se në çfarë niveli gjendet arsimi i mesëm, thonë ekspertë për çështje të arsimit. Rezultatet e maturës shtetërore, të cilat janë publikuar dje në të gjitha shkollat e mesme të Kosovës, tregojnë se vetëm 44. 7 për qind e maturantëve, të cilët i janë nënshtruar testit, kanë dhënë përgjigjet e sakta në më shumë se 50 pyetje, kusht ky i kalueshmërisë.

Dukagjin Pupovci, udhëheqës i Qendrës për Arsim të Kosovës, thotë se rezultati i provimit është shumë i ultë dhe me këtë nuk mund të jetë i kënaqur askush.

“Unë mendoj se ky rezultat është një tregues i cilësisë së sistemit të arsimit në Kosovë, që është një sistem shumë kompleks. Flet mjaft shumë edhe për kualitetin e programeve mësimore, flet edhe për kualitetin e mësimdhënies, për kualitetin e tekstit, për organizimin që kemi në sistemin e arsimit edhe për infrastrukturën”, thotë Pupovci.

Edhe Nehmat Mustafa, kryetar i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, pranon se rezultatet e provimit janë shumë të ulëta. Ai madje thotë se mësimdhënësit po e rrisin rezultatin e nxënësve në fund të vitit shkollor, kur po i vlerësojnë nxënësit me nota të larta, pa marrë parasysh nivelin e njohurive të tyre. Kjo është arsyeja kryesore, që, sipas tij, rezultatet e provimit të maturës janë në këtë gjendje.

“Realisht, vetë rezultati i maturës është demaskim për të gjitha ato shkolla dhe ata mësimdhënës, të cilët i kanë mashtruar nxënësit duke bërë fryrjen e notave, duke bërë faljen e notave”, thotë Mustafa.

Dukagjini Pupovci pohon se në këtë drejtim nevojitet një analizë e detajuar, pse ka ardhur deri tek një rezultat aq i ultë. Më shqetësues është fakti, thotë ai, kur merret parasysh se 95 për qind e maturantëve kanë përfunduar vitin shkollor pa asnjë notë të dobët, ndërkaq testi dëshmon të kundërtën. Dhe, për këtë arsye, Pupovci thotë se duhet të merren masa adekuate në këtë drejtim, në mënyrë që të gjendet se ku qëndron problemi.

“Unë mendoj se këto masa duhet të jenë vërtet shumë sistematike dhe duhet të jemi të përgatitur se ato nuk do të japin rezultate në afat të shkurtër. Pra, nëse tani do të merren masa për eliminimin e shkaktarëve të një suksesi kaq të ultë, besoj se do të pritet një periudhë relativisht e gjatë që ky sukses të rritet”, theksoi Pupovci.

Ministra e Arsimit tashmë ka filluar të analizojë gjendjen, thotë Nehat Mustafa, në mënyrë që në vitet e ardhshme të përmirësohet cilësia e arsimit të mesëm në Kosovë.

“Ministria e Arsimit është duke analizuar ndaras rezultatin në çdo shkollë, punën që është bërë në çdo shkollë dhe pastaj do të fillojë edhe marrjen e çdo mase, duke filluar nga drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit e papërgjegjshëm, të cilët po i mashtrojnë nxënësit”,
tha Mustafa.

Për herë të parë testi i maturës në Kosovë është mbajtur në vitin 2006, në të cilin 60 për qind e maturantëve kanë qenë të suksesshëm, kurse 40 për qind ishin treguar të paaftë për të vazhduar studimet e mëtutjeshme. Ndërkaq, pritet që në vitin shkollor 2010/11 të mos ketë më provim pranues që organizojnë fakultetet, por që atë ta zëvendësojë provimi i maturës.
XS
SM
MD
LG