Ndërlidhjet

logo-print

Kosova nis hapjen e ambasadave


Flamuri i Republikës së Kosovës

Flamuri i Republikës së Kosovës

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dekretuar sot hapjen e nëntë ambasadave dhe përfaqësive të para diplomatike të Kosovës në botë. Për fazën e parë, ambasadat do të hapen në Uashington, Bruksel, Londër, Berlin, Paris, Romë, Vjenë, Bern dhe Tiranë.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dekretuar sot themelimin e nëntë misioneve të para diplomatike të Kosovës në botë. Me ketë vendim, Ministria e Jashtme ngarkohet për fillimin e zbatimit të këtij vendimi.

Këshilltarja politike e ministrit të Jashtëm, Albana Beqiri, thotë se ambasadat dhe përfaqësitë e para diplomatike do të punojnë fillimisht me personel në numër të limituar. Përzgjedhja e nëntë vendeve të para është bërë në varësi nga ndikimi politik që kanë këto kryeqytete botërore në politikën kosovare dhe në atë globale.

“Mund t’ju konfirmoj se sot është bërë dekretimi i presidentit për themelimin e nëntë misioneve diplomatike të Kosovës në botë, të cilat edhe do të jenë misionet e para. Bëhet fjalë për misionet në Uashington, Londër, Paris, Berlin, Bruksel, Romë, Vjenë, Bern dhe Tiranë. Pas dekretimit të presidenti, Ministria e Jashtme merr edhe kompetencat për operacionalizimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm”, tha Beqiri.

Albana Beqiri beson se funksionalizimi i Ministrisë së Jashtme dhe themelimi i misioneve të para diplomatike jashtë Kosovës, do të ndihmojë edhe njohjen më të shpejtë të Kosovës nga një numër më i madh vendesh.

Ndërkohë që, sipas saj, ende nuk janë përcaktuar ambasadorët e parë që do të përfaqësojnë Kosovën, përfshirë edhe atë në Tiranë, që do të jetë ndër të parët që do të fillojnë punën.

“Ende nuk është i përcaktuar asnjë emër i ndonjë ambasadori apo i të ngarkuarit me punë në misionin diplomatik në Tiranë”, tha Beqiri.

Në anën tjetër, opozita i bën thirrje qeverisë dhe presidentit që emërimi i ambasadorëve të mos jetë ekskluzivisht politik, por të respektohet kriteri profesionist i tyre. Avni Arifi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se emërimi i ngutshëm mbi baza politike do të instalonte një praktikë të keqe të ndërrimit të ambasadorëve, varësisht partive në pushtet.

“Do të ishte gabim nëse ambasadorët tanë do të vijnë e të shkojnë bashkë me partitë në pushtet. Konsideroj se do të ishte me pasoja afatgjate nëse kjo qeveri fillon me emërimin e fytyrave politike, të cilat me rastin e ndërrimit të qeverisë, do të ndërroheshin nga qeveria e ardhshme. Konsideroj se duhet të ketë një përzgjedhje profesionale”, tha Arifi.

Ndërkohë, edhe Aleanca Kosova e Re shprehet e gatshme për t’u përfshirë jo vetëm në çështjen e lobimit për njohjen e pavarësisë, por edhe në atë të përcaktimit të ambasadorëve nëpër vende të ndryshme të botës.

Arbër Geci, zëdhënës i AKR-së, thotë se politika e jashtme e Kosovës, në këtë fazë kur vendi nuk ka siguruar një njohje të mjaftueshme ndërkombëtare, duhet të shihet edhe nga qeveria si një çështje që i kalon kufijtë e qeverisë aktuale dhe të marrë përmasa të një politike gjithë-kosovare.

“Ne mendojmë dhe qëndrojmë të bindur se qeveria duhet që përfaqësitë nëpër diplomacitë e jashtme të Kosovës, t’i marrë edhe nga opozita, sepse çështjet e përfaqësimit të jashtëm janë gjithëkombëtare. Shpresojmë se qeveria do të gjejë forma dhe guximin që të bashkëpunojë edhe me opozitën, në lidhje me çështjen e hapjes së ambasadave nëpër vende të ndryshme të botës”, thekson Geci.

Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, politika e jashtme kalon në përgjegjësi të palës kosovare. Në këtë aspekt, Kosovës i mundësohet edhe hapja e ambasadave dhe përfaqësive diplomatike. Ndërkohë që mbetet të definohet përfaqësimi në organizatat botërore, ku Kosova nuk është anëtare. Në të kaluarën, përfaqësimi është bërë nga shefi i UNMIK-ut, sidomos në sesionet e Këshillit të Sigurimit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG