Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: A duhen negociata me Iranin?

  • Andrew Tully

Kandidatët presidencialë Barack Obama dhe John McCain

Kandidatët presidencialë Barack Obama dhe John McCain

Njëri nga debatet më të nxehta në fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara është qasja që duhet pasur ndaj kundërshtarëve të jashtëm të Amerikës. Kandidatët McCain dhe Obama kanë qëndrime të ndryshme. Analistët po ashtu janë të ndarë.



Qëndrimet e kandidatit republikan McCain dhe atij demokrat Obama rreth politikës së jashtme, nuk janë aq relevante derisa njëri prej tyre të bëhet president. Tani për tani, e rëndësishme është qasja e presidentit George Bush dhe Sekretares së Shtetit, Condoleezza Rice. Në fjalimin e saj para lobit të fuqshëm pro-izraelit, Rice e bëri të qartë qasjen ndaj Iranit.

Presidenti George Bush dhe sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice
"E di se po bëhet debat serioz në vendin tonë dhe në Izrael, rreth mënyrës së adresimit të rrezikut nga regjimi
iranian. Çështja kryesore këtu nuk është nëse flasim apo jo me Iranin. Diplomacia nuk është sinonim i bisedës. Diplomacia e vërtetë nënkupton stimulimin e ndryshimeve në sjellje",
tha Rice.

Deri atëherë, ajo tha se Perëndimi duhet të shtojë presionin ndaj Iranit për zbatimin e rezolutave të OKB-së që kërkojnë pezullimin e programeve bërthamore.

Analisti Ted Galen Carpenter, nga Instituti Cato në Uashington, kundërshton këtë qasje. Sipas tij, Uashingtoni synon të sillet si nxënësi, i cili refuzon kontaktin me ata që nuk i pëlqen.

"E kemi provuar këtë me Kubën për katër dekada e gjysmë, me Vietnamin për dy dekada, e tani po e bëjmë me Iranin dhe vende të tjera. Kjo strategji përgjithësisht nuk funksionon", tha Carpenter.

Sipas tij, është gabim të mendohet se zhvillimi i bisedimeve me vende si Irani apo Siria, në njëfarë mënyre do të thotë pranimin e kërkesave të tyre, ashtu siç ka thënë Bush në fjalimin para Parlamentit izraelit.

"Ajo që më së tepërmi më ka shqetësuar rreth fjalimit të Bushit, ishte nocioni se të flasësh me kundërshtarin, do të thotë zbutje. Për mua, zbutje është bërja e koncesioneve qyqare dhe të pamençura, e jo dialogu me kundërshtarin", tha ai.

Michael O'Hanlon, nga Instituti Brookings, ka qëndrim tjetër. Sipas tij, definicioni i Rice për demokracinë është shumë i ngushtë, por për rastin e Iranit, ai tha se Rice ka të drejtë.

"Nuk mendoj se Irani do të ndjehej më mirë për raportet me Shtetet e Bashkuara, nëse ne heqim dorë nga doktrina e Bushit. Ata po mundohen të maksimalizojnë pozitën e tyre dhe na shohin si konkurrencë",
tha O'Hanlon.

Sidoqoftë, ai tha se sikur të ishte në vendin e Sekretares Rice, me siguri do të zhvillonte bisedime formale me Iranin, për t'ia bërë të qartë botës së ata nuk janë të gatshëm për negociata.

"Unë do të preferoja atë që e cilësoj 'diplomaci tregtie', pra të zhvilloj bisedime për të cilat pres se do të dështojnë, pjesërisht me shpresën se duke i treguar botës synimin e mirë, do të marrim më shumë mbështetje", tha ai.

Bisedimet e tilla, sipas O'Hanlon, mund të ndikojnë edhe tek njerëzit e Iranit, të cilët do të votojnë për president vitin e ardhshëm. Në rast se votuesit e pranojnë se Shtetet e Bashkuara janë refuzuar kur kanë dashur të përmirësojnë raportet me qeverinë e tyre, atëherë ata mund të zgjedhin liderë të rinj, më të përkushtuar ndaj diplomacisë së vërtetë.
XS
SM
MD
LG