Ndërlidhjet

logo-print

“LDK pa lider funksional”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EPOKA E RE
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, ka thënë se UNMIK-u është kundër ndarjes funksionale të Kosovës. Sa i përket rikonfigurimit të misionit të UNMIK-ut në Kosovë, Ivanko ka thënë se gjithçka do të qartësohet në seancën e veçantë të KS që do të mbahet të premten në Nju Jork. "Rikonfigurimi i misionit të UNMIK-ut, i cili është përcaktuar nga kreu i OKB-së, Ban Ki Moon, ende nuk ka qartësuar saktësisht detyrat e reja për këtë mision", ka thënë Ivanko, në takimin e rregullt të pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Ivanko është shprehur në mënyrë kategorike kundër ndarjes së Kosovës në pikëpamje funksionale, ashtu siç e parasheh ministri serb, Sllobodan Samarxhiq. "Mendoj se PSSP-ja dhe menaxhmenti i lartë e kanë shumë të qartë se janë kundër, se nuk do të ketë ndarje operative dhe këtë e kemi thënë në shumë raste, dhe nuk është e vërtetë se UNMIK-u nuk është në pjesën veriore. “UNMIK-u është i pranishëm në pjesën veriore, policia e UNMIK-ut është e pranishme...”, tha Ivanko...

LAJM
Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-Moon, i ka hapur rrugë legjitimimit ndërkombëtar të ndarjes së Kosovës, me vetë faktin se gjatë përpilimit të raportit për rikonfigurimin e UNMIK-ut, ka marrë për bazë edhe planin gjashtëpikësh serb për ndarjen funksionale të Kosovës... "Gjashtë pikat" e propozuara nga ministri serb, Slobodan Samarxhiq, sipas analistit Agim Zogaj, nënkuptojnë "territor të Serbisë brenda Kosovës". "Sekretari i Përgjithshëm i ka hapur dyert legjitimimit ndërkombëtar të kërkesës serbe për ndarjen funksionale të Kosovës. Këtu haptazi po i mundësohet Serbisë të ndërhyjë në punët e brendshme të shtetit të Kosovës. Ndarja funksionale është ndarje faktike, ndarje mbi baza etnike e territoriale dhe me këtë Serbia tenton ta instalojë modelin e Republikës Serbe të Bosnjës edhe në Kosovë", tha Zogaj për "Lajm". Sipas tij, realitetet e veçanta juridike, ndërkaq, nënkuptojnë dhënien e të drejtave për veprim mbi baza juridike enklavave dhe pakicës serbe...

KOHA DITORE
Më 15 qershor, Kosova e ka bërë të plotfuqishme Kushtetutën e saj. Aty thuhet se presidenti i Kosovës nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik ose në parti politike. Numri një i vendit me këtë kushtetutë merr më tepër kompetenca, sesa që ka pasur Rugova, në ditën kur kishte hequr dorë nga posti i të parit në parti. Rrjedhimisht, arsyet qe do ta bënin një president vendi për ta lënë postin e kryetarit të partisë janë më të forta se në kohën kur këtë e kishte bërë Rugova. Fakti që LDK-ja i jep Kosovës një president më të fuqishëm e bën atë të sakrifikojë liderin e vet. Me post të ringrirë, Kryesia e partisë ka vendosur të ecë përpara, duke u udhëhequr nga nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm dhe kryesia. “Tashmë e kam pezulluar funksionin e drejtimit të partisë", ka thënë presidenti Sejdiu, të mërkurën, teksa po nisej për në Nju Jork, për të marrë pjesë në seancën e KS të OKB-së. "Padyshim ai (Sejdiu) nuk mund ta ushtrojë më funksionin e kryetarit të partisë, sipas Kushtetutës, por kjo nuk do të thotë se ai nuk do të jetë më kryetar i partisë", ka thënë Eqrem Kryeziu, njëri nga nënkryetarët e LDK-së. "Ai vetëm e ka ngrirë funksionin. Nuk mund të jetë aktiv si kryetar i LDK-së...”, ka thënë Kryeziu...

KOSOVA SOT
Të treqind pjesëtarët e misionit të Bashkimit Evropian për drejtësi, EULEX, që janë zbarkuar deri më tash në Kosovë, janë të akomoduar nëpër zyra të UNMIK-ut gjithkund nëpër Kosovë. Mirëpo, planifikimi i zbarkimit të një numri edhe më të madh të pjesëtarëve të EULEX-it e ka shtyrë UNMIK-un që të mos pranojë vendosjen e mëtutjeshme të pjesëtarëve të misionit tjetër, brenda kampit të misionit të OKB-së, që gjendet në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë. Kampi pritet që pas rikonfigurimit të UNMIK-ut të jetë selia kryesore e misionit, ndërkaq bashkëjetesa mes dy misioneve në zyra të njëjta duket e pamundur. Pjesëtarët e EULEX-it deri më tash kanë qenë të hendikepuar për shkak të zvarritjes së planeve për zbarkimin e tyre, pikërisht për shkak të moslëshimit të terrenit nga UNMIK-u. Ndonëse është publikuar një raport politik i kreut të OKB-së, Ban Ki Mun, për përshtatjen e UNMIK-ut me rrethanat e krijuara në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, misioni është ende në pritje të instruksioneve konkrete dhe praktike për fillimin e zvogëlimit të tyre...

ZËRI
Pas dyshimeve të së martës për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, këtë të premte, më 20 qershor, duket që këtë të mërkurë (më 18 qershor), është konfirmuar që instanca më e lartë e sigurisë botërore do të mblidhet në ditën e fundit të punës të kësaj jave, për ta shqyrtuar Propozimin e Ban Ki-Munit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë. Mbledhja do të mbahet këtë të premte, pos tjerash, siç ka marrë vesh "Zëri" nga burimet diplomatike perëndimore, për shkak të insistimit të Rusisë (dhe të Serbisë), që sa më parë që është e mundur të trajtohen idetë e Ban Ki-Munit për riorganizimin e faktorit ndërkombëtar në Kosovë. Burimet diplomatike perëndimore i kanë thënë gazetës "Zëri" që edhe në këtë sesion të KS të OKB-së, pritet një konfrontim i rëndomtë (tashmë) për Kosovën në mes të ambasadorëve të shteteve perëndimore dhe Vitali Çurkinit, ambasadorit të Federatës së Rusisë, dhe të atyre diplomatëve të shteteve anëtare të KS të OKB-së, që kanë hezitime sa i përket njohjes së shtetit të Kosovës...

BOTA SOT
Shumë nga kompetencat të cilat ishin të rezervuara në institucionet ndërkombëtare, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, me automatizëm kanë kaluar për tek institucionet shtetërore vendase. Edhe pse pjesa dërrmuese e këtyre kompetencave ende nuk është sqaruar plotësisht, një natyrë e tillë funksionale ka filluar të ndodhë, mirë-po kah fundi i kësaj jave pritet të qartësohen edhe një sërë kompetencash, të cilat gjer më tash ishin mbajtur si të rezervuara nga UNMIK-u. Edhe institucionet e Kosovës janë në pritje të konkludimeve të Këshillit të Sigurimit, kur do të diskutojë rreth misionit të rikonfiguruar të UNMIK-ut.. Rikonfigurimi i misionit të UNMIK-ut, i cili është përcaktuar nga kreu i OKB-së Ban Ki Moon, ende nuk ka qartësuar saktësisht detyrat e reja për këtë mision. Kështu ka deklaruar Aleksander Ivanko, duke cituar se pozicioni i UNMIK-ut në detaje do të vendoset në KS të OKB-së...

EXPRESS
Ambasadori amerikan në Serbi, Cameron Munter, ka thënë të mërkurën se SHBA-të do ta mbështesin formimin e një qeverie pro-evropiane në Serbi. Ai ka shtuar se SHBA-të dëshirojnë që i gjithë rajoni të drejtohet nga Evropa dhe që Serbia të jetë lider i rajonit. "Mendoj se populli i Serbisë e ka bërë shumë të qartë zgjedhjen e saj. Nëse formohet një qeveri demokratike që do ta çojë vendin në Evropë, Serbia do të përfitojë ndihmë të madhe nga SHBA-të, Evropa dhe e gjithë bota", ka thënë Munter. Ai gjithashtu ka shtuar se Serbia duhet të drejtohet nga e ardhmja, në mënyrë qe t'i ulë tensionet në rajon dhe që njerëzit të fillojnë të mendojnë se si do të bëhen pjesë e Evropës, e jo të mbesin të lidhur me të kaluarën. "Serbia, e cila është yll botëror në tenis, do të mund të bëhet edhe faktor i rëndësishëm ekonomik në botë...”, ka thënë Munter...

INFOPRESS
Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dekretuar 41 ligje që janë miratuar katër muajt e fundit, e që dalin si obligim nga pakoja e Ahtisaarit. Me fuqizimin e Kushtetutës, e drejta për t'i shpallur ligjet e miratuara, ose për t'i kthyer për rishqyrtim ligjet e miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj, ka kaluar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), siç ishte e paraparë me Kornizën Kushtetuese, tek presidenti i vendit. Ndërkohë, janë edhe një sërë ligjesh, të cilat presin që të nënshkruhen nga autoriteti më i lartë për t'u fuqizuar si ligje dhe për t'u mplementuar në praktikë. Në evidencën e ligjeve të miratuara nga Kuvendi shihet se janë 38 ligje që ende nuk janë nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut, e të cilat datojnë që nga viti 2004. Të gjitha këto ligje që janë miratuar në këta katër vjet janë zvarritur së nënshkruari nga shefat e UNMIK-ut, për shkak se kanë hasur në kundërshtime nga zyra ligjore e UNMIK-ut...



XS
SM
MD
LG