Ndërlidhjet

Tiranë-Prishtinë, do rritet bashkëpunimi


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi po zhvillon vizitën e tij të parë në Tiranë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Së pari Thaçi zhvilloi një takim kokë më kokë me homologun e tij të Shqipërisë, Sali Berisha.

Berisha para mediave deklaroi bashkëpunimin e ngushtë në fushën ekonomike, të energjisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Lidhur me bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë në fushën e eenrgjisë Berisha tha se"të dyja vendet përballen me vështirësi, por kanë rezerva kolosale që të bëhen eksportues të rëndësishëm energjie në rajon".

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha përsëriti ofertën e Tiranës për qasje të plotë të Kosovës në portet e Shqipërisë.
"Shqipëria do t'i ofrojë Kosovës të gjitha lehtësirat portuale, duke e bërë Kosovën të ndihet si vend bregdetar, duke pasur parasysh dhe infrastrukturën që po ndërtohet", tha Berisha.

Kryeministri i Kosovës falenderoi Shqipërinë për rolin e saj në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova.

Thaçi përmendi bashkëpunimin edhe në fushat e energjisë, arsimit, turizmit. Ai ftoi biznesin e Shqipërisë të investojë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës përmendi bashkëpunimin në sferën e sigurisë mes Tiranës dhe Prishtinës, duke theksuar se prania e korrupsionit në një nga vendet tona do ndikojë negativisht në demokracinë e vendit tjetër. "Në këtë kuptim bashkëpunimi është jetik", tha kryeministri i Kosovës.

Thaçi para mediave theksoi rëndësinë e orientimit të përbashkët euroatlantik të dë dyja vendeve.

Kryeministri Thaçi do të takohet dhe me presidentin e Shqipërisë Bamir Topi.
XS
SM
MD
LG