Ndërlidhjet

Foucher: Kufijtë e Kosovës s'janë çështje e hapur


Michel Foucher

Michel Foucher

"Ju mund të jetoni nga njëra anë e kufirit dhe shpirtërisht të shihni nga ana tjetër. Ky s'është rasti i parë; kemi shumë raste të tilla në Evropën qendrore", thotë Michel Foucher, ekspert për politikat evropiane në Fondacionin Robert Schuman, në Paris.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Foucher, nëse do krahasonit sfidat me të cilat përballet Bashkimi Evropian sot, çfarë vendi zë Kosova?

MICHEL FOUCHER
Kosova nuk është problemi kryesor, nuk është në krye të listës për Bashkimin Evropian. EULEX-i do të vendoset ngadalë, tranzicioni do të zhvillohet së bashku me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, derisa në Beograd besoj se do të kemi një qeveri deri në fund të qershorit.

Në këtë kuptim, nuk shoh probleme të mëdha në Kosovë. Do të kemi një situatë të ndërmjetme në veriun e Kosovës. Nuk parashoh probleme nëse gjërat shkojnë në drejtimin e duhur në Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas propozimit të fundit të Ban Ki Moon-it, ende nuk është qartësuar roli operacional i BE-së në Kosovë. Sa kohë do të marrë ky proces i qartësimit të gjërave nga ana e Brukselit?

MICHEL FOUCHER
Mendoj se Uashingtoni duhet t'ia lërë në dorë Brukselit të vendosë dhe të përcaktojë qasjen e vet. Uashingtoni është i interesuar për atë që po ndodh aktualisht në veri të Kosovës.

Na duhet ta pranojmë se kemi të bëjmë me një periudhë tranzicioni. Gjëja e parë që na duhet në këtë moment është një qeveri pro-evropiane në Beograd. Dhe, ne do të fillojmë nga kjo pikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, nuk kemi problem në Kosovë, problemi qëndron tek Beogradi?

MICHEL FOUCHER
Nuk them që nuk ka probleme në Kosovë, por janë probleme që mund t'i menaxhojmë. Ne nuk duhet të jemi shumë racionalë në këtë moment, duhet të jemi të hapur edhe ndaj ndonjë situate të ndërmjetme apo jo shumë të qartë.

Të gjithë kanë nevojë për një periudhë tranzicioni dhe kyçi i problemit është në Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka shqetësime serioze për ndarjen e Kosovës. Sipas jush, a është ky qëllimi i Beogradit dhe nëse po, sa larg apo afër është Serbia nga qëllimi i saj?

MICHEL FOUCHER
Mendoj se koncepti i ndarjes është pak i tepruar. Qëndrimi serb është se edhe vetë pavarësia e Kosovës është ndarje e Serbisë dhe përpiqen ta mbështesin këtë në ligjin ndërkombëtar, përfshirë Rezolutën 1244.

Ne duhet të bisedojmë me njerëzit në rajon dhe çështja shtrohet si ta menaxhojmë këtë situatë në mënyrë inteligjente. Çështja është se si të pranojmë disa situata në mënyrë fleksibël, kur kemi rastin që një pjesë e popullsisë në veri të Kosovës shohin në veri të tyre nga Beogradi.

Për këtë arsye na duhet periudha e tranzicionit dhe do të shohim si do të ecin gjërat.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur thoni "të shohim si do ecin gjërat" a nënkupton kjo se çështja e kufijve të Kosovës është e hapur?

MICHEL FOUCHER
Jo, nuk mendoj se është çështje e hapur. Por, ju mund të jetoni nga njëra anë e kufirit dhe shpirtërisht të shihni nga ana tjetër. Ky nuk është rasti i parë, kemi shumë raste të tilla në Evropën qendrore.

Ne na duhet ta pranojmë se kufiri i Kosovës në mendjet e banorëve serbë në veri nuk është diçka e prerë dhe e përcaktuar. Ndonëse më duhet të them se në letër ky kufi është shumë i qartë. Është e vështirë të vendosësh një kufi edhe në mendjet apo zemrat e njerëzve.

Çështja e kufijve ka qenë shumë e debatuar me argumente pro dhe kundër dhe nuk ka pasur një mirëkuptim të plotë dhe brenda vetë Evropës.

RADIO EVROPA E LIRË
Do ndalesha tek kjo që thatë. Fakti që jo të gjitha vendet e BE-së e kanë njohur Kosovën, a e dëmton politikën e jashtme evropiane?

MICHEL FOUCHER
Qeveritë që kanë marrë një vendim të tillë, pra ato që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë pasur frikën e arsyeshme se vetë territoret e tyre përballeshin me problemin e shkëputjes.

Është e vërtetë që në rastin e Kosovës dhe të Serbisë flasim për perspektiven e tyre evropiane. Kjo është pjesë e politikës së jashtme, por njëherësh mund të kthehet në një problem të politikave të brendshme të BE-së.

Sërish do të thosha se vendimi u mor me të shpejtë, andaj disa vende si p.sh. Spanja - është dyshuese ta njohë pavarësinë e Kosovës. Por, nga ana tjetër, Spanja mund të jetojë fare mirë me faktin se Kosova është e pavarur.

Do të thosha të fokusohemi më pak në Evropë dhe t’i lëmë institucionet e reja të Kosovës të zhvillohen. Njëherësh, të shpresojmë për zhvillime politike pozitive në Beograd. Të gjitha palët kanë nevojë për kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kohë i duhet Beogradit, sipas jush, që ta njohë pavarësinë e Kosovës, qoftë dhe në heshtje?

MICHEL FOUCHER
Ata nuk mund ta pranojnë një gjë të tillë, por do të jetojnë me një fakt të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila lloj qeverie serbe mund të jetojë me këtë fakt?

MICHEL FOUCHER
Një qeveri pro-evropiane. Ka një problem këtu dhe kjo ka të bëjë me faktin se qeveria demokratike në Beograd do ta paguajë faturën e lënë nga Millosheviqi.

Unë mendoj se ata do ta harrojnë Kosovën dhe do të ecin në rrugën e tyre evropiane. Çështja e Kosovës do të ndryshojë me kohën, veçanërisht kur flasim për integrimin evropian.

Serbia dhe Kosova do të jenë në të njëjtën anë, atë të nisjes drejt Evropës, dhe ato duhet të negociojnë edhe me njëra-tjetrën në raund të ri bashkëpunimi për çështjet praktike. Kjo është rruga e vetme për zgjidhjen e problemit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund, a e pengon apo bllokon “Jo”-ja irlandeze për Traktatin e Lisbonës zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor?

MICHEL FOUCHER
Sipas rregullave evropiane, nuk ka lidhje, pasi nuk ka asgjë specifike në Traktatin e Lisbonës. Kjo ishte një mënyrë për të bërë presion mbi një numër udhëheqësish, si p.sh. çekët, të cilët janë shumë entuziastë në nxitjen e zgjerimit.

Në këtë kuptim është më shumë lojë diplomatike, sesa kusht real për zgjerimin.
XS
SM
MD
LG