Ndërlidhjet

logo-print

Nis shndërrimi i Mitrovicës në qytet me dy komuna?


Mitrovica - Ura qendrore

Mitrovica - Ura qendrore

Kanë nisur bisedimet për shndërrimin e Mitrovicës në një qytet me dy komuna, siç parashihet me pakon e Ahtisaarit. Por, ende ka paqartësi nëse ky vendim do të merret nga Qeveria e Kosovës, apo nga UNMIK-u.




Kanë nisur bisedimet për shndërrimin e Mitrovicës në një qytet me dy komuna, siç parashihet me pakon e Ahtisaarit. Por, është e paqartë nëse vendimi për këtë do të merret nga Qeveria e Kosovës, siç kërkohet në pako, apo nga UNMIK-u, siç bëjnë të ditur njoftime jozyrtare.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i tha Radios Evropa e Lirë se janë disa synime që legalizimi i komunës veriore të Mitrovicës të bëhet nga UNMIK-u.

“Nuk jam drejtpërdrejt në rrjedha, por po indirekt. Ajo është një intencë që të legalizohet komuna veriore. Mirëpo, qëndrimet tona kanë qenë shumë të qarta; ajo mund të bëhet vetëm në kuadër të pakos së Ahtisaarit, si një qytet me dy komuna e me bord të përbashkët, dhe në të njëjtën kohë të formohen komunat tjera me shumicë serbe, e jo kjo të jetë si pilot komunë”, tha Bajram Rexhepi.

Zyrtarë të UNMIK-ut pohojnë se janë duke shqyrtuar çështjen e krijimit të komunës veriore të Mitrovicës. Por, nuk japin detaje.

“Ajo që mund të them tani, është se nuk kemi informacione të reja e as vendime për këtë. Po vazhdojmë ta shqyrtojmë këtë çështje në konsultim me Nju Jorkun dhe me palët në Kosovë”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.

Në anën tjetër, Bajram Rexhepi pohon se çfarëdo vendimi që UNMIK-u të marrë për veriun e Mitrovicës, do të jetë i papranueshëm për autoritetet e Kosovës.

ICO dhe EULEX mund të përfshihen, por nuk është e drejtë ekskluzive e UNMIK-ut, për arsye se UNMIK-u nuk e ka pranuar pakon e Ahtisaarit dhe legalizimi i komunës veriore jashtë pakos së Ahtisaarit, nuk është i pranueshëm. Nëse Rueckeri, para se të shkojë, e ka nënshkruar (rregulloren) pa aprovim të autoriteteve vendore, nuk ka vlerë”, tha Rexhepi.

Veriu i Mitrovicës që nga ’99-ta është jashtë kontrollit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Ndërkaq, pas shpalljes së pavarësisë, vetëm sa janë forcuar strukturat paralele të Qeverisë së Serbisë.

Për shkak të kësaj gjendjeje, në negociatat për statusin qe vendosur që Mitrovica të shndërrohet në qytet me dy komuna - komuna e veriut e dominuar nga serbët dhe ajo e jugut e banuar dhe e udhëhequr nga shqiptarët.

Qyteti, sipas pakos së Ahtisaarit, do të ketë një bord të përbashkët. Diskutimet mbi krijimin e komunës së Mitrovicës i konfirmon edhe zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, zyrë kjo, e cila që nga 15 qershori, ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e pakos së Ahtisaarit.

“Nga ana e ICO-s, ne diskutojmë të gjitha aspektet e zbatimit të propozimit për status me qeverinë; të gjitha këto çështje janë duke u diskutuar me qeverinë, por nuk ka asgjë specifike“, pohon Andy McGuffie.

Ndryshe, krijimi i komunës së re të Mitrovicës është pjesë përbërëse e procesit të decentralizimit të pushtetit në Kosovë, proces ky që parashihet të zbatohet që nga hyrja në fuqi e kushtetutës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG