Ndërlidhjet

“Rikonfigurimi i UNMIK-ut sot në tryezën e KS”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë sot në një seancë të hapur raportin me të cilin sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate e ka hartuar rikonfigurimm e pranisë së OKB-së në Kosovë. Në seancën që do të jetë e hapur, ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit do t'u drejtohet edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, përkundër protestës që kanë bërë përfaqësues të Qeverisë serbe. Nga ana tjetër, Serbinë do ta përfaqësojë presidenti Boris Tadiq. "Takimi do të jetë i hapur, do të marrin pjesë përfaqësues të Serbisë dhe Kosovës. Përveç sekretarit të përgjithshëm, do të flasin edhe përfaqësuesit e këtyre dy shteteve, presidentët Sejdiu e Tadiq, por edhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit", ka thënë Alehandro Volf, zëvendës i misionit amerikan në OKB, shtet që mban Presidencën e Këshillit të Sigurimit për muajin qershor. Nga kjo seancë pritet edhe zyrtarizimi i shefit të ri të misionit të OKB-së në Kosovë, Lamerto Zannier. Diplomati italian pritet të vijë në Kosovë sot në orët e pasdites, në kohën kur është paralajmëruar mundësia që shefi në largim, Joakim Ryker, të dalë para gazetarëve për të mbajtur konferencën e fundit për shtyp në cilësinë e shefit të UNMIK-ut, bashkë me zëvendësin e tij, Llari Rosin, i cili gjithashtu do të largohet nga Kosova...

KOHA DITORE
Kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, ka paralajmëruar se para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do ta përfaqësojë politikën unike shtetërore se Serbia nuk e pranon kurrfarë pavarësie të Kosovës dhe se do të porosisë se vetëm KS i OKB-së është përgjegjës për rikonfigurimin e UNMIK-ut me konstatimin se, herët a vonë, do të hapet çështja e negociatave të reja për statusin. “Vetëm ky institucion i OKB-se është kompetent për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare dhe këtë nuk mund ta bëjë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, sepse nuk ka kompetenca të tilla”, tha për agjencinë e lajmeve FoNet, para nisjes për Nju Jork. Sipas tij, kjo seancë e KS të OKB-së, sigurisht se nuk do t'i kushtohet shqyrtimit të statusit të misionit të EULEX-it, mirëpo një temë e tillë do të diskutohet në njërën nga mbledhjet e tjera. Kryetari serb është i bindur se herët apo vonë, çështja e negociatave të reja për statusin e Kosovës do të hapet sërish, sepse mendon se "pavarësia e Kosovës e shpallur ilegalisht nuk mund të mbijetojë dhe të gjejë vend në jetën reale"...

KOSOVA SOT
Edhe pse për seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës ishte pritur miratimi i një deklarate lidhur me kundërshtimin e vendimit të Qeverisë së Serbisë për formimin e strukturave paralele, atë të kuvendeve komunale dhe këshillave ekzekutivë, në ato komuna ku serbët votuan më 11 maj për zgjedhjet lokale, kjo nismë e mbështetur në Kryesinë e Kuvendit, është lënë anash në seancën e djeshme. Deputeti nismëtar, Driton Tali, i mbështetur edhe nga deputetë të tjerë, akuzoi Kryesinë e Kuvendit se qëllimisht e ka anashkaluar këtë temë në mbledhjen e vet të fundit dhe është marrë me vilën "Gërmia". Driton Tali dje është ndarë i zhgënjyer edhe nga mosfutja në rend dite edhe të një pike, të vlerësuar urgjente, të mbështetur edhe nga 5 deputetë të tjerë, që në këtë seancë Kuvendi të marrë një qëndrim lidhur me letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun për rikonfigurimin e UNMIK-ut pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Kjo kërkesë është hedhur poshtë nga kryeparlamentari Krasniqi me arsyetimin se kërkesa nuk është bërë me kohë...

EXPRESS
Kryeministrin e Republikës së Kosovës, në vizitën e tij të parë shtetërore, Shqipëria e ka trajtuar si një pëllumb. Figurativisht, për shkak të kujdesit që treguan për të, Hashim Thaçi, të enjten, e kishte të vështirë të shkelte nëpër tokë. Kalonte prej një dore në një dorë tjetër dhe hidhej prej një përqafimi në një tjetër. Në Tiranë, Hashim Thaçit i është rezervuar një pritje madhështore. Për nder të tij, rrugët e kryeqytetit shqiptar janë stolisur me ngjyrat e Flamurit të Kosovës, derisa një sërë medaljesh pritet t'i vihen atij në gjoks. Në mëngjesin e ditës së parë të vizitës, kryeministri Thaçi ka takuar homologun e tij Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në mesditë, ndërkaq, ai i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. Aty, si rrallëherë, ka mbajtur një fjalim të mirë. "Kosova kaloi një shekull të historisë së errët. Më shumë dhimbje dhe sakrifica. Tërë historia e Kosovës lidhet me përpjekjet për liri dhe qytetërim perëndimor. E gjithë politika jonë merr formësim nga ky qytetërim. Dhe, në fund u finalizua me vlerën më të shenjtë - lirinë", ka thënë Thaçi...

BOTA SOT
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë unike dhe të veçanta dhe ekzistojnë të gjitha mundësitë për një bashkëpunim solid e të gjithanshëm. Ky ishte thelbi i bisedës në takimin mes kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. “Ju bëj urimet më të mira për pavarësinë, për Kushtetutën dhe për vullnetin e dëshmuar për forcimin e konsolidimin e shtetit tuaj, shtetit më të ri në Evropë e në botë, si dhe për vokacionin tuaj të pashtershëm evropian”, tha zonja Topalli. Shqipëria gjithmonë në krah të Kosovës, ka lobuar dhe do të vijojë lobimin, jo vetëm për njohjen e saj, por edhe për të bërë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejt pjesë e institucioneve ndërkombëtare. “Jam shumë i lumtur që në këtë vizitë të parë timen pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndodhem në Kuvendin e Shqipërisë, ku më është dhënë mundësia t’u drejtohem deputetëve dhe popullit shqiptar”, tha kryeministri Thaçi...

INFOPRESS
Të sigurosh se refugjatët marrin mbrojtjen të cilën e meritojnë është qëllim bujar, sepse të drejtat e tyre janë të drejta të njeriut dhe të drejta që na takojnë ne të gjithëve. Është kjo porosia e Komisionarit të Latë te Kombeve të Bashkuara për refugjatët, Antonio Guterres, e cila jepet çdo vit në Ditën Botërore të Refugjatëve, e cila shënohet në tërë botën më 20 qershor (sot). E padyshim se një ditë e tillë do të shënohet edhe në Kosovë, si një ndër shtetet që nuk i ka të zgjidhura ende çështjet me personat e zhvendosur nga shtëpitë. Mirëpo, edhe këtë radhë aktivitetet, të cilat kanë të bëjnë me personat e zhvendosur, janë aktivitete me pjesëtarë të pakicave, ndërkohë që shqiptarët e zhvendosur lihen në harresë... Aktivitetet e UNHCR-së nëpër qytete të ndryshme të Kosovës theksin e kanë vënë më shumë mbi organizimin e shfaqjeve dhe lojërave të ndryshme për pjesëtaret e minoriteteve serbe, rome, ashkalinje e egjiptase, të cilët janë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Ndërkohë që në asnjërën prej këtyre aktiviteteve nuk përmenden shqiptarët e zhvendosur nga pjesa veriore e Mitrovicës, e të cilët gjithashtu kanë statusin e personave të zhvendosur...

LAJM
Kosovës i mungon një promovim më i mirë në arenën ndërkombëtare dhe një reklamë më pozitive për të bindur partnerët e huaj ekonomikë për të investuar dhe bashkëpunuar. Shqetësimi është ngritur nga Aleanca Kosovare e Biznesit, përfaqësuesit e të cilës morën pjesë në konferencën e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, që u mbajt në Gjenevë. Kryetari i saj, Agim Shahini, tha se gjatë qëndrimit në selinë evropiane të OKB-së janë zhvilluar 23 takime me delegacione të 17 vendeve dhe është biseduar edhe për mundësinë e punësimeve sezonale në Evropë. Sudani ka shprehur interesim për të marrë nga Kosova infermiere për të punuar në sferën e mjekësisë, ndërsa disa vende janë interesuar për mundësinë e punëtorëve sezonalë. Në takimet që janë zhvilluar në Gjenevë, Shahini tha se ka vërejtur një imazh jo shumë pozitivë për Kosovën, të krijuar nga propaganda e vazhdueshme serbe, imazh që nuk është aspak i volitshëm për të bindur investitorët e huaj...

EPOKA E RE
Zyrtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), kanë thënë të enjten për "Kosovapress" se tanimë kanë bërë përgatitjet e nevojshme dhe presin vetëm vendimet politike të Qeverisë që ky institucion të hyjë edhe në fazat e mëtutjeshme për krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës është pritur që do të fillojë edhe procesi i transformimit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Forcën e Sigurisë (FSK). Por, edhe pse 15 qershori është data kur u miratua Kushtetuta e Republikës, Qeveria ende nuk ka nisur hapat konkretë për transformim. Ndonëse janë ditët e para të fuqizimit të Kushtetutës së Kosovës, drejtuesit e TMK-së thonë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për transformim dhe tani janë në pritje të vendimit politik të Qeverisë për këtë çështje. Zëdhënësi i TMK-së, Shemsi Syla, ka thënë për "Kosovapress" se ky institucion edhe para hyrjes në fuqi të Kushtetutës ka bërë përgatitjet e nevojshme në bashkëpunim me Zyrën e koordinatorit dhe forcave të NATO-s për transformim. "Ne kemi bërë përgatitjet dhe tani presim që të bëhet implementimi i pakos së Ahtisaarit, në të cilën parashihet transformimi i TMK-së në FSK", ka thënë Syla...
XS
SM
MD
LG