Ndërlidhjet

Krasniqi: Ndryshimi i kufijve prodhon jostabilitet


Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi

"Përpjekja për t’i ndryshuar kufijtë e Kosovës prodhon efekte politike jostabile jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon", thotë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Krasniqi, 5 ditë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, ku janë ndryshimet më të mëdha që janë duke ndodhur?

JAKUP KRASNIQI
Ndryshimet më të mëdha sigurisht që janë në ditët në vazhdim. Mendoj se hyrja e kushtetutës në fuqi ka një rëndësi të veçantë, se menjëherë Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës fillojnë t’i përgatisin dhe t’i funksionalizojnë segmentet që nuk kanë qenë funksionale.

Për shembull, menjëherë ka filluar akreditimi i nëntë ambasadave diplomatike të Kosovës jashtë. Ky është hapi i parë më i madh dhe më i dukshëm. Kanë hyrë ligjet në fuqi dhe kjo është e një rëndësie tjetër; 41 ligje veç janë nënshkruar nga presidenti i Kosovës dhe pasi të kthehet do të ketë edhe ligje të tjera që janë miratuar në ndërkohë në Kuvend.

Mandej, të gjitha përgjegjësitë që kanë qenë të rezervuara për administratën e UNMIK-ut, përveç atyre që janë në pjesën veriore dhe që duhet t’i kalojnë EULEX-it, janë në marrëveshje EULEX-i me UNMIK-un, tani duhet të presim edhe detyra dhe përgjegjësi të reja të këtyre institucioneve, si dhe krijimi i institucioneve të reja, siç është Ministria e Mbrojtjes, pastaj Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Do të thotë, po bëhet rrumbullakimi i të gjitha institucioneve të shtetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, shtrirja e autoritetit të institucioneve do të bëhet në gjithë Kosovën. A po ndodh një gjë e tillë?

JAKUP KRASNIQI
Realisht, Kushtetuta e Kosovës do të hyjë në fuqi në pjesën më të madhe të Kosovës. Natyrisht, nuk mund të themi se Kushtetuta e Kosovës do të hyjë në fuqi në veriun e Kosovës, ku kemi të instaluara struktura paralele serbe, struktura që në një mënyrë nuk kanë bashkëpunuar as me administratën e UNMIK-ut deri më tani.

Në këtë pjesë, Kushtetuta e Kosovës do të ketë vështirësi edhe për një kohë për t’u shtrirë. Natyrisht, do të jetë në përgjegjësinë edhe të administratës së UNMIK-ut, e në ndërkohë edhe të EULEX-it, për të mbikëqyrur dhe shtrirë administrimin e saj në atë pjesë.

Sfidat në rend të parë janë pengesat që janë dhënë në Këshillin në Sigurimit; në rend të dytë është sfidë së në atë pjesë as deri më tani nuk ka pasur administrimin e vet as administrata ndërkombëtare. Do të thotë, ka qenë një qeverisje paralele e segmenteve të Serbisë në atë pjesë të Kosovës.

Vështirësi është se edhe vetë EULEX-i nuk arriti t’i marrë përgjegjësitë e veta që i ka me dokumentin e Ahtisaarit. Mendoj se edhe një çështje tjetër që mund ta quajmë si pengesë, është se vendet e Bashkimit të Evropian nuk e kanë një konsensus të plotë me situatën e krijuar në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë paralajmëruar formimin e një parlamenti serb në veri të Mitrovicës, siç thonë ata, për të mbrojtur të drejtat e tyre. Ju, si mendoni, cili do të jetë ndikimi i atij parlamenti?

JAKUP KRASNIQI
Në rend të parë, mund të them se një parlament i tillë i vetëquajtur nuk mund t’i mbrojë të drejtat e serbëve të Kosovës dhe mendoj se po pengon integrimin edhe ndryshimin e kualitetit të jetës edhe për qytetarët serbë të Kosovës në Kosovë, sepse serbët e Kosovës nuk janë vetëm banorë të pjesës veriore, por ka edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

Në këtë mënyrë, mendoj se kohë më parë edhe një pjesë e lidershipit serb kanë qenë kundër kërkesave të Serbisë për t’u zhvilluar zgjedhjet e lira serbe në Kosovë. Në këtë aspekt, mendoj se për Kosovën, për institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, ato institucione janë jolegjitime.

Do të thotë, për Kosovën janë institucione ilegale, jolegjitime dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar duhet të gjenden rrugë për t’i eliminuar këto ndërhyrje të Serbisë në hapësirën e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë ka tërhequr vërejtjen për rrezikun që i kanoset Kosovës nga ndarja funksionale, për shkak të planeve për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Si e shihni ju këtë çështje?

JAKUP KRASNIQI
Në fakt, deklarimet e përfaqësuesit civil ndërkombëtar ndoshta kësaj radhe kanë qenë në atë vijën me fjalën time që kam pasur në mbrëmjen e 15 qershorit, për nder të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.

Edhe unë kam tërhequr vëmendjen se me ndërhyrjet dhe me pengesat që janë bërë në Këshillin e Sigurimit nga Rusia dhe me ndërhyrje të Beogradit në pjesën veriore të Kosovës, vërtet sikur po përgatitet, po rrezikohet tërësia territoriale e Kosovës.

Edhe një gjë duhet të kihet parasysh, se përpjekja për të ndërhyrë në një territor, për t’i ndryshuar kufijtë e Kosovës, natyrisht prodhon efekte politike jostabile jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajonin tonë. Mendoj se vendet e Bashkimit Evropian e kanë parasysh këtë çështje.
XS
SM
MD
LG