Ndërlidhjet

Kthimi i të zhvendosurve sfidon Kosovën


Kosova
Kosova

Në Ditën Botërore të Refugjatëve, sfidë për institucionet e Kosovës mbetet kthimi i të zhvendosurve serbë. Megjithatë, e pazgjidhur mbetet edhe çështja e emigrantëve shqiptarë, numri i të cilëve konsiderohet të jetë mbi 450 mijë.

Derisa në botë është regjistruar një rritje e numrit të refugjatëve, Kosova po vazhdon përpjekjet që t’i kthejë qytetarët e saj të zhvendosur, kryesisht serbë, të përqendruar në Serbi dhe në vendet tjera fqinje.

Ministria e Kthimit ka vërejtur një stagnim në kthimin e të zhvendosurve serbë, që nga koha e negociatave për statusin, meqë të zhvendosurit nuk ishin të sigurt për të ardhmen e tyre, pa e ditur se cili do të ishte statusi përfundimtar i Kosovës.

Zëvendësministri i Kthimit, Ismet Hashani, pohon së tani janë pjekur kushtet për një kthim të qëndrueshëm.

“Tash, me hyrjen në fuqi të kushtetutës, është një klimë krejtësisht e re dhe besoj se do të kemi kthim të të shpërngulurve”, tha Hashani.

Shifrat për të zhvendosurit vazhdojnë të jenë të ndryshme, për shkak të mungesës së të dhënave të sakta. Zëvendësministri i Shërbimeve Publike, Rifat Blakaj, pohon se mund të jenë vetëm 40 mijë serbë të zhvendosur, përderisa Qeveria serbe jep një shifër katërfish më të lartë.

“Ne e dimë se afro 110 mijë serbë gjenden brendapërbrenda Kosovës; duhet të jenë diku 30-40 mijë që janë të zhvendosur, sepse një numër prej 30 mijë tashmë kanë shitur pronat e tyre dhe nuk janë në listat e të zhvendosurve Në bazë të ligjeve, ata kanë shfrytëzuar të drejtën për qarkullim të lirë, për të jetuar aty ku dëshirojnë”, tha Blakaj.

Por, derisa përpjekjet jo vetëm të kësaj qeverie janë përqendruar në kthimin e serbëve, shumë thonë se çështja e shqiptarëve që gjenden jashtë vendit është harruar.

Zëvendësministri Rifat Blakaj flet për një numër prej 450 mijë shqiptarësh që kanë emigruar në vitet e 90-ta në perëndim, statusi i të cilëve vazhdon të jetë i pazgjidhur.

“Kjo është pjesa tjetër e tregimit, që falë bashkëpunimit dhe qëndrimit kooperativ të Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të saj, kanë përkrahur më tepër çështjen e minoriteteve, ndërsa është shpërfillur dhe margjinalizuar çështja e migrantëve tjerë. Kemi 450 mijë ish-azilkërkues dhe migrantë, të cilët gjenden në listat e vendeve strehim-dhënëse dhe një numër i tyre do të deportohen, do të kthehen me detyrim“, tha Blakaj.

Ndërkohë, ende nuk është gjetur zgjidhja as për kthimin e të zhvendosurve shqiptarë nga veriu i banuar me serbë. Në pamundësi për t’u kthyer, disa nga ta tashmë kanë nisur t’i shesin pronat e tyre. Zëvendësministri i Kthimit, Ismet Hashani, është optimist se kjo çështje do zgjidhet shpejt.

“Shpresoj se edhe kjo çështje, pas shtrirjes së kontrollit në veri, do të zgjidhet”, tha Hashani.

Ndryshe, në Ditën Botërore te Refugjatëve, eksperti për migracion, Rifat Blakaj, vlerëson se Kosova ka bërë hap të madh duke përkrahur kthimin dinjitoz dhe të sigurt të
të zhvendosurve.

Rast i paprecedent është krijimi i Ministrisë së Kthimit për kthimin e serbëve, meqë për shqiptarët nuk ka ministri të veçantë. Populli rrënjës i Kosovës ka përjetuar 5 deri në 6 valë eksodi dhe tani di peshën, rëndësinë, vështirësitë që dalin. Në këtë aspekt, Kosova dhe kosovarët janë treguar jashtëzakonisht të organizuar dhe solidarë me fatin e të zhvendosurve”, tha Blakaj.

Fluksi më i madh i refugjatëve që kanë lëshuar Kosovën ka qenë në vitin 1999, ku rreth një milion shqiptarë qenë depërtuar nga regjimi serb brenda një periudhe tremujore. Por, kthimi i tyre pas hyrjes së forcave te NATO-s më 12 qershor, siç thotë Blakaj, ka qenë impresionues për të gjithë.
XS
SM
MD
LG