Ndërlidhjet

Zannieri pret udhëzime nga Nju Jorku për rolin e UNMIK-ut


Lamberto Zannieri

Lamberto Zannieri

Shefi i ri i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannieri, arriti në Prishtinë. Në një konferencë me gazetarët, ai sqaroi pozicionin e tij në rrethana të reja të UNMIK-ut pas shpalljes së pavarësisë dhe fuqizimit të Kushtetutës.


Ndërsa ka premtuar se në agjendën e tij rikonfigurimin e UNMIK-ut do ta ketë si angazhim kryesor, shefi i ri i administratës së Kombeve të Bashkuara, Lamberto Zannieri, tha se në këtë moment nuk mund ta thotë se si do të zhvillohet ky proces rikonfigurimi.

Shefi i ri i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, diplomati italian Lamberto Zannieri, ka mbërritur sot në Prishtinë, duke zëvendësuar ish-shefin e deritashëm të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, dhe menjëherë pas u është drejtuar edhe mediave.

Ai tha se do t’i duhet pak kohë që të familjarizohet me Kosovën dhe realitetin e ri në Kosovë, duke e pranuar se detyra e tij do të jetë më ndryshe krahasuar me kryeadministratorët e kaluar.

Zannieri tha se pret udhëzime nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon dhe Këshilli i Sigurimit se si do të definohet çështja e rikonfigurimit.

“Prania e UNMIK-ut në terren dhe roli që do të luajë kjo administratë do të jetë çështja kryesore, por ne po presim edhe udhëzimet shtesë që duhet të na vijnë tani nga Këshilli i Sigurimit”, tha Zannieri.

Shefi i ri i UNMIK-ut tha se do të përqendrohet edhe në çështjen e lehtësimit të dialogut ndërmjet komuniteteve në Kosovë, por edhe të dialogut në nivel rajonal, siç e ka quajtur ai.

Në bazë të planeve të OKB-së për rikonfigurimin, shefi i UNMIK-ut gjatë fazës tranzitore të rikonfigurimit zhvillon dhe dialogun me Beogradin për çështje të caktuara, të cilat Zannieri i ka cilësuar se do ta ndihmojnë stabilitetin rajonal.

“Roli dhe fokusimi ynë do të jetë në ndihmesën dhe lehtësimin e dialogut, si ndërmjet komuniteteve, ashtu edhe dialogut në të mirë të paqes e stabilitetit në rajon”, thotë Zannieri.

Ndërsa nuk ka dashur që të flasë për zhvillimet në veri të Kosovës dhe pozicionin e serbëve që UNMIK-u të pranohet në veri, por jo edhe EULEX-i, Zannieri tha se i duhet kohë të familjarizohet me Kosovën, por, si tha ai, çështjet e sigurisë në asnjë moment nuk do t’i injorojë, por do të dialogojë me të gjithë.

“Do të ishte gabim nëse injorojmë nevojën për dialog dhe për këtë unë jam këtu që të kryej pjesën time të punës”
, u shpreh shefi i ri i UNMIK-ut.

Duke e pasuar ish-shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, diplomati italian Lamberto Zannieri vjen në krye të UNMIK-ut në kohën kur është fuqizuar Kushtetuta e Kosovës dhe kur kosovarët presin që të marrin mbi vete përgjegjësitë kushtetuese në fushat, të cilat deri më tani i kishte nën përgjegjësi UNMIK-u dhe autoriteti i shefit të kësaj administrate.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG