Ndërlidhjet

Ban: Rikonfigurimi i UNMIK-ut, e drejtë e imja


Organizata e Kombeve të Bashkuara
Organizata e Kombeve të Bashkuara

SHBA-të, Britania dhe Franca e mbështetën propozimin e Ban Ki-Moonit gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Rusia dhe Serbia kundërshtuan planet për ndryshimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë.



Në diskutimin e tij, Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-Moon, vlerësoi se Kombet e Bashkuara në Kosovë ballafaqohen me një realitet të ri dhe u shpreh se synon, në bazë të konsultimeve me Beogradin dhe me Prishtinën dhe në pritje të udhëzimeve të Këshillit të Sigurimit, që t'i harmonizojë aspektet operative të pranisë ndërkombëtare civile në Kosovë.

Ai tha se këtë do ta bëjë sipas mandatit që e ka.

"Kjo është pjesë e mandatit të gjerë që më është dhënë nga Karta e Kombeve të Bashkuara dhe nga Rezoluta 1244, që e miratoi Këshilli i Sigurimit në vitin 1999", tha Ban Ki-Moon.

Nëse ky realitet i ri nuk kihet parasysh, zoti Ban tha se "mund të ketë rritje të tensioneve, përfshirë tensionet ndërmjet bashkësive në Kosovë, e kjo do të kontribuonte në krijimin e rrethanave të pavolitshme për praninë civile ndërkombëtare".

Sekretari i Përgjithshëm theksoi se "oferta e Bashkimit Evropian, që ta marrë një rol të rëndësishëm operativ", është e një rëndësie të veçantë, pasi do të "mundësonte ndarjen e përgjegjësive".

Ambasadori amerikan, Zalmay Khalilzad, tha se Shtetet e Bashkuara e përshëndesin raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Moon, për rikonfigurimin e UNMIK-ut në Kosovë.

Në këtë kuadër, ai u shpreh se është e drejtë e tij që ta bëjë këtë veprim.

"Shtetet e Bashkuara besojnë se Sekretari i Përgjithshëm ka të drejtë të vendosjes për ta rikonfiguruar UNMIK-un dhe ne e mbështesim nismën, që ai ka ndërmend për ta bërë", tha ambasadori Khalilzad.

Por, ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin, tha se Rusia e konsideron ilegal misionin e BE-së në Kosovë.

"Ne e konsiderojmë jolegjitime vendosjen në Kosovë të të ashtuquajturit mision të sundimit të ligjit të Bashkimit Evropian dhe ndërtimin e Grupit Drejtues për Kosovën, që ka filluar pa vendimin e domosdoshëm të Këshillit të Sigurimit. Kjo është kundër Rezolutës 1244 dhe parimeve të pajtuara për Kosovën", tha Vitaly Churkin, ambasador i Rusisë në Kombet e Bashkuara.

Ambasadori amerikan, Khalilzad, tha se Këshilli i Sigurimit duhet të jetë i inkurajuar nga suksesi i shpejtë që ka arritur Kosova, prej se është bërë e pavarur.

Më tej ai tha:

"Fakti se qeveria demokratike dhe multietnike e Kosovës tash është e gatshme të qeverisë, është një dëshmi për suksesin e Kombeve të Bashkuara në ndërtimin e institucioneve", tha Khalilzad.

Por, këtë konstatim e kundërshtoi presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.

"Nuk ka institucione multietnike në Kosovë, bile as sot", tha ai.

Tadiq tha se Beogradi nuk mund t'i mbështesë planet e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Moon, për rikonfigurimin e misionit aktual të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ambasadori amerikan, Zalmay Khalilzad, u shpreh se Beogradi nuk po i inkurajon serbët e Kosovës që të bashkëpunojnë me shqiptarët.

“Beogradi hapur ka vendosur t'i shfrytëzojë lidhjet me serbët, që t'i dekurajojë serbët e Kosovës nga bashkëpunimi ose edhe që të bisedojnë me fqinjët e tyre shqiptarë në Kosovë", tha zoti Khalilzad dhe shtoi se institucionet e Kosovës kanë miratuar legjislacionin për mbrojtjen e pakicave, që mbështetet në planin e Martti Ahtisaarit.

Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e përfaqësoi presidenti Fatmir Sejdiu.

Lidhur me planet për rikonfigurim ai tha:

"Republika e Kosovës e ka parasysh propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe ka po ashtu përkushtimin që Kosova të zhvillohet si shtet demokratik e sovran i të gjithë qytetarëve".

Ai foli edhe për bashkëpunimin rajonal.

"Kosova është ndërtuar, është zhvilluar dhe është njohur si faktor i rëndësishëm i stabilitetit dhe paqes. Qasja jonë është që të kemi raporte të mira me gjithë fqinjët tanë, përfshirë dhe Serbinë, por gjithmonë si dy shtete sovrane", tha Sejdiu.

I pyetur se a ekziston mundësia që të bisedohet përsëri me Serbinë, presidenti Fatmir Sejdiu tha:

"Jo, ne e kemi përfunduar procesin e negocimit me Serbinë. Asnjë negociatë që ka të bëjë me statusin dhe biseda të atij lloji nuk do të ketë."

XS
SM
MD
LG