Ndërlidhjet

MPB: Manipulim serioz i MPB-së serbe në veri


Mitrovicë - Ura qendrore

Mitrovicë - Ura qendrore

SHPK-ja konfirmon se ka marrë informata nga banorë të Mitrovicës për praninë e pjesëtareve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në pjesën veriore të këtij qyteti. Një gjë të tillë, e ka pohuar (të premten) kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi.

Manipulime shumë serioze me serbët lokalë i ka quajtur ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, veprimet e strukturave paralele të sigurisë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ka alarmuar se pjesëtarë të strukturave paralele serbe të sigurisë kanë shtuar lëvizjet dhe aktivitetet e tyre në veri, duke i ndalur dhe legjitimuar njerëzit në veri të qytetit, madje edhe duke u prezantuar haptas si pjesëtarë të MUP-it serb.

Ministri Pajaziti i tha Radios Evropa e Lirë se kjo tendencë e prishjes së sigurisë nga ana e pjesëtarëve të strukturave ilegale të sigurisë, është parë edhe para hyrjes në fuqi të kushtetutës.

“Kemi pasur informata dhe kemi informata të vazhdueshme se persona të caktuar planifikojnë të krijojnë skandale apo eksese në prag dhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Si rrjedhojë, po ashtu kanë qarkulluar disa informata se ka tendenca të krijimit të institucioneve paralele, megjithatë organet tona ende nuk kanë raportuar zyrtarisht se një gjë e tillë është vërejtur”, tha Pajaziti.

Në anën tjetër, deklarata e kreut të Mitrovicës pohohet nga pjesëtarë të SHPK-së në këtë qytet. Zëdhënësi Besim Hoti thotë se SHPK-ja ka marrë informata për praninë e pjesëtarëve të strukturave ilegale të sigurisë.

“Kemi pasur ankesa të qytetarëve, që në formë verbale kanë deklaruar se kanë vërejtur persona të tillë, ose persona që janë identifikuar si pjesëtarë të MUP-it serb. Nuk kemi informata për vendqëndrimin e këtyre forcave”, tha Hoti.

Veriu i Kosovës mbetet jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës, përderisa shpallja e pavarësisë dhe fuqizimi i kushtetutës vetëm sa kanë forcuar strukturat paralele të sponsorizuara nga Beogradi zyrtar.

Ndërkohë, disa nga pjesëtarët serbë të SHPK-së që veprojnë në veri , tashmë pothuaj kanë shkëputur çdo lidhje me kolegët e tyre shqiptarë, sikurse që nuk i binden komandës qendrore të këtij shërbimi. Kjo, sipas Besim Hotit, bën që identifikimi i policëve nga Serbia sikurse vendqëndrimi i tyre, aktualisht është i pamundur të bëhet nga SHPK-ja.

“Nuk mund të mohojmë faktin se ka prani të pjesëtarëve të MPB-së serbe, por veprimi operacional i tyre është në minimum, në krahasim me organet legjitime te sigurisë. Ata operojnë pa uniformë dhe vështirë të identifikohen, por nuk kanë ndonjë rol në siguri”, tha Besim Hoti.

Ndryshe, Bajram Rexhepi ka thënë se situata e sigurisë në Komunën e Mitrovicës aktualisht është e qetë, mirëpo ka indikacione se gjendja mund të tensionohet, për shkak të veprimit të strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në veri të vendi.

Ministri Pajaziti ka kërkuar nga qytetarët serbë që të mos bien pre e manipulimeve dhe të shpërthejnë izolimin në të cilin gjenden tash nëntë vjet.

“Nuk kanë nevojë ata për njerëz të tillë, se kinse i mbrojnë ata dhe interesat e tyre, pasi që si pasojë e kësaj, ata po mbeten pjesë e izoluar në komunitetin e tyre, e nuk po integrohen në shoqëri, të bëhen pjesë e jetës së lirë në Kosovë”, tha Pajaziti.

Prania e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në veri është pohuar muaj më parë nga vetë administrata e UNMIK-ut, zyrtarë të së cilës kanë pohuar se në trazirat e 17 marsit në Mitrovicë, ku u vra një polic ukrainas, kanë qenë të përfshirë pjesëtarë të MPB-së serbe.
XS
SM
MD
LG