Ndërlidhjet

Kryeziu: Fuqitë ndërkombëtare kanë mbetur në gjysmë të rrugës


Ekrem Kryeziu
Ekrem Kryeziu

"Paqartësitë që ndodhin në Serbi, ndikojnë edhe në paqartësitë e fuqive ndërkombëtare, që nuk dinë se nga t’ia mbajnë, si t’i zgjidhin; kanë mbetur në gjysmë të rrugës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, publicisti Ekrem Kryeziu.




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Kryeziu, si i shikoni zhvillimet në Kosovë tash, më shumë se katër muaj pas shpalljes së pavarësisë së saj dhe njohjes nga 43 shtete?

EKREM KRYEZIU
Punët po ecin mbarë, aq sa mund të ecin mbarë kur janë faktikisht dy qendra të vendosjes, është qendra e UNMIK-ut dhe vendorët. Në kuadër të këtij dualizmi, po mundohemi ta gjejmë rrugën e mesme, që nuk do t’i lëndojë as ndërkombëtarët, por faktikisht nuk do t’i anashkalojë as vendorët.

Në kuadër të kësaj ecjeje, po ecim mirë, për arsye se nuk janë të gjitha vidat e qeverisjes, e drejtimit të shtetit në duar tona; për këtë si të them qeverisje të përgjysmuar - mirë, derisa nuk bëhet më mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar rikonfigurimi i UNMIK-ut, ndërkohë që EULEX-i po vonon shtrirjen e tij në Kosovë. Çfarë mendoni se mund të sjellë krejt kjo?

EKREM KRYEZIU
Ende nuk dihet se çka do të thotë rikonfigurimi. Ishte në Këshillin e Sigurimit zoti Fatmir Sejdiu – presidenti i Kosovës, dhe të them të drejtën aty u fol krejt rreth e rrotull dhe përveç Serbisë, Rusisë, Kinës dhe një shteti aziatik, që ishin kundër Kosovës, të gjithë të tjerët ishin për Kosovën, ishin për forcimin e shtetit të Kosovës, por asnjëri prej tyre nuk e tha një vendim të prerë.

Kjo do të thotë se ne gjatë gjithë kohës jemi në pritje, me shpresë se do të shohim se si do të rikonfigurohet, për arsye se fjala rikonfigurim është fjalë e rrumbullakët, që nuk rri në një vend, që lëvizë, dhe ky rikonfigurim mund të jetë largimi i UNMIK-ut, mund të jetë pozicionimi i UNMIK-ut në një vend ku nuk ka qenë deri tash apo ku mund ta forcojë më tepër...

Do të thotë, fjala rikonfigurim nuk do të thotë asgjë konkrete. Sado që SHBA-të insistojnë në pavarësinë e Kosovës, insistojnë që ta njohin të tjerët dhe ta fuqizojnë këtë pavarësi, shtetet e tjera a thua se presin se mos po ndodh diçka që do të shkojë në dëm tonin.

Pra, është një gjendje e padefinuar sa i përket bashkësisë ndërkombëtare. Në kuadër të këtij padefinimi të saktë, politikanët tanë e shpallën kushtetutën dhe atë kushtetutë ne duhet ta mbështesim me të gjitha forcat.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët se Kosova tashmë ka fuqizuar kushtetutën e re. Si i shikoni mundësitë e zbatueshmërisë së saj në gjithë territorin e Kosovës?

EKREM KRYEZIU
Sa i përket Kushtetutës, zbatueshmërisë së saj në gjithë territorin e Kosovës, unë uroj që këtë kushtetutë ta fuqizojmë ne, në këto pjesët ku nuk janë sistemet paralele të qeverisjes.

Nëse ne e pranojmë kushtetutën, nëse ne punojmë për përjetësimin e kushtetutës me veprat tona, jam shumë i bindur se kjo valë që do të forcohet në kuadër të institucioneve tona, që gjithnjë e më shumë po bindem se e kanë ndërruar mënyrën e komunikimit me popullin, ndaj punës së vet, dhe tash, më shumë se për vete, po mendojnë për punë dhe për Kosovë, atëherë besoj se kjo fuqi do të rrezatojë edhe në ato pjesë ku deri më tash nuk ka arritur fuqia e ligjit të kushtetutës sonë apo vendimeve të institucioneve të Kosovës, të Kuvendit të Kosovës.

Jam shumë i bindur se kur forcohet qendra, e qendra është pjesa dërmuese e Kosovës, ku nuk përfshihen enklavat, atëherë kjo qendër do të rrezatojë dhe do të ndikojë që edhe ajo periferi, ta quaj ashtu, që lidhet me Serbinë, të kthehet dhe ta shohë se është shumë më e logjikshme të lidhet me Kosovën, sesa të bëhet instrument i një politike, e cila edhe në Serbi është e padefinuar. Edhe Serbia nuk i ka punët e qarta.

Mund të them se paqartësitë që ndodhin në Serbi, ndikojnë edhe në paqartësitë e fuqive ndërkombëtare, që nuk dinë se nga t’ia mbajnë, si ta zgjidhin. Kanë mbetur në gjysmë të rrugës. Ata e kanë dërguar Ahtisaarin, ata - Evropa, e kanë pranuar Ahtisarin.

E tash, Këshilli i Sigurimit, nën ndikimin e Rusisë, ndodh që të ndikojë në këtë josaktësi të mendimeve. Këshilli i Sigurimit nuk mund ta ndërrojë Rezolutën 1244, sepse ekziston vetoja e Rusisë.

RADIO EVROPA E LIRË
A e dobëson kjo zbatueshmërinë e kushtetutës?

EKREM KRYEZIU
Nuk ishte dashur që ta dobësojë, meqë Kosova është e pavarur. Ne mund të ngulim këmbë dhe të themi: ‘Zotërinj të UNMIK-ut, ne më nuk kemi nevojë për ju’.

Ne mund ta bëjmë këtë, por ne kemi dëshirë që të mos prishemi me Perëndimin, ndonëse ne nuk prishemi me Perëndimin nëse insistojmë në mendimet, të cilat, faktikisht, kanë ardhur prej Perëndimit.

Koncesionet që i janë bërë planit të Ahtisaarit nuk janë koncesione të vogla. Nëse edhe ai plan me plot koncesione, që shqiptarët, faktikisht klasa politike e Kosovës ia ka bërë komunitetit ndërkombëtar, nuk pranohet, atëherë ne duhet të vendosim dhe të themi: ‘Burra të fortë, ne nuk jemi me ju më, për arsye se ne së pari duhet të mendojmë për Kosovën dhe ardhmërinë e saj, bazuar në kushtetutën që e keni pranuar’.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeziu, ju jeni njeri i kulturës dhe artit. Viteve të fundit ka pasur gjithmonë kritika në adresë të institucioneve të larta qeveritare të kulturës për mungesë të strategjive dhe politikave kulturore. Sipas jush, a ka ndryshuar gjendja në këtë drejtim?

EKREM KRYEZIU
Tash për tash nuk mund të them asgjë që ka ndryshuar. Ka ndryshuar vetëm ministri i Kulturës, të cilin e mbështes, për arsye se i takon inteligjencës kulturore, është kompozitor, profesor i Universitetit të Prishtinës, si një njeri që e njeh kulturën dhe di ta menaxhojë atë. Por, krejt varet se sa do të ketë buxhet për këtë kulturë.

Kultura është sikurse ka qenë, qoftë edhe më keq se ka qenë, jo falë institucioneve, por falë rrethanave në të cilat këto institucione u gjetën. Do të thotë, nuk kritikoj, sepse kritikohet diçka që ekziston.

Ne, momentalisht, nuk kemi politika kulturore dhe për këtë nuk kam kë të kritikoj, përveç se ta marr faculetën, të qaj dhe të them: ‘O burrani, kthjelluni, sepse kulturës duhet t’i kushtohet kujdes, sepse një shtet që nuk i kushton kujdes kulturës, ai nuk është shtet për të qenë dhe nuk është shtet të cilin do të duhej ta përkrahnin të tjerët; s’ka identitet, e ne jemi në fazën kur kërkojmë përkrahje nga bota’.

XS
SM
MD
LG